Flukset e sezonalëve, nis përpilimi i kërkesave - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Gjithçka bëhet on-line, personalisht apo me ndihmën e shoqatave
Coldiretti: “Menjëherë dekreti në Gazetën Zyrtare”

Romë, 8 mars 2011 – Gjithçka është gati për ardhjen në Itali të 60mijë punonjësve sezonalë jokomunitarë. Ende pritet botimi i dekretit të flukseve të flukseve në Gazetën Zyrtare, por ndërkohë punëdhënësit mund të përgatisin kërkesat, vetë apo me ndihmën e konsulentëve të punës, patronateve dhe shoqatave të kategorisë.

Kush do të bëjë gjithçka vetë ka nevojë për një kompjuter me lidhje interneti. Pasi të regjistrohet në sitin e ministrisë së brendshme (këtu), do të mund të hyjë në zonën e rezervuar dhe të shtypë në butonin “richiesta moduli” për të nisur përpilimin. Moduli i nevojshëm quhet “Richiesta di nulla osta al lavoro subordinato stagionale - Modulo C”.

Gjithçka bëhet on-line dhe, ndryshe nga flukset për punonjësit jo sezonalë, nuk është e nevojshme të shkarkohet ndonjë program. Pasi përpilohen të gjitha hapësirat e modulit, nuk mbetet tjetër veçse të pritet botimi i dekretit të flukseve. Në çast mund të kthehet në sitin e ministrisë, të hyjë në zonën e rezervuar dhe të nisë kërkesën.

Coldiretti: “Tani dekreti në Gazetën Zyrtare”

Prej disa ditësh shoqatat e kategorisë kanë nisur përpilimin e kërkesave për anëtarët e tyre. “Gjithçka shkon mirë, dhe e vetmja gjë që urojmë është që dekreti të shpallet sa më shpejt në Gazetën Zyrtare, pse jo brenda mesit të muajit mars. Vetëm kështu punonjësit do të mund të arrijnë në kohë në Itali për vjeljet e para, siç është rasti i luleshtrydheve në Verona” thotë Romano Magrini, përgjegjës për politikat e punës në Coldiretti.

Këtë vit, për herë të parë, mund të kërkohet një autorizim shumëvjeçar. “Pasojat do të ndihen nga viti 2012, kur këta punonjës do të mund të hyjnë në Itali pa pritur një dekret fluksesh. Por risia është shumë e rëndësishme, sepse do të thjeshtojë mjaft hyrjet për punonjësit sezonalë, që në shumicën e rasteve janë të njëjtët nga një vit në tjetrin” thotë Magrini.

Ndonjë komplikim më shumë mund të arrijë me kundërmasat e adoptuara për të luftuar kërkesat e rreme. Mes këtyre, detyrimi për punëdhënësin të paraqitet pranë Sportelit Unik bashkë me punonjësin për të nënshkruar kontratën e qëndrimit.
“Qëllimi është i mirë, por sigurisht është një barrë më shumë për Sportelet Unike. Do të ishte më mirë – propozon drejtuesi i Coldiretti-t – që kjo fazë të administrohet nga shoqatat e kategorisë, që mund të garantojnë që marrëdhënia e punës është e rregullt”.