Me Alitalia-n duhet udhëtuar ‘lehtë’ - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Në udhëtimet për dhe nga Rinasi me një avion të linjës ajrore Alitalia, duhet mbajtur parasysh që në biletën e udhëtimit në klasën ekonomike përfshihet një sasi e kufizuar bagazhesh, qoftë si peshë e qoftë si sasi valixhesh

Nëse përgatiteni të udhëtoni me kompaninë ajrore Alitalia, pajisuni me vizore dhe me peshore sa më të sakta. Që nga 1 shtatori 2010 ka ndryshuar rregullorja mbi peshën dhe permasat e bagazheve që çdo pasagjer mund të transportojë të përfshirë në çmimin e biletës.

Natyrisht këto ndryshime nuk janë reklamuar, por zënë vend me germa mikroskopike në një cep të kontratës që shoqëron biletën. E bëni mirë ta lexoni.

Sipas rregullave të reja mund të bagagli alitaliamerret vetëm një bagazh dore me peshë deri në 8 kg që, duke përfshirë dorezat, xhepat anësorë dhe rrotat, të respektojë përmasat 55x25x35 cm.

Vështirësia, që mund të kthehet në një ushtrim jo të lehtë matematikor, qëndron tek pesha që çdo udhëtar ka të drejtë të transportojë në stivën e avionit pa paguar shuma shtesë. Në një udhëtim nga ose drejt Shqipërisë lejohet vetëm një valixhe me peshë maksimale prej 23 kg. Në rast kapërcimi të këtij kufiri, nuk paguhen kilogramët në tepri, por një shifër fikse: 100 euro nëse pesha kapërcehet qoftë edhe me vetëm gjysmë kg. Por edhe nëse bagazhi juaj nuk i kalon 23 kg e lejuar por është i sistemuar në dy valixhe, përsëri keni hedhur një hap të gabuar. Edhe pse jeni brenda peshës së lejuar, për valixhen e dytë duhen paguar 55 euro, ndërsa për të tretën 200.

Por nuk “ndëshkohen” vetëm ata që marrin me vete bagazhe të rënda apo disa valixhe të vogla, por edhe ata që bagazhet i kanë voluminoze. Valixhet duhet të jkenë përmasa të tilla në mënyrë që shuma e tre përmasave (gjatësi + gjerësi + lartësi) të mos kapërcejë 158 centimetrat. Nëse përmasat e valixhes i kapërcejnë 158 cm, kompanisë i duhet paguar një shumë prej 70 eurosh. Dhe sidoqoftë duhet mbajtur parasysh që maksimumi i mundshëm i shumës së përmasave të valixhes nuk duhet të kapërcejë 203 cm, në të kundërt nuk do të mund ta merrni me vete.

E të gjitha këto pagesa nuk bëhen në pikat e check-in, por në sportelet ku prihen biletat ajrore të Alitalia-s, që shpesh në aeroportet e mëdha ndodhen në distanca të konsiderueshme.

Slogani i kompanisë Alitalia është “Duam t’ju mbajmë në lëvizje”. Me rregulloren e re për bagazhet synohet të mbahet në lëvizje trupi, truri dhe portofoli i pasagjerëve.

Irida Cami