Udhëtime të sigurta e pushime të qeta - Shqiptari i Italisë

Udhëzues
Me afrimin e verës dhe shtimin e qarkullimit të udhëtarëve, rriten edhe rreziqet që mund të hasen në pikat e nisjes dhe të mbërritjes. Prandaj Policia e Shtetit, përveç përforcimit të vigjilencës në këto vende, jep disa këshilla për udhëtarët. Në dukje janë shumë elementare, por pikërisht sepse janë shumë të thjeshta, ndonjëherë i harrojmë, të shpërqendruar nga udhëtimi dhe dëshira për të arritur sa më shpejt në vendin e pushimeve. Sipas forcave të rendit janë stacionet hekurudhore, portet dhe aeroportet nyjet ku përqendrohen keqbërësit, të cilët duke përfituar nga një pakujdesi, mund t’i prishin pushimet gjithkujt.
Në anije, tren dhe avion
Mos flini duke lënë të pakontrolluara valixhe, çanta e xhaketa. 
Mos i lini sendet me vlerë në skompartimentin e trenit, as për të shkuar në banjë, aq më shumë për mungesa më të gjata.
• Nëse udhëtoni gjatë natës mbajini sendet me vlerë në vende ku nuk mund të arrihet lehtë; mundohuni të mos flini në kurriz duke i lënë mundësinë keqbërësve t’ju marrin portofolin.
• Nëse keni marrë një vagon me fjetje, kujtohuni të mbyllni mirë skompartimentin.
Mos kini besim tek shitësit e paautorizuar dhe tek udhëtarët e tjerë që duke ju treguar histori të dhimbshme  duan t’ju shesin ose dhurojnë diçka.
• Nëse me vete keni sende me vlerë gjatë udhëtimit me anije, depozitojini ato në kasafortë.
Mos pranoni të mbani valixhe ose sende të udhëtarëve të tjerë të panjohur, në veçanti në kalimin e kontrolleve doganore.
Sa të keni mundësi, mos i mbani biletat e vajtjes dhe të kthimit në të njëjtin vend.
Mbani parasysh që kur jeni në udhëtim shtohen mundësitë  që të relaksoheni dhe të mos përqendroheni, por rriten edhe rrethanat e rrezikut.

Stacionet, portet dhe aeroportet
Stacionet hekurudhore, aeroportet dhe portet  janë vende ku krimi përqendrohet shumë. Prandaj është e rëndësishme që të keni më shumë vëmendje se tjetërkund.
• Kur mbërrini ose niseni në orë të vona është gjithmonë e këshillueshme që t’ju shoqërojë dikush.
• Mos bini pre e atyre që ofrojnë paligjshmërisht shërbime të ndryshme: taksi, hotele, xhiro turistike. Mos harroni se shpesh ata nuk janë të mbuluar nga sigurimet.
• Duhet të keni kujdes dhe vëmendje me bagazhet në çdo rrethanë, evitoni bagazhe të shumta dhe që janë të vështira për tu transportuar.
• Nëse ndihenitë bezdisur nga njerëz që frekuentojnë shpesh pikat e nisjes apo të mbërritjes, ose ndiheni të frikësuar drejtohuni  në stacionin e Policisë Hekurudhore ose asaj Kufitare.
Rreth stacioneve qarkullojnë shumë keqbërës, pra shmangni qoshet e fshehura dhe zonat e errëta dhe të izoluara.
• Kini për zakon të lini takime në vende të sakta dhe që gjenden lehtë.
• Nëse treni juaj ose mjeti me të cilin do të udhëtoni është me vonesë, mos pranoni udhëtime zëvendësuese të organizuara aty për aty nga persona të panjohur ose të paautorizuar.