Katër i Radës: 2 milionë €, dëmshpërblimi që do të paguajë Italia - Shqiptari i Italisë

Katër i Radës

Për fundosjen e Katër i Radës, ku gjetën vdekjen 108 shqiptarë e arritën të shpëtojnë vetëm 34 vetë, sentenca e 29 qershorit parashikon që familjarëve të viktimave e të mbijetuarve, ministria e Mbrojtjes t’u japë nga 20 mijë deri në 300 mijë euro, sipas “dëmit” të pësuar

Romë 30 qershor 2011 – Për tragjedinë e Katër i Radës, në mars të vitit 1997, shteti italian duhet të dëmshpërblejë me diçka më shumë se dy milionë euro familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit. Gjykata e Apelit të Lecces ka njohur përgjegjëse civile për aksidentin edhe ministrinë italiane të Mbrojtjes, përveç Francesco Laudadio, komandantit të korvetës Sibilla, që goditi anijen Katër i Radës duke shkaktuar edhe mbytjen e saj. Ndaj ka dënuar edhe ministrinë e Mbrojtjes të dëmshpërblejnë të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit, gjithsej 41 vetë, me shuma që shkojnë nga 20 mijë deri në 300 mijë për kokë, sipas “dëmit” të pësuar, për një shumë totale prej 2 milionë e 10 mijë euro.

Me të njëjtën sentencë gjykata e Apelit ë Lecces ka hedhur poshtë kërkesat ankimore kundër sentencës në shkallë të parë të gjykimit të 17 familjarëve, duke i konsideruar 11 të paraqitura me vonesë dhe 6 të pazakonta.