Mbrojtësi qytetar krah qytetarëve - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Ç'është figuar e Mbrojtësit Qytetar? Për çfarë dhe si mund t'i drejtohemi atij?

Kushtetuta italiane parashikon që zyrat shtetërore duhet të funksionojnë në mënyrë që të sigurojnë mbarëvajtjen, mirëfunksionimin dhe paanësinë e administratës.
Në të vërtetë shpesh kjo nuk ndodh dhe qytetari që i drejtohet ndonjë zyre shtetërore për të paraqitur ndonjë kërkesë, për të kërkuar ndonjë certifikatë, apo për shërbime, ka vështirësi e bile ndonjëherë pëson edhe padrejtësi.
Për këtë arsye dhe për të siguruar respektimin e parimeve kushtetuese, prej rreth dhjetë vjetësh është krijuar figura e Mbrojtësit Qytetar (difensore civico), por sot kjo figurë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.
Sot në shumë krahina, provinca dhe Komuna janë të pranishëm Mbrojtësit Qytetarë.
Në statutet e krahinave, provincave dhe komunave parashikohen mënyra e zgjedhjes së tyre, kohëzgjatja e mandatit dhe detyrat e tij.
Është pra e këshillueshme që të verifikoni se cilat janë fuqitë e Mbrojtësit Qytetar në Komunën, provincën apo Rajonin tuaj.

Kush është Mbrojtësi Qytetar
Mbrojtësi Qytetar nuk është as avokat, as hetues, as politika, por një qytatar specialist në fushën legale dhe fiskale, i cili vihet mes qytetarit dhe administratës shtetërore për të zgjidhur një problem ose për të evituar një shërbim të gabuar, duke vepruar në territor në çdo nivel, si komunal, ashtu dhe provincial dhe rajonal. Ai nuk është gjykatës dhe nuk nxjerr sentenca, gjithashtu nuk mund të vërë gjoba.
Detyra e tij është eliminimi i abuzimeve, vonesave, gabimeve në shërbime ose diskriminimeve, që mund të prekin një qytetar në zyrat e Administratës Shtetërore (Komuna, Asl, Komisariate Policie etj etj) për të evituar ankesa të mundshme pranë gjykatës.
Mund të kërkojë informacione mbi ecurinë e praktikës, por edhe mund të nxisë zyrat shtetërore që të marrin masa më të frytshme për qytetarët.

Ai ka të drejtë:
- të kërkojë dhe të marrë lajme me shpejtësinë maksimale të mundshme;
- të shohë dokumente, për një këshillim të drejtpërdrejtë dhe të bëjë kopje të tyre pa shpenzime nga ana e vet;
- të hyjë në struktura për të verifikuar rrethanat dhe kushtet edhe nëpërmjet mbledhjes së dëshmive.

Si t’i drejtohesh Mbrojtësit Qytetar
Qytetarët që duan të kërkojnë konsulencën e Mbrojtësit Qytetar duhet t’i drejtohen komunës së tyre, ose provincës apo Rajonit për të pyetur se ku ndodhet Mbrojtësi Qytetar.
Në të vërtetë kompetenca përcaktohet nga lloji i problemit që qytetari dëshëron të zgjidhë.
Nëse është fjala për një abusi ose për një shërbim të dobët nga ana e një zyre që ka të bëjë me Komunën, duhet t’i drejtohet Komunës, si për shembull në rastin e lehtësimit nga pagesa e ICI (Taksa Komunale mbi Ndërtesat).

Për të marrë informacione, për të paraqitur një ankesë ose një kërkesë, ose thjesht për të marrë një takim zakonisht mund:
- t’i shkruani një letër në adresën e zyrës
- t’i telefononi në numrin përkatës
- t’i dërgoni një faks.
Shpesh, nëse ekziston një sit Interneti është e mundur të dërgohet një sinjalizim nëpërmjet e-mail-it, duke mbushur një modular të caktuar.

Është gjithnjë e rëndësishme të specifikohet emri, mbiemri, adresa dhe numri i telefonit për t’i dhënë  mundësi zyrës që të lidhet më pas për t’ju dhënë përgjigje ose për ndonjë sqarim.
Shërbimi i konsulencës së Mbrojtësi Qytetar është krejtësisht falas për qytetarët, por ai nuk mund të ndërhyjë në çështje private, si për shembull në probleme të administrimit të pallatit (condominio) ose në gjyqe.
Pasi Mbrojtësi Qytetar njihet me problemin, ai bën verifikime dhe shqyrtime pranë zyrave shtetërore përkatëse. Nëse konstaton mungesa, abusi detyre ose shërbim të dobët, i kërkon përgjegjësit të zyrës që ta marrë një masë në favor të qytetarit. Në rast se përgjegjësi i zyrës kundërshton, Mbrojtësi Qytetar e detyron që refuzimin ta japë më shkrim.
Me këtë refuzim më shkrim qytetari mund të paraqesë ankesë në Gjykatë për të kërkuar që t’i njihen të drejtat e veta.

Mbrojtësi Qytetar, përveç se është një lloj ndërmjetësi në raste të veçanta, mund të bëjë shqyrtime, të flasë me kuadrot për të verifikuar respektimin e mbarëvajtjes dhe të efikasitetit të një zyre shtetërore.
Shpesh janë shoqatat e qytetarëve që i paraqesin Mbrojtësit Qytetar raste vonesash ose abuzimesh nga ana e disa zyrave.