Sanatoria. Nga 8 shtatori mund të paguhen 1.000 eurot - Shqiptari i Italisë

Udhëzues
Para se të paraqesin kërkesën e legalizimit të marrëdhënies së punës me një të huaj, punëdhënësit duhet të paguajnë kontributin forfetar që, edhe në rast të hedhjes poshtë të kërkesës, nuk kthehet mbrapsht. Këtu gjeni modelin dhe udhëzimet për përpilimin

Romë, 10 shtator 2012 – Punëdhënësit që duan të legalizojnë marrëdhënien e punës me një të huaj duke paraqitur kërkesën nga 15 shtatori deri më 15 tetor, më parë duhet të paguajnë kontributin forfetar prej 1.000 eurosh për çdo punonjës. Pagesë që bëhet me një model “F24 Versamenti con elementi identificativi” pranë bankave të konvencionuara, zyrave postare apo pranë agjencive të mbledhjes së taksave (si Equitalia, për shembull).

Zyra e tatim taksave sqaron që në modelin F24, në seksionin “CONTRIBUENTE” do të shënohen të dhënat personale të punëdhënësit që kryen pagesën. Në seksionin "ERARIO ED ALTRO" duhet të përpilohet një rresht për çdo punonjës për të cilin kërkohet legalizimi.

Në fushën “tipo” duhet shkruar germa R, në fushën “elementi identificativi” shënohet numri i pasaportës apo i një tjetër dokumenti të barasvlefshëm i punonjësit (nëse ka më shumë se 17 germa e numra, shënohen vetëm 17 të parat). Në fushën “codice”, ai që punëson një bashkëpunëtor familjar duhet të shënojë kodin REDO (që korrespondon me Regolarizzazione Domestico), ndërsa ata që legalizojnë një marrëdhënie pune të varur (ndërmarrjet) duhet të shënojnë RESU (që korrespondon me Regolarizzazione Subordinato). Në fushën “anno di riferimento” shënohet viti 2012, ndërsa në “importo a debito versato” shënohet 1.000,00.

Është e udhës të mbahet parasysh se njëmijë eurot e paguara nuk kthehen mbrapsht nëse kërkesa e legalizimit hidhet poshtë. Ndaj para se të shkohet të paguhet është mirë të verifikohet nëse punëdhënësi e punonjësi përmbushin kriteret e kërkuara nga ligji për legalizimin. Për derdhjen e parave ka kohë deri më 15 tetor, mjaft që të bëhet para paraqitjes së kërkesës.

Shkarko:
‘F24 Con elementi identificativi’

Shembujt e përpilimit:
‘F24 Con elementi identificativi’ për legalizimin e bashkëpunëtorit familjar
‘F24 Con elementi identificativi’ për legalizimin e punonjësit të varur