Pasaportat biometrike shqiptare, si aplikohet në Romë – Udhëzues i përditësuar - Shqiptari i Italisë

Udhëzues
Ç’dokumente nevojiten, si paguhet e si tërhiqen pasaportat pranë Zyrës konsullore në Ambasadën e Shqipërisë në Romë

Pasaporta biometrike, dokumenti shqiptar i vlefshëm për të udhëtuar jashtë shtetit, dhe letërnjoftimi elektronik, dokumenti i identifikimit, merren edhe në disa përfaqësi konsullore shqiptare, përfshirë ato në Romë e Milano, pa qenë e nevojshme që i interesuari të shkojë në Shqipëri. Një shërbim i nevojshëm për mëse gjysmë milion shqiptarët që jetojnë këtu, por që e paguajnë shtrenjtë. Nëse në vendlindje pasaporta kushton 7.500 lekë, në konsullata kushton tashmë 130 euro. Ndërsa për letërnjoftimin elektronik çmimi është pak a shumë i njëjtë: në konsullatë paguhet 12 euro ndërsa në Shqipëri 1.500 lekë.

Pasaporta lëshohet vetëm nëse qytetari është i regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile në Shqipëri.

Aplikimi për pasaportat në Romë

Në Romë aplikohet për pasaportë pranë zyrës konsullore të Ambasadës së Shqipërisë në Itali, që ndodhet në rrugën Asmara 3, nga e hëna në të premte me orarin 9:00-14:00.

Kush aplikon

Shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe nuk kanë letërnjoftimin elektronik, duhet të aplikojnë njëkohësisht për letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike. Kush është pajisur më parë me letërnjoftimin elektronik, duhet ta marrë atë me vete në zyrën konsullore kur të shkojë për të aplikuar për pasaportën.

Të miturit shqiptarë me moshë deri në 16 vjeç, kanë të drejtë të aplikojnë vetëm për pasaportën biometrike, të shoqëruar nga të dy prindërit, duke paraqitur një dokument me të cilin të tregohet lidhja familjare e prindërve me të miturin, një certifikatë familjare. E bën edhe në prani të njërit prind që shoqëron fëmijën, por  gjithnjë me të dyja pasaportat e prindërve dhe me një dokument që dëshmon lidhjen familjare me fëmijën. Certifikatat mund të jenë italiane ose shqiptare.

Pasaporta biometrike ka kohëzgjatje dhjetëvjeçare për ata që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe vetëm pesë vjet për të miturit nën 16 vjeç.

Ç’dokumente duhen paraqitur

Për të aplikuar për dokumentet biometrike, i interesuari duhet të paraqitet personalisht tek personeli i Ambasadës me një dokument identifikimi të vlefshëm shqiptar nga të mëposhtmit:

  • Pasaportë
  • Leje për drejtim automjeti
  • Letërnjoftim elektronik (nëse e ka)
  • Dokument tjetër të vlefshëm me fotografi

Gjithashtu mund të pranohen për aplikim edhe dokumentet italiane të mëposhtme:

  • Dokument qëndrimi (leje ose kartë qëndrimi)
  • Kartë identiteti

Veç këtyre dokumenteve i interesuari duhet të ketë me vete edhe mandate-pagesën që dëshmon derdhjen e shumës së parave në llogarinë bankare të dedikuar këtij shërbimi me koordinata:

IBAN: IT 89 D 02008 05219 000102714781

Tërheqja e dokumenteve biometrike

Dokumentet biometrike mund të tërhiqen pas tre javësh nga data e paraqitjes së kërkesës. Më parë, është mirë të konsultohet profili zyrtar Facebook i Ambasadës së Shqipërisë në Romë, në të cilin periodikisht jepen informacione mbi dokumentet e prodhuara sipas datave të aplikimit.

Tërheqja e dokumenteve bëhet duke paraqitur kuponin e aplikimit dhe një dokument identifikimi, çdo ditë nga e hëna në të premte, orari 13.00 - 14.00.

Letërnjoftimi elektronik mund të tërhiqet pranë Zyrës Konsullore vetëm personalisht nga aplikanti që duhet të japë shenjën e gishtit për ta aktivizuar dokumentin.

Pasaporta, tërhiqet personalisht, apo nga kujdestari ligjor për shtetasit nën 16 vjeç ose nga persona të autorizuar me prokurë të posaçme si dhe pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija) me certifikatën familjare me vete.

Rastet kur aplikohet për herë të dytë

Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të riaplikojë për dokumentet biometrike në rastet e mëposhtme:

·      Humbje/vjedhje e dokumentit biometrik - Në këtë rast qytetari duhet të paraqitet me mandat-pagesën, një dokument identifikimi dhe me denoncimin e bërë pranë kuesturës/policisë, i cili duhet të jetë i legalizuar me vulë APOSTILLE dhe i përkthyer (përkthim i betuar) në gjuhën shqipe;

·      Dëmtim i dokumentit biometrik - Qytetari duhet të paraqitet me mandat-pagesën, një dokument identifikimi dhe me dokumentin biometrik të dëmtuar, i cili dorëzohet në zyrën konsullore me procesverbal.

·      Ndryshime në të dhënat e gjendjes civile të shtetasit - Në këtë rast, qytetari paraqitet me mandat-pagesën, dokumentin e identifikimit dhe dokumentin që vërteton ndryshimin e të dhënave të gjendjes civile.

Lexo edhe:
Certifikatat e Gjendjes Civile në Konsullata, ja si merren
Pasaportat biometrike shqiptare, si aplikohet në Milano – udhëzues i përditësuar

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)