Katër i Radës, monumenti i braktisur - Shqiptari i Italisë

Katër i Radës
Një vit nga inaugurimi, monumenti i Katër i Radës në Otranto dergjet i braktisur në një gjendje të mjerueshme. E dëshmojnë fotot e shkrepura këto ditë nga Klodiana Çuka, kryetare e shoqatës Integra Onlus që një vit më parë bëri të pamundurën që relikti të shpëtohej e me të të ngrihej monument në Otranto

Romë, 28 mars 2013 – Sot, gjashtëmbëdhjetë vjet nga tragjedia e Të premtes së Shenjtë, kur me fundosjen e Katër i Radës për shkak të përplasjes në det të hapur nga korveta Sibilla e Marinës ushtarake italiane, në fund të detit përfunduan edhe 108 burra, gra e fëmijë, autoritetet duket se kanë harruar gjithçka. Asnjë veprimtari në kujtim të viktimave.

Një vit nga inaugurimi, monumenti i Katër i Radës në Otranto, dergjet i braktisur në një gjendje të mjerueshme. Monumenti, i realizuar me çka mbeti nga relikti i Katër i Radës (artisti grek Varotsos, të cilit iu komisionua puna, e copëtoi e përdori vetëm pjesën e sipërme të anijes për veprën e tij), është edhe sot e kësaj dite i rrethuar nga hekurat, pa një pllakatë ku t’u shpjegohet kalimtarëve çfarë përfaqëson.

“Fatkeqësisht më duhet të konstatoj që komuna e Otrantos ka treguar pak sensibilitet për monumentin dedikuar viktimave – shkruan sot Klodiana Çuka, kryetare e shoqatës Integra Onlus që një vit më parë bëri të pamundurën që relikti të shpëtohej e me të të ngrihej monumenti në Otranto. – Me dhimbje e dëshpërim kam fotografuar sot monumentin. Në vend të anijes së kujtimit, sot do ta quaja anija e përçarjes. Nuk gjej fjalët për të justifikuar e kuptuar shkujdesjen dhe motivet që kanë vrarë përfundimisht atë që duhej të ishte një vepër arti. Barriera dhe copa xhami”.

“Mendoj se kush humbi jetën në bark të asaj anijeje, preferon më mirë që ato hekurishte të hiqen sesa të të jenë një grumbull xhamash e ndryshku pa identitet” shprehet Çuka, që na nis fotot e këtij artikulli, të shkrepura pak ditë më parë.

Ishin të shumtë ata që deshën e u përpoqën që Katër i Radës të kthehej në anën tjetër të Adriatikut, duke filluar nga familjarët e viktimave. Nuk ia arritën dot pasi përpjekjet e tyre nuk patën asnjëherë vëmendjen e mbështetjen e institucioneve shqiptare.

Red. Shqiptari i Italisë