Falja e kamatvonesave për të vetëpunësuarit në bujqësi. Përfitojnë edhe emigrantët - Shqiptari i Italisë

Udhëzues
Nga ligji i saposhpallur “Për faljen e kamatvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi”, mund të përfitojmë edhe emigrantët. Ja se si

Mes shqiptarëve në emigracion, një pjesë e mirë është nisur nga zonat rurale, ku në kushtet e vështira me të cilat u përball fshati pas 1990-tës, nuk mund të përballohej jetesa. Në kushtet e trashëguara të një sistemi të centralizuar të sigurimeve shoqërore në bujqësi, që kishte në themel kooperativat bujqësore dhe ndërmarrjet bujqësore, u ndërtua një sistem i ri, bazuar në pronën private të fermerëve të marrë me Ligjin nr. 7501, të 19 korrikut 1991, duke pasur në konsideratë dhe lehtësitë e nevojshme që i duheshin bërë kësaj popullsie, e cila në ato kushte, nuk prodhonte as për nevojat e veta më elementare.

Duke qenë se një pjesë e mirë e emigrantëve kanë punuar në kooperativat bujqësore, apo ndërrmarjet bujqësore, kanë një vjetërsi kontributive, e cila është konsideruar e vlefshme për përfitimet që ofron legjislacioni i sigurimeve shoqërore. Sigurisht ka dhe shumë emigrantë që kanë emigruar duke qenë të siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, bazuar në Ligjin nr. 7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Një ligj i saposhpallur “Për faljen e kamatvonesave të papaguara të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi”, siç e thotë edhe në titull, fal kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi, me kusht që detyrimet për kontributet të arkëtohen brenda datës 31.12.2014.

Nga ky ligj përfitojmë edhe emigrantët, pavarësisht se nuk janë të pranishëm në Shqipëri dhe në rrethin ku kanë tokat në pronësi apo në përdorim.

Në këto kushte, favori që u bëhet fermerëve është i konsiderueshëm, duke gjykuar nga fakti që sigurojnë periudha të shkuara me të njëjtat masa kontributesh që kanë qenë në vitet përkatëse. Kjo do të thotë që fermeri mund të sigurojë periudha të mëparshme, të pambuluara me sigurime shoqërore që nisin nga 1.10.1993, datë kur ka filluar funksionimi i ligjit nr. 7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me ato shuma kontributesh të miratuara në vitet përkatëse, të cilat janë vërtet simbolike. Mjafton të përmendim faktin se për 8 vitet e para me radhë (1994-2001), do të sigurohen me një vlerë kontributesh vjetore për vetëm 972 lekë në zonat malore dhe 1.620 në zonat fushore. Ky favorizim që i bëhet femerëve, diktohet nga gjendja ende e pakonsoliduar e ekonomive bujqësore dhe nga nevoja për rritjen e mëtejshme të kontribuesve në fshat, si dhe sensibilizimin e fermerëve për t’u siguruar.

Përfitimi nga sigurimi i fermerëve bëhet më konkret, sipas çka thuhet në nenin 96 të ligjit nr.7703 datë 11.05.1993, të ndryshuar: “Personat, që krahas periudhës së sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, kanë dhe jo më pak se gjysmën e periudhës së sigurimit, që kërkohet në vitin përkatës, sipas nenit 92 të këtij ligji, në marrëdhënie pune me shtetin, përfitojnë pension pleqërie sipas dispozitave të këtij ligji, ndërsa pension invaliditeti e pension familjar përfitojnë kur kanë jo më pak se gjysmën e periudhës së sigurimit që parashikojnë, respektivisht, nenet 35 e 40 të këtij ligj”.

Në këto kushte, fermeri me 50% të vjetërsisë së nevojshme, përfiton pension ashtu sikurse kontribuesit në qytet. Po kështu fermerët që nuk e plotesojne ½ e vjetërsinë në punë, si të vetëpunësuar në bujqësi (këtu përfshihet dhe vjetërsia në punë që mund të kenë në ish ndërmarrjet bujqësore dhe shërbimi ushtarak), përfitojnë një pension të ndërmjetëm, dhe pensioni i lidhur si pension kooperative bujqësore, rritet me 1 përqind për çdo vit të siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi.

Si vepron ky ligj për emigrantët?

