Shtetësia italiane për martesë - Udhëzues i përditësuar - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Shtetësia për martesëKërkesa e shtetësisë italiane për martesë parashikohet nga neni 5 i ligjit nr. 91/92 mbi shtetësinë. Periudha pas të cilës mund të kërkohet shtetësia italiane për martesë me shtetas/e italian/e, ndryshon në bazë të vendit të rezidencës së çiftit e nëse ai ka fëmijë apo jo. Kështu, nëse bashkëshortët kanë rezidencën në Itali, shtetësia për martesë mund të kërkohet pas dy vjetëve rezidencë pas martese; nëse janë rezidentë jashtë Italisë duhet të kalojnë tre vjet nga data e martesës. Në rast se çifti ka lindur apo adoptuar fëmijë, periudhat e sipërpërmendura përgjysmohen.
Paraqitja e kërkesës

Nga 18 maji 2015 kërkesa paraqitet online përmes portalit të ministrisë së Brendshme Italiane duke përpiluar formularin A ose formularin AE (shtypni mbi formularë për të parë udhëzimet e ministrisë së Brendshme mbi përpilimin e tyre) dhe duke i bashkangjitur dokumentacionin e nevojshëm në format elektronik, pra të skanarizuar. Para se i interesuari të ulet para kompjuterit për të paraqitur kërkesën, duhet të ketë në dorë dokumentacionin e poshtërenditur:

  • Aktin e lindjes të legalizuar (me vulë apostile, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
  • Certifikatën e martesës të legalizuar (me vulë apostile, për shqiptarët) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje nëse martesa është bërë në atdhe, përndryshe nëse martesa është lidhur në Itali, nuk është e nevojshme certifikata pasi kjo gjë vetëdeklarohet;
  • Certifikatën penale nga vendlindja (dhe e vendeve të tjera të mundshme ku mund të ketë jetuar më parë i interesuari, Greqia për shembull, nëse ka qenë emigrant edhe atje) të legalizuar (vulë apostile, për dokumentet shqiptare) dhe me përkthim të legalizuar nga përfaqësia italiane në vendlindje;
  • Dokumentin e identitetit italian;
  • Lejen e qëndrimit;
  • Pasaportën e vlefshme;
  • Kuponin e derdhjes së kontributit prej 200 eurosh (këtu gjeni një facsimile);
  • Pullë-taksë prej 16,00 euro.

Në rast se dokumentacioni i bashkangjitur nuk është i mjaftueshëm, Prefektura ruan të drejtën të kërkojë integrimin e dokumentacionit brenda një periudhe të caktuar. Nëse i huaji nuk përmbush kërkesën e administratës, kërkesa konsiderohet e papranueshme.

Në bazë të dekretligjit nr. 5/2012 për thjeshtëzimin e zhvillimin, të gjitha dokumentet e tjera që më parë kërkoheshin (certifikata e çështjeve penale të hapura dhe të kartotekës së gjykatës, certifikata e rezidencës, gjendja civile, deklarata e të ardhurave) mund të vetëcertifikohet përmes një modeli të paracaktuar në bazë të DPR 445/2000 pasi Prefektura mund të verifikojë vërtetësinë e informacioneve të deklaruara përmes një procedure të brendshme duke komunikuar me Ministrinë e Drejtësisë, Komunën e rezidencës dhe Agjencinë e Tatim-taksave. Kujdes, lëshimi i deklaratave të rreme sanksionohet me ligj.

Kohëzgjatja e procedurës dhe dekreti i shtetësisë

Afati i përfundimit të procedurës së njohjes së shtetësisë është 730 ditë e nis nga paraqitja e kërkesës dhe e të gjitha dokumenteve të kërkuara. Siç saktësohet nga qarkorja e ministrisë së Brendshme nr. 6415/2011pas kalimit të dy vjetëve, kërkuesi bëhet titullar i një të drejte subjektive të plotë të fitimit të shtetësisë italiane, pasi në bazë të nenit 8 paragrafi 2 të ligjit 91/92 mbi shtetësinë, është e pamundur që kërkesa të refuzohet pas kalimit të 730 ditëve. Në këtë rast, i interesuari mund t’i drejtohet gjykatësit për t’i kërkuar shtetësinë italiane, pasi të vërtetohet më parë që ministria e Brendshme nuk ka nxjerrë një dekret njohjeje apo refuzimi të praktikës brenda afatit të caktuar me ligj.

Duhet kujtuar që prej 1 qershorit 2012, kompetenca e lëshimit të dekretit të njohjes apo mohimit të shtetësisë  për qytetarët e huaj bashkëshortë të shtetasve italianë është e Prefektit, ndaj të gjitha kërkesat e informacioneve mbi praktikën i duhen drejtuar Prefekturës kompetente dhe jo ministrisë së Brendshme.

Kjo kompetencë mbetet e kreut të departamentit për Liritë Civile dhe Imigracionin e ministrisë së Brendshme, në rast se bashkëshorti i huaj ka rezidencë jashtë Italisë, dhe e kreut të Ministrisë së Brendshme në rast se ekzistojnë arsye penguese që lidhen me sigurinë e Republikës.

Së fundi, duhet theksuar që edhe me nxjerrjen e dekretit të njohjes së shtetësisë, i huaji nuk është akoma italian për sa kohë nuk ka bërë betimin e besnikërisë ndaj Republikës italiane. Duhet ta bëjë brenda gjashtë muajve (në të kundërt dekreti i shtetësisë shfuqizohet, dhe i interesuari duhet të nisë nga e para praktikën) pranë komunës së rezidencës, nëse banon në Itali, pranë Përfaqësisë diplomatike konsullore nëse është rezident jashtë Italisë.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:

Shtetësia për rezidencë në Itali
Shtetësia italiane për të lindurit në Itali
Shtetësia italiane. Ja si përpilohen kërkesat online

Shtetësia italiane. Si kontrollohet në ç’pikë është praktika
Shtetësia italiane. Udhëzues on-line i ministrisë së Brendshme 
Shtetësia italiane. Orare të reduktuara për informacionet telefonike të ministrisë

Shtetësia italiane. Nga Civis Romanus te Civis Italicus