Në Shengen pa viza. Çfarë duhet pasur parasysh para se të nisesh - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Çfarë rregullash parashikon lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në Shengen

Romë, 18 dhjetor 2015 – Nuk ka shqiptar që të mos e dijë që prej 5 vjetësh, nuk i nevojitet vizë për të shkuar në një vend të Shengenit. Por pyetjet e shpeshta që vijnë në redaksi, dhe rastet e kthimit të shqiptarëve në kufi për mosrespektim të rregullave, na shtyjnë të kujtojmë të gjitha rregullat që duhen respektuar në mënyrë që udhëtimi të mos ketë surpriza të hidhura.

Para së gjithash është mirë të dihet se vendet që bëjnë pjesë në hapësirën Shengen janë: Austri, Finlandë, Letoni, Portugali, Belgjikë, Francë, Lituani, Gjermani, Luksemburg, Sllovaki, Greqi, Maltë, Slloveni, Republika Çeke, Hungari, Holandë, Spanjë, Danimarkë, Islandë, Norvegji, Suedi, Estoni, Itali, Poloni, Zvicër, Lihtenshtajn.

Liberalizimi i vizave do të thotë që shtetasit shqiptarë mund të qëndrojnë në zonën Shengen deri në 90 ditë në 6 muaj. Do të thotë se sa herë bëhen udhëtime të shkurtra, duhet llogaritur që në gjashtë muaj kohë, të gjitha udhëtimet në Shengen të marra së bashku të mos zgjasin më shumë se 90 ditë.

Lëvizja pa viza u lejon shqiptarëve të shkojnë në Shengen për turizëm, për të takuar të afërm, për një kurs të shkurtër apo për të bërë një vizitë mjekësore, por në asnjë mënyrë për të punuar. Gjithashtu, të qenit në Itali, për shembull, pa vizë nuk lejon në asnjë mënyrë marrjen e një lejeqëndrimi, me përjashtim të rasteve të rralla kur mund të fitohet një lejeqëndrim për shtatzëni apo nëse bëhet kohezion familjar me dikë që jeton në Itali (që duhet të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara për bashkimin familjar).

Për të udhëtuar në Shengen duhen pasur me vete, veç pasaportës biometrike, edhe disa dokumente të tjera.

Më në hollësi, në çdo pikë kufitare të Italisë, kanë të drejtën të kërkojnë – e tani po e bëjnë rregullisht - veç pasaportës biometrike edhe:

  • Biletën e kthimit;
  • Sigurimin shëndetësor (që të mbulojë udhëtimin dhe periudhën e qëndrimit);
  • Shumë të mjaftueshme parash për qëndrimin në Itali (rreth 50 euro në ditë) Për të parë shumat e sakta të nevojshme për të qëndruar në Itali mund të konsultoni këtë tabelë të ministrisë së Jashtme italiane;
  • Kur deklaron se udhëton për vizitë tek një i afërm, italian apo i huaj rezident në Itali, duhet paraqitur deklarata e mikpritjes (dichiarazione di ospitalità) e personit që jeton këtu bashkë me fotokopjen e dokumentit të tij të identitetit.
  • Kur deklaron në kufi se po udhëton për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, duhet të paraqitet një rezervim hoteli.
  • Kur deklaron se udhëton për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin, për të cilin personi është ftuar.
  • Kur deklaron se udhëton për arsye shëndetësore, paraqitet konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet apo rekomandimi nga institucioni shëndetësor shqiptar (rastet e kryerjes së analizave etj.).
  • Nëse udhëton drejt zonës Shengen me automjet duhet të pajisesh me patentë ndërkombëtare drejtimi dhe me kartonin jeshil të sigurimit ndërkombëtar të makinave.
Mund të të interesojë edhe:
Ftesa për turizëm ose deklarata e mikpritjes. Çfarë është e si bëhet?
Sa kohë duhet kaluar në Shqipëri nga një udhëtim Schengen në tjetrin për turizëm?
Në Itali për turizëm, mund të kërkoj lejeqëndrim për motive pune?
Kam ardhur në Itali me pasaportën biometrike. Si të marr lejen e qëndrimit?
Jetoj në Itali e më ka ardhur gruaja për pushime. A mund ta mbaj këtu?