Si të udhëtojmë të qetë me fëmijë në makinë - Shqiptari i Italisë

Udhëzues

Dekreti Legjislativ nr. 150 të 13 marsit  2006, në fuqi edhe sot në Itali, ka ndryshuar normat e mëparshme mbi “Përdorimin e rripave të sigurimit dhe të sistemeve të mbajtjes së fëmijëve”.

Ndryshimet mund të përmblidhen me pak fjalë: çdo herë që zihet një vend në një automjet të pajisur me rripa sigurie, është e detyrueshme për të gjithë, drejtuesin dhe pasagjerët, që t’i përdorin ato. Në rast transportimi të fëmijëve duhen përdorur sisteme të përshtatshme mbajtjeje (poltrona ose adoptues), që kur ata janë disa ditësh. Në zgjedhjen e poltronave për fëmijët duhen ndjekur me shumë kujdes udhëzimet.

Aktualisht neni 172 i Kodit Rrugor parashikon që pasagjerët nën moshën 12 vjeç dhe nën 1.50 m gjatësi të lidhen në poltronat e posaçme, sipas peshës dhe gjatësisë.

Normativa evropiane parashikon 5 grupe poltronash të tilla:

Grupi 0(navicella): për fëmijë me peshë nga 0 deri në 10 kg (nga 0 deri në 9 muaj). Janë ato pjesë që shkëputen nga karroca e fëmijës, i cili udhëton  kështu i shtrirë;

Grupi 0 +(ovetto): për fëmijë nga 0 deri në 13 kg (nga 0 deri në 15 mesi). Janë të ngjashëm më ato të mësipërmit, por kanë një sistem mbrojtjeje shtesë në pjesën e kokës dhe të këmbëve;

Grupi 1: për fëmijë nga 9 në 18 kg (nga 9 muaj deri në  4-5 vjeç). Poltrona që fiksohen në makinë me rripin e sigurisë. Rripi kalon në kapëset e posaçme të poltronës dhe duhet të jetë e tendosur për të penguar çdo lloj zhvendosjeje;

Grupi 2: për fëmijë nga 15 deri në 25 kg (nga 4 deri në  6 vjeç). Një ndenjëse e pajisur me mbështetjen për krahët dhe ndonjëherë edhe për kokën. E mbajnë fëmijën të ngritur në mënyrë që të mund të përdoren rripa e sigurisë së makinës i cili i kalon përpara belit dhe tërthor në gjoks;

Grupi 3: për fëmijë nga 22 deri në 36 kg (nga 6 deri në 12 vjeç). Edhe në këtë rast është një ndenjëse, pa mbështetje për krahët që e ngre fëmijët dhe jep mundësinë për të përdorur rripa e sigurimit.

Përdorimi i këtyre sistemeve është i detyrueshëm deri sa fëmija të mbushë 12 vjeç ose kur bëhet më i gjatë se 1.50 m sepse mund të përdorë normalisht rripa e sigurimit.

Nëse fëmija, ka mbushur 12 vjeç, por është akoma më i shkurtër se 1.50 m, megjithëse nuk është e detyrueshme, këshillohet përdorimi i ndenjëses së posaçme.

Në cilin drejtim duhen instaluar poltronat për fëmijë

Deri sa fëmijë të arrijë peshën prej 9 kg poltrona e tij duhet vendosur detyrimisht në drejtim të kundërt të ecjes së makinës. Është mirë që ky pozicion të mbahet sa më gjatë të jetë e mundur, edhe kur fëmija i kapërcen 10 kg. Kjo sepse në rast përplasjeje struktura kockore dhe muskulore e fëmijës, akoma e pazhvilluar plotësisht, mund të pësojë më shumë dëmtime nga rripi i sigurimit se sa nga mbështetësja e poltronës.

Në mënyrë më të thjeshtë mund të thuhet se është mirë që poltrona duhet të vendoset në drejtim të ecjes së automjetit kur koka e fëmijës e kalon lartësinë e mbështetëses së kokës në poltronën e makinës.

Gjoba

Në rast transportimi të fëmijëve pa përdorur poltronat përkatëse, drejtuesi i automjetit ndëshkohet më një gjobë prej 70 deri në 285 eurosh dhe me heqjen e 5 pikëve të patentës. Nëse në automjet, është i pranishëm prindi i fëmijës, edhe nëse ai nuk është në timon, gjoba i vihet prindit dhe jo drejtuesit të makinës.

SHIFRAT

Çdo vit në Itali humbin jetën 6.500 persona në aksidente rrugore. Shifër kjo që nuk përputhet me realitetin sepse në statistikat e Istat futen vetëm të aksidentuarit që vdesin deri 30 ditë pas aksidentit. Llogaritet që numri real i viktimave është rreth 7.500 dhe të plagosurit 320.000.

Ndër viktimat nën moshën 14 vjeçare llogaritet që humbin jetën 130-150 dhe mbeten të plagosur 11.000 të tjerë.  Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për fëmijë që nuk kanë qenë të lidhur në mënyrë të përshtatshme. Është llogaritur që rreziku i humbjes së jetës është shtatë herë më i lartë tek fëmijët që udhëtojnë pa qenë të lidhur në poltronat përkatëse. Me gjithë këto shifra rrëqethëse, më shumë se gjysma e fëmijëve nuk transportohen siç duhet gjatë udhëtimit me automjete.