Feneri i Katër i Radës kthehet në Vlorë - Shqiptari i Italisë

Katër i Radës

Falë artistëve shqiptarë Arta Ngucaj e Arben Beqiraj, një pjesë e Katër i Radës po kthehet në Shqipëri.  Duke ngritur kështu një urë mes Otrantos dhe Vlorës, në emër të Kater i Radës dhe Artit

Romë, 17 dhjetor 2011 – Arti mund të kapërcejë dete e të krijojë ura dialogu. Është ky mesazhi i parë konkret që vjen nga workshop-i ndërkombëtar i artit bashkëkohor që po mbahet në Otranto me rastin e ndërhyrjes artistike mbi reliktin e anijes Katër i Radës nën kujdesin e skulptorit grek Costas Varotsos dhe pjesëmarrjen e artistëve nga Siria, Egjipti, Qipro, Mali i Zi, Franca, Italia dhe Shqipëria.

E pikërisht nga dy artistët  shqiptarë që marrin pjesë në workshop, Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj ka lindur ideja e kthimit të Katër i Radës në një urë komunikimi dhe dialogu mes dy brigjeve të Adriatikut. Projekti i tyre artistik parashikon transferimin në Vlorë të një elementi të Katër i Radës, më saktësisht të një feneri të anijes , transformimin e tij në vepër arti dhe vendosjen në një shesh të qytetit pranë portit, vend simbol për të gjithë ata që shpresonin të merrnin një mjet lundrues drejt Otrantos e Italisë në kërkim të një fati.

Për dy artistët shqiptarë, ky “homazh” i Otrantos qytetit të tyre, përfaqëson një lloj shpagim moral dhe human për të afërmit e viktimave akoma në pritje të drejtësisë.

Kryetari i Komunës së Otrantos, Luciano Cariddi, ka mirëpritur propozimin e dy artistëve shqiptarë. “Ideja e tyre – ka nënvizuar Cariddi – përfaqëson rezultatin më të bukur që mund të prisnim nga workshop-i “.

Edhe për Giusi Giaracuni, kryetare e Kooperativës Artemisia dhe kuratore e workshop-t kërkesa e dy artistëve shqiptarë duhet pranuar, “jo vetëm për domethënien civile por edhe si një shembull konkret që tregojë se arti mund të ndryshojë statusin e ekuilibrin e gjërave dhe të hapë perspektiva dhe panorama të reja të paparashikueshme. Është detyrë e artit e kjo gjë po ndodh në Otranto”.

Pozitiv edhe gjykimi i Aksesorit për politikat për të Rinjtë dhe Paqen i provincës së Lecce-s, Bruno Ciccarese. “Kur bashkë me Biennalen e Artistëve të rinj të Mesdheut – nënvizon ai – imagjinuam një workshop kushtuar marrëdhënieve mes migrimeve shpresonim që nga të rinjtë të vinin ide që duke u nisur nga eksperienca artistike personale të mund të ndikonin edhe politikën. Propozimi i Arta Ngucajt dhe Arben Beqirajt shkon në këtë drejtim dhe ne do të angazhohemi me qëllim që projekti i tyre të realizohet”.

Institutit të Kulturave Mesdhetare të provincës së Lecces i besohet tashmë detyra që dhe bashkë me dy artistët shqiptarë të bëjë të mundur realizimin e projektit të tyre.

Në këtë mënyrë, ndoshta përmbushet edhe kërkesa e familjarëve të viktimave që kërkonin me çdo kusht kthimin në atdhe të Kater i Radës e jo transformimin e saj në vepër arti dhe të vendosjes në Otranto.

Lexo edhe: Fotot ekskluzive: Kater i Radës copëtohet për t'u bërë monument