Emigrimi i shqiptarëve është bërë në flukse të vazhdueshme, duke filluar nga viti 1990 e deri më sot vetëm në Itali numërohen mbi 500 mijë shqiptarë me qëndrim të rregullt. Fluksi i emigracionit në Itali, ka ardhur duke u rritur sidomos pas vitit 1997, ku pa dyshim ndikuan dhe humbjet e mëdha në firmat piramidale.

Një pjesë e madhe e emigrantëve ka një historik kontributiv në Shqipëri. Por duhet të kemi parasysh se rreth 50% e qytetarëve në emigracion, janë nga zonat rurale, të cilët kanë pasur tokë në pronësi apo në përdorim. Në kushte të tilla ky kontigjent që trajtohej sipas ligjit nr. 7703/1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, si të vetëpunësuar në bujqësi, ishin të detyruar të siguroheshin dhe të paguanin kontribute, sipas shumave të miratuara me Vendime të Këshillit të Ministrave, në vitet respektive. Një pjesë e tyre është siguruar dhe ka paguar kontribute për vite të caktuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme, i ka të pambuluara vitet që ka banuar në fshat, ku ka kryer aktivitet bujqësor apo blegtoral.

Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë?

Për ta pasur më të qartë këtë problem dhe për të përcaktuar sa më drejt personat që mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi, në VKM nr. 1114 date 30.07.2008, të ndryshuar, janë përcaktuar kriteret për t’u siguruar si i vetëpunësuar në bujqësi, të cilat personi duhet:

të ketë mbushur moshën 16 vjeç
te ketë aktivitet bujqësor dhe blegtoral
të ketë tokë në pronësi ose të marrë me qira apo të tjetërsuar në favor të tij
të ketë qendrën e banimit në të njëjtin rreth ku ushtron aktivitetin bujqësor
të mos jetë i siguruar në skema të tjera të sigurimit shoqëror.

Në këtë kuadër, në kushtet e faljes së kamatvonesave dhe gjobave për kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara, i lind e drejta edhe çdo emigranti, i cili ka qenë mbi 16 vjeç, që nuk ka paguar sigurime shoqërore dhe shëndetsore, për periudhën që ka banuar në të njëjtin rreth ku ka patur tokën në pronësi apo në përdorim dhe ka zhvilluar aktivitet bujqësor apo blegtoral.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, që përfshihen në zonat malore, janë ata qytetarë që kanë ushtruar veprimtari bujqësore apo blegtorale në rrethet, Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.

Po të marrim në mënyrë hipotetike që një emigrant ka emigruar në vitin 2003, dhe para këtij viti, ka plotësuar kushtet e mësipërme, në rast se ka qenë në zonat malore, do të paguajë nga 1.10.1993 e deri më 31.12.1999, gjithej 10.359 lekë, (243 +972 + 972+ 972 +972 + 972 + 972 + 972 + 972 + 2.340 ) dhe në zonat fushore 17.253 lekë (405 + 1.620 +1.620 + 1.620 +1.620 + 1.620 + 1.620 + 1.620 + 3.888 ), duke mbuluar me sigurime shoqërore gjithsej 9 vite e 3 muaj.

Kjo falje sigurisht u shërben edhe emigrantëve të kthyer, të cilët kanë pasur ose kanë veprimtari bujqësore ose blegtorale.

Në rast se emigrantët nuk kanë mundësi për t’u kthyer, për proçedurat përkatëse, mund të prokurojnë një person tjetër, i cili të veprojë në emër të tij, për të kryer të gjitha procedurat që parashikon legjislacioni përkatës. Është lehtësues fakti që në çdo komunë gjendet inspektori i sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit në bujqësi, pranë të cilit çdo emigrant mund të marrë informacionin e nevojshëm për periudhën e siguruar dhe për periudhën që rezulton debitor

Deri në ç’datë është afati për të paguar?

Theksojmë se kusht ligjor për faljen e kamatvonesave dhe gjobave, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore të papaguara, është pagesa e tyre brenda datës 31.12.2014.

Çdo pagesë pas kësaj date, përveç shumës së kontributeve të papaguara, i nënshtrohet dhe pagesës së kamatvonesave dhe gjobave, në vartësi të periudhës që nuk është paguar.

Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania