Kontratat e qiradhënies/2 - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Kontratat e qirasë me marrëveshje

Për nevoja të veçanta të puqjes së kërkesave  me ofertat, në Komunat me dendësi të madhe banimi, parashikohet mundësia e lidhjes së kontratave të ashtuquajtura me marrëveshje (Contratto d’affitto a canone concordato). Për këto lloj kontratash parashikohen lehtësime fiskale dhe qiraja është më e ulët se ato të tregut. Ajo luhatet nga një minimum në një maksimum të vendosur nga marrëveshje të posaçme mes shoqatave të pronarëve dhe qiraxhinjve (ose Universiteteve dhe shoqatave të studentëve).

Kontratat me marrëveshje janë tre llojesh:
Kontrata 3+2;
Kontrata kalimtare;
Kontrata për studentët.
Tre llojet e kontratave mund të hartohen vetëm duke përdorur modularët e posaçëm të bashkëngjitur në Dekretin e Ministrisë dhe në Komunat ku nuk janë lidhur marrëveshje, mund të merren si referim marrëveshjet e nënshkruara nga Komunat që kanë të njëjtën dendësi popullate.
Gjithsesi është e mundur të kihet asistenca e shoqatave në mbrojtje të qiramarrësve dhe të pronarëve, të pranishme në të gjithë territorin kombëtar.

Kontratat e qirasë 3+2
Kontrata 3+2, që quhet edhe me qira me marrëveshje ose me ulje, dallohet nga kontrata e zakonshme e qirasë për kohëzgjatjen, e cila është më e shkurtër se ajo e parashikuar për kontratat e lira të qirasë (4+4).
Kontrata ka një afat minimal prej tre vjetësh dhe përtërihet për dy vjet të tjerë.
Parashikohen lehtësime fiskale për pronarin si për sa i përket taksës së regjistrimit (ka një ulje prej 30%), kur bën deklarimin e të ardhurave, ashtu dhe një ulje mbi taksën komunale mbi godinat (ICI).
Qiramarrësi ka përfitimin se paguan një qira më të ulët; edhe ai ka lehtësime fiskale nëse të ardhurat e tij janë nën një shumë të përcaktuar (rreth 31.000,000) dhe nëse shtëpia më qira është banesa e tij kryesore.
Rregullat për përdorimin e banesës dhe detyrimet shtesë për këtë lloj qiradhënieje, janë po ato të kontratës së lirë të qirasë.
Pronari ka të drejtën të anulojë kontratën në rast se banesën do ta përdorë për vete apo për të afërmit, nëse do të bëjë rregullime përmirësuese ose do ta shesë atë. Në këto raste kontrata mund të anulohet në çdo çast, duke ia komunikuar me një letër të porositur qiramarrësit. Në rast se brenda 12 muajsh ai nuk bën me banesën atë që ka deklaruar, qiramarrësi ka të drejtë të futet sërish në këtë banesë ose të dëmshpërblehet me një shumë sa 36 qira mujore.
Ndërsa në përfundim të zgjatjes dy-vjeçare, pronari mund të japë anulimin me letër të porositur, të paktën gjashtë muaj përpara skadimit.
Në mungesë të këtij anulimi, kontrata konsiderohet e përtëritur në heshtje më të njëjtat kushte. Ndërsa qiramarrësi mund ta ndërpresë marrëdhënien për arsye të justifikuara në çdo çast, duke paralajmëruar të paktën 6 muaj më parë.

Kontrata kalimtare të qirasë
Kontratat me natyrë kalimtare mund të kenë një kohëzgjatje nga1 deri në 18 muaj e detyrimisht duhet të jenë të lidhura me nevoja të përkohshme të pronarit ose qiramarrësit.
Në kontrata duhet përcaktuar nevoja e përkohshme dhe ajo duhet dëshmuar me dokumente që i bashkëngjiten kontratës.
Në kontratë mund të parashikohet që në kohën e skadimit (për shembull pas 5 muajsh) marrëveshja të prishet. Nëse në kontratë nuk përfshihet një klauzolë e tillë dhe nevoja e përkohshmërisë është e pronarit, përpara skadimit të kontratës ky i fundit duhet të dërgojë një letër të porositur në të cilën të konfirmojë nevojën e tij. Në rast të kundërt, ose gjithsesi nëse nevoja e përkohshmërisë nuk ekziston më, kontrata kthehet në një kontratë normale “4+4”. Për këtë lloj kontrate nuk parashikohet asnjë lehtësim fiskal.

Kontratat e qirasë për studentët
Kontratat e qirasë për studentët janë për studentët e universiteteve që ndodhen jashtë komunës së tyre. Kohëzgjatja e këtyre kontratave shkon nga minimumi gjashtë muaj në maksimumi tre vjet (që përtërihen në skadimin e afatit të parë në rast se nuk anulohen).
Mund të firmosen nga persona të veçantë, grupe studentësh ose drejtpërdrejt nga ndërmarrje për të drejtat e studimit.
Qiraja është e vendosur nga marrëveshja territoriale mes organizatave të sindikatave, Universitetit dhe shoqatave të studentëve. Nëse kontrata e qirasë është lidhur nga larg (me telefon, internet etj.) ka mundësi të zbatohet e drejta e heqjes dorë nga kontrata, gjë e parashikuar nga kodi i konsumit që e njeh të drejtën e “ndërrimit të mendjes” brenda 10 ditësh pune nga data e nënshkrimit, përmes një letre të porositur me lajmërim marrjeje (raccomandata a/r). Për këto lloje kontratash parashikohen lehtësime në taksa për pronarin. Ulje prej 30% të taksave të regjistrimit dhe një ulje prej 30% në kuadrin e deklarimit të të ardhurave.

Lexo edhe: Kontrata e lirë e qirasë