Çmimi për lindjet. Çfarë është si kërkohet e si jepen 800 € për çdo të sapolindur - Shqiptari i Italisë

Udhëzues
Çmimi për lindjet apo bonusi “nëna nesër” me vlerë 800 € është një shumë që jepet nga INPS-i në një këst të vetëm, me kërkesë të nënës së ardhshme, me mbushjen e muajit të shtatë të shtatzënisë ose në çastin e lindjes apo birësimit. I shtohet të ashtuquajturit bonus bebe, “nuk merret parasysh për përllogaritjen e të ardhurave të përgjithshme”, kështu që nuk tatohet.
Ndihmesa prej 800 € jepet vetëm një herë për çdo fëmijë të lindur të birësuar apo të marrë në besim. Praktikisht, ndryshe nga ç’ishte thënë në një çast të parë, për lindjet e binjakëve apo birësimet e dy a më shumë fëmijëve, mund të bëhet kërkesë e do të jepet një çek për secilin fëmijë.

Kriteret

Çmimi për lindjet u jepet grave shtatzëna ose nënave që përmbushin kriteret që aktualisht merren në konsideratë për çekun e lindjes që jepet sipas ligjit të stabilitetit nr. 190/2014 (neni 1, paragrafi 125):
- kanë rezidencën në Itali;
- kanë shtetësinë italiane ose të një shteti të BE-së; shtetaset jokomunitare me statusin e refugjatit politik dhe të mbrojtjes plotësuese trajtohen si shtetase italiane;
- nëse janë qytetare jokomunitare, duhet të kenë leje qëndrimi BE për qëndrues afatgjatë ose një nga kartat e qëndrimit që u jepen familjarëve të qytetarëve të BE-së.

Kur paraqitet kërkesa

Kërkesa paraqitet pas mbushjes së muajit të shtatë të shtatzënisë e sidoqoftë, brenda  një viti nga çasti i lindjes apo i birësimit. Vetëm për lindjet e birësimet që janë bërë nga 1 janari 2017 deri më 4 maj 2017, afati njëvjeçar nis nga 4 maji, dita e parë e mundshme për paraqitjen e kërkesave pranë INPS-it.

Si aplikohet

Kërkesa paraqitet në tre mënyra:

- përmes portalit të INPS-it. Në faqen dedikuar Çmimit të lindjes, shtypni butonin “Accedi al servizio” e me kodin personal PIN hyni  në hapësirën private e plotësohet formulari i kërkesës;
- përmes  Contact Center në numrin e gjelbër 803.164 nga rrjeti fiks ose 06.164.164 nga celularët;
- përmes patronateve nëpërmjet shërbimeve telematike që ato ofrojnë.

Dokumentacioni që paraqitet

Kur kërkesa bëhet në shtatzëni  duhet paraqitur një certifikatë mjekësore ose vetëm numri i protokollit telematik të certifikatës së lëshuar nga mjeku i SSN apo një mjek i konvencionuar me ASL-in.

Në kërkesë vetëdeklarohen të gjitha kriteret e tjera që japin të drejtën e përfitimit të çekut:

Leja e qëndrimitShtetaset jokomunitare me dokument qëndrimi të vlefshëm për të marrë çekun, pra që kanë kartën e qëndrimit, apo me statusin e refugjatit politik dhe të mbrojtjes plotësuese, vetëdeklarojnë zotërimin e dokumentit dhe shënojnë në kërkesë numrin, autoritetin që e ka lëshuar datën e lëshimit dhe të skadimit;

Kur fëmija ka lindur tashmë – Nëna duhet të vetëcertifikojë në kërkesë datën e lindjes, gjeneralitetet e fëmijës, kodin fiskal. Në rast se ka lindur më shumë se  një fëmijë duhet ta shënojë pasi për secilin prej fëmijëve përfiton 800 €;

Birësim kombëtar – Për të dëshmuar datën e birësimit apo të dhënies në besim e hyrjen e të miturit në gjirin e familjes është e nevojshme të shënohen elementët e domosdoshëm për sigurimin e informacioneve apo të dhënave të pranishme në vendimin e birësimit/besimit të lëshuar nga autoriteti kompetent (lloji, numri, data e autoriteti që ka lëshuar vendimin). Mund të bashkangjitet edhe një kopje e digjitalizuar e vendimit;

Birësim ndërkombëtar – Për të dëshmuar datën e hyrjes në Itali, duhen shënuar,  në çastin e kërkesës, të gjithë elementët e domosdoshëm për sigurimin e informacioneve ose të dhënave të pranishme në autorizimin e hyrjes të të miturit në Itali të lëshuar nga Komisioni për Adoptimet Ndërkombëtare CAI (numri dhe data e autorizimit). Alternativa është të bashkangjitet një kopje e digjitalizuar e autorizimit apo e një vetëdeklarate zëvendësuese të autorizimit;

Data e hyrjes në familje – Për të dëshmuar datën e hyrjes në gjirin e familjes kërkohet të bashkangjitet kopje e digjitalizuar e certifikatës së entit të autorizuar të kujdeset për procedurën e adoptimit nga a cila të rezultojë data e hyrjes efektive në familje;

Birësim i bërë jashtë Italisë – Në çastin e paraqitjes së kërkesës duhen shënuar elementë të domosdoshëm për sigurimin e indormacioneve apo të dhënave të pranishme në dokumentin e transkriptimit në regjistrin e Gjendjes Civile të vendimit të adoptimit të njohur nga një shtet i huaj (lloji, numri, data dhe autoriteti) ose të bashkangjitet kopje e digjitalizuar e dokumentit të transkriptimit.

Si jepet shuma

Shuma është 800 € dhe mënyrat e parashikuara të pagesës janë:
- urdhërxhirim pranë një zyre postare;
- akreditim i shumës në një llogari rrjedhëse bankare;
- akreditim i shumës në një llogari rrjedhëse postare;
- librezë postare;
- kartë e parapaguar me IBAN.

Për të gjitha tipet e pagesës, përjashtuar atë përmes një urdhërxhirimi pranë një zyre postare, kërkohet që të jepet një IBAN.

Duhet mbajtur parasysh që nga çasti i paraqitjes së kërkesës deri në çastin e marrjes së parave mund të kalojnë deri 3 muaj: 60 ditë për përpunimin e praktikës e 30 ditë për lëshimin e çekut.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)