Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 2 - Shqiptari i Italisë

1991 - Edhe unë isha në anije

Në numrin 256 të gazetës Bota Shqiptare (që gjeni në pikat e shitjes së shtypit të huaj) dhe në të ardhshmit sjellim të përkthyer "Non abbiate paura - Grand Hotel Albania", të prezantuar për herë të parë në kuadrin e veprimtarive "Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas" të organizuara në qytetin puljez më 11-13 mars. Falënderojmë për këtë mundësi autorin, Francesco Niccolini, kooperativën Thalassia të Brindisit, dhe Drejtorinë e Turizimit dhe Kulturës së Komunës së Brindisit. Edhe në shqiptariiitalise.com po botojmë disa pjesë të të njëjtit shkrim.
Lexo këtu pjesën e parë

Pjesa e dytë

MOS KINI FRIKË
Grand Hotel Albania


Nga Francesco Niccolini

Eksod.
“Nisja me dëshirë e një komuniteti apo e një numri të madh personash nga vendi i tyre, për motive pune, fetare, politike, etike”.
Eksod drejt Brindisit? Mjete lundruese të çdo lloji të ngarkuara me mijëra shqiptarë që vijnë drejt portit?
Asnjë nuk e di. Asnjë nuk përgjigjet.
Vetëm heshtje. Deri natën. Deri në dritat e para të

7 marsit, e enjte.

Tani gjithçka ka ndryshuar: rada e portit të Brindisit është e pushtuar nga mijëra refugjatë shqiptarë dhe anijet e tyre.
Por... a jemi të sigurt që mund t’i quajmë “anije”?
Janë mjete lundruese peshkimi të homologuara për 10-12 persona, por sjellin njëmijë.
Janë anije tregtare por mbajnë me vete pesëmijë.
Janë përbuzë, burra e gra anekënd, jashtë çdo norme sigurie në det.
Kushte higjienike të parrëfyeshme.
Pa bukë.
Pa ujë.
Kaq të ngjeshur sa nuk arrijnë as të ulen, as të shtrijnë këmbët.
Kapiteni i marrë peng: Duam Italinë.
Është një devijim kursi i dëshpërimit: dëshpërimi i atyre që për Shqipërinë  nuk duan t’ia dinë më dhe ia mbathin. Edhe dëshpërimi i kapitenit të anijes që nuk di më nga t’ia mbajë kur njëmijë, dymijë, pesëmijë i thonë: thyeje ndalimkalimin.

Po, ndalimkalimin. Sepse në Itali urdhri është “mos i lini të zbarkojnë”.
Kapitaneria e portit u jep kapitenëve urdhrin e prerë të ardhur nga Qeveria: ndalohet absolutisht ankorimi në Brindisi apo porte të tjerë. Dhe – mbi të gjitha – ndalohet absolutisht të shkelet trualli italian.

Sa e lehtë është të japësh urdhra nga Roma... sa e thjeshtë duket gjithçka nga larg. Është arroganca e paftyrë e pushtetit: në Romë situata nuk duket aq e rëndë. Janë sytë e pazhbirueshëm të Giulio Andreottit, kreut të qeverisë, që prerazi e mohon problemin humanitar. E  mohon e s’do t’ia dijë: e rëndësishme është që askush të mos zbarkojë.
Qeveria italiane mban qëndrim të prerë sipas një parimi të thjeshtë: “nuk ekzistojnë kushtet për të konsideruar shqiptarët refugjatë politikë”.

Kështu përballë Brindisit rrangallat e stërngarkuara ndalen një milje larg bregut: tetëmijë vetë të lodhur, të pistë e të uritur, në dorë të detit shtatë ballësh.

Tetëmijë vetë.

Shifrat nuk na bëjnë më përshtypje, jemi mësuar me to.
Atëherë, ju propozoj një lojë. Sa vetë jemi këtu brenda në sallë? Pak a shumë katërqind. Tani mendoni sikur të na i mbyllin dyert: kalojnë 24 orë, ja u bënë 36. Pa ushqim. Pa banjë, jemi të detyruar me kalimin e orëve t’i bëjmë nevojat – të madhen e të voglën – qosheve të kësaj salle.  Pa bukë, pa ujë, pa një këmishë për t’u ndërruar. Vetëm kutërbimi që nga ora në orë bëhet gjithnjë e më i padurueshëm. Tani, dyfishoni numrin tuaj: tetëqind, por pa rritur hapësirën. Po këtu,  po këto katër qoshe për të pshurrur, tani shumëzojeni me dhjetë e, jeni që jeni, shtojini edhe detin me dallgë.

Është ora 9 e gjysmë e mëngjesit dhe anijet shkelin ndalimkalimin, hyjnë në port. Disa e kanë timonin të thyer dhe rrezikojnë të përplasen. Rimorkiatorët vendosin të ndërhyjnë: rrezikohet të bëhet kërdia.
Me zor i lidhin anijet.
Me zor arrijnë t’i ankorojnë.
Janë në port.
Ia dolën.
Nga anijet dikush hedh lekë, kartëmonedha shqiptare ... si për të thënë: nuk vijmë me qëllime të këqija, ju japim gjithçka