Fotot e të mbyturve të Katër i Radës ekspozohen në Otranto - Shqiptari i Italisë

Katër i Radës
Inaugurohen sot veprat anësore të tetë artistëve të rinj mbi Katër i Radës. Artistët shqiptarë Ngucaj dhe Beqiraj (Scaf. Scaf.), me instalacionin e tyre kanë zgjedhur të sjellin fotot e  personave që në Katër i Radës humbën jetën.
Janë fotot që gjenden mbi varret e tyre.
Vepra kryesore e Costas Varotsos-it që kthen anijen në vepër arti kushtuar të gjithë atyre që humbën jetën në det do të përurohet në janar 2012.

Romë, 29 dhjetor 2011 – Prezantohen sot në orën 17 në Kështjellën aragoneze të Otrantos, veprat anësore të realizuara gjatë Workshop-it “L'Approdo. Opera all'umanità migrante” (“Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues”) nga tetë artistët e rinj të frymëzuara të gjitha nga relikti i Katër i Radës. Vepra kryesore e projektit, ajo që po realizohet nga skulptori grek Costas Varotsos me pjesën kryesore të reliktit të Kater i Radës do të inaugurohet në fund të muajit të ardhshëm, më 29 janar 2012).

Tetë artistëve të rinj u kërkohej të reflektonin e të realizonin vepra mbi të njëjtën temë, “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues”, frymëzuar nga Katër i Radës.

Mes tetë artistëve, edhe Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj që për veprën e tyre kanë zgjedhur si titull një varg të Dantes nga Kanti XXVI i Ferrit “Infin che ‘l mar fu sovra noi richiuso”. Ata kanë zgjedhur të sjellin në Otranto fotot e atyre që në tragjedinë e Kater i Radës humbën jetën. Praktikisht instalacioni i tyre konsiston në disa panele me fotot dhe emrat e viktimave: kanë të gjitha një datë vdekjeje dhe data të ndryshme lindjeje. Është herë e parë që kjo listë e gjatë emrash dhe fotosh  ekspozohen të gjitha bashkë.  Janë fotot që gjenden mbi pllakat e varreve të viktimave, që artistët siguruan falë Pushime Çalës, kryetares së shoqatës së viktimave të Katër i Radës.

Kjo është vetëm një pjesë e punës së dy artistëve shqiptarë me kufomën e anijes Katër i Radës. Sipërmarrja e tyre më e rëndësishme mbetet  kthimi në Vlorë dhe transformimi në monument i dy pjesëve të reliktit të Katër i Radës: fenerit dhe busullës.

 

 

 

 

 

Lexo edhe: Një varg nga Ferri i Dantes për Kater i Radës