Rehabilitimi penal – Si pastrohet dosja penale? - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Shtetasi komunitar apo jokomunitar që është dënuar sipas një vendimi penal përfundimtar ka të drejtë të kërkojë rehabilitimin penal, pra fshirjen e veprës penale, sikur atë të mos e kishte kryer kurrë. Është e rëndësishme të kujtohet se shtetasi jokomunitar nuk mund të përtërijë lejeqëndrimin nëse ka dënime për disa nga veprat penale e parashikuara nga ligji mbi imigracionin. Pra për përtëritjen e lejeqëndrimit, është mirë të merret informacion mbi nevojën e kërkimit të rehabilitimit penal apo jo.

Në çdo Gjykatë ekziston një arkiv telematik ku futet çdo vendim i nxjerrë, si vendim dënimi ashtu dhe pafajësie, pas një gjyqi në të cilin dikush akuzohet për kryerjen e një vepre penale.
Kushdo që është dënuar mund të shkojë pranë Gjykatës dhe të kërkojë certifikatën e kartotekës gjyqësore (it. casellario giudiziale), që ka lidhje me arkivin telematik ku shënohen vera penale që mund të ketë kryer kërkuesi.

Rehabilitimi penal bën të mundur fshirjen e veprave penale, të cilat më pas nuk mbeten më në certifikatën e Kartotekës gjyqësore.
Për ligjin penal është pra e mundur të bëhet rehabilitimi vetëm nëse ai që është dënuar, me kalimin e kohës ka dëshmuar sjellje të mirë, pra nuk ka kryer vepra të tjera penale dhe se ka paguar shpenzimet me drejtësinë për sa i përket procesit penal ose ka shpërblyer dëmin e mundshëm.

Kushtet për të kërkuar rehabilitimin
Shtetasi komunitar apo jokomunitar mund të kërkojë rehabilitimin vetëm në prani të kushteve që vijojnë:
1)    Kanë kaluar 3 vjet nga fshirja e dënimit të parashikuar nga vendimi. Kush është dënuar duke u lehtësuar me pezullimin e dënimit, tre vjetët duhet të kalojnë nga data kur vendimi është bërë përfundimtar e pra kur nuk ka më mundësi për të paraqitur apel. Vetëm për ata që janë të dënuar për vepra penale të ndryshme disa herë, ligji parashikon që të mund të kërkojnë rehabilitimin vetëm pasi të kalojnë 8 ose 10 vjet sipas rasteve.
2)    Nuk duhet të këtë kryer më vepra penale.
3)    Duhet të këtë dëmshpërblyer palën tjetër, ose më saktë t’i ketë paguar asaj dëmet që i kanë ardhur nga vepra penale që i njihet të dënuarit. Vetëm nëse dëshmon se nuk ka mundësi ekonomike për të shlyer këtë pagesë, mund të kërkojë gjithsesi rehabilitimin.
4)    Duhet të ketë paguar shpenzimet e gjyqit.
5)    Nuk duhet t’i jetë nënshkruar masave të sigurisë.

Kërkesa
Kërkesa mund të paraqitet drejtpërdrejt nga vetë i interesuari ose nga Avokati i tij i besuar, në letër të thjeshtë. Ajo duhet dorëzuar në Gjykatën Penale të vendit ku është dhënë dënimi.
Nuk parashikohen shpenzime apo pulla fiskale sepse ligji italian parashikon që kjo procedurë nuk duhet paguar.

Bashkë me kërkesën duhen paraqitur këto dokumente:
1) Certifikatë banimi në letër të thjeshtë;
2) Ekstrakti i vendimit të dënimit më datën e kalimit në gjykim;
3) Certifikatë e vuajtjes së dënimit në rast burgimi;
4) Certifikatë që të vërtetojë pagesën e shpenzimeve të drejtësisë;
5) Prova e pagesës së dëmshpërblimit ndaj palës s dëmtuar ose deklaratë e kësaj pale se nuk pretendon asgjë.

Është mirë që në kërkesë të përmenden të dhëna ose të bashkëngjiten vërtetime mbi arsyen se pse kërkohet rehabilitimi, si për shembull për arsye pune apo për përtëritjen e lejeqëndrimit.

Procedura
Zyra e Gjykatës nis shqyrtimin e kërkesës dhe pas disa muajsh vendos një takim që i komunikohet kërkuesit. Në këtë takim është e nevojshme asistenca e një avokati të besuar ose atij të caktuar nga gjykata.
Zyra e Gjykatës vendos mbi rehabilitimin, dhe në rast pozitiv, kryen fshirjen e veprës penale nga arkivi telematik i Kartotekës Gjyqësore.
Pasi jepet, rehabilitimi mund të hiqet nëse qytetari kryen një vepër të re penale brenda shtatë vjetëve nga rehabilitimi, vepër penale për të cilën ligji parashikon një dënim jo më të ulët se dy vjet.

Është e rëndësishme të kujtohet se shtetasi jokomunitar nuk mund të përtërijë lejeqëndrimin nëse ka dënime për disa nga veprat penale e parashikuara nga ligji mbi imigracionin. Pra për përtëritjen e lejeqëndrimit, është mirë të merret informacion mbi nevojën e kërkimit të rehabilitimit penal apo jo.

Av. Mascia Salvatore