Blerjet me këste - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

 

Në shumë raste, për të nxitur blerjen e mallrave, shitësit lejojnë blerjen nëpërmjet pagesës në disa këste (për shembull mund të paguhet në disa këste një televizor veçanërisht i shtrenjtë, një frigorifer, dyshek e kështu me radhë). Kjo quhet “kredi për konsum”. Me kredi për konsum mund të blihet një mall, edhe veçanërisht i shtrenjtë, pa paguar menjëherë të gjithë shumën e çmimit, por duke paguar herë pas here (zakonisht një herë në muaj) shifra të vogla deri në shlyerjen e borxhit. Mundësia e kryerjes së këtij operacioni lejohet nga bankat ose nga shoqëritë që japin financimet (të ashtuquajturat financiaret), ose nëpërmjet huave personale.

Janë të përjashtuara nga kreditë për konsum financimet për shuma më të vogla se 200 euro dhe mbi 75.000 euro.

Këto operacione mund të kryhen:
-    Me pagesa të kryera më vonë ose të kryera me këste (nëpërmjet urdhër pagesave postare)
-    Me pagesa që merren drejtpërdrejt nga Llogaria e Rrjedhshme ose nga Karta e Kreditit (i ashtuquajtur R.I.D - rapporto interbancario diretto [marrëdhënie ndërbankare e drejtpërdrejtë])
-    Me hua personale,
-    Me lënien e një të pestës së pagës (marrja e një shume të vogël mujore drejtpërdrejt nga rroga).
Është mirë të vihet në dukje se kur blihet një mall me këste, në të vërtetë klienti bën një kontratë me atë që shet mallin ose shërbimin dhe një kontratë me shoqërinë që jep financimin/huan.

Kushtet e kontratës
Dhënia e huas ose e financimit, e  ashtuquajtura kredi për konsumin, bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje në të cilën shoqëria financiare e jep këtë financim dhe konsumatori angazhohet që ta kthejë duke e paguar me këste. Kjo kontratë duhet të jetë me shkrim dhe një kopje duhet t’i dorëzohet konsumatorit.

Shoqëria kryen më parë kontrolle mbi konsumatorin si për shembull nëse ai ka hua të tjera ose nëse ka mjete të mjaftueshme ekonomike.

Informacionet që përmban kontrata
Kontrata e kredisë për konsum duhet të përmbajë një sërë informacionesh. Përveç palëve (shoqëria që jep financimin ose huan dhe konsumatorit), kontrata duhet të përmbajë :
një përshkrim të hollësishëm të mallrave ose shërbimeve të blera,
çmimin e vendosur,
shifrën dhe afatin e pagesës së kësteve
shpenzimet e mundshme në rast vonese të pagesës;
shpenzimet dhe gjobat e mundshme nëse e gjithë shuma kthehet përpara skadimit të këstit të fundit.
Në kontratë duhet të përmendet edhe shuma e financuar dhe mënyra e financimit, treguesi i interesit, i  ashtuquajturi TAEG, dhe kushtet sipas të cilit ai mund të ndryshojë me kalimin e kohës.
Konsumatorit nuk mund t’i kërkohet pagimi i shumave të tjera përveç atyre të përcaktuara në kontratë.

Çfarë është TAEG “Treguesi vjetor efektiv global”
Mundësia e blerjes së një malli duke mos paguar menjëherë të gjithë çmimin, por nëpërmjet pagimit të kësteve të vogla periodike, është një lehtësim për konsumatorin (mendoni për shembull mundësinë e blerjes së një televizori që kushton disa mijëra euro duke e paguar me këste të vogla mujore prej disa qindra eurosh)
Kjo mundësi, e dhënë konsumatorit falë pranisë së një shoqërie financiare, ka ama një kosto, pikërisht ajo që quhet TAEG. Ajo është shifra shtesë që konsumatori derdh nëpërmjet pagimit të kësteve.

Kujdes
Shpesh shoqëritë financiare, për të pasur më shumë garanci, japin huat vetëm nëse pagesa e kësteve bëhet jo me urdhër pagese postare, por me marrjen periodike drejtpërdrejt të shumës nga llogaria bankare ose nga karta e kreditit, ose më thjesht nëpërmjet atij që quhet R.I.D.

Praktikisht konsumatori i jep shoqërisë financiare të dhënat e llogarisë së vet bankare ose të kartës së kreditit.
Në rast RID-i bankar, kur për çdo lloj arsyeje del nevoja e bllokimit të pagesës duhet informuar Banka nëpërmjet një letre të porositur ose duke shkuar personalisht në sportelin e Bankës për anulimin e RID.
Ndërsa në rastin kur pagimi i kësteve bëhet duke marrë shumën automatikisht nga karta e kreditit, për të anuluar këtë shërbim i duhet dërguar një letër e porositur shoqërisë që ka dhënë financimin. Një pagesë që mund të jetë bërë edhe nëse nuk duhej, mund të kundërshtohet gjithsesi më pas.

Prishja e kontratës së financimit
Një ligj i kohëve të fundit parashikon që konsumatori mund të prishë kontratën e financimit, pas dhënë arsyen, brenda 14 ditësh nga nënshkrimi i kontratës, duke i dërguar një letër të porositur shoqërisë që ka dhënë financimin.
Nëse financimi është dhënë, konsumatori duhet t’i kthejë shoqërisë shumën përkatëse dhe interesat e mundshme. Nëse shuma ama nuk i është paguar shitësit, konsumatori duhet t’ia paguajë drejtpërdrejt të gjithë çmimin shitësit.


Çfarë ndodh nëse nuk paguhet një ose disa këste
Mospagimi i kësteve, qoftë edhe i një të vetmi, mund të sjellë probleme të mëdha.
Para së gjithash shoqëria financiare dërgon një letër për të nxitur pagimin.
Në rast se edhe me letrën, kësti nuk paguhet akoma, fillohet me paralajmërimet (diffida), me të cilat, përveç pagimit të shumës së pakthyer, do të kërkohen interesat dhe ndoshta edhe mbyllja e kontratës.
Mospagimi i kësteve mund të sjellë gjithashtu regjistrimin e konsumatorit në bankën e të dhënave (CRIF etj) të “mospaguesve”. Me këtë regjistrim do të jetë e vështirë që, edhe me kalimin e viteve, personi të mund të marrë hua ose kredi nga bankat ose shoqëritë financiare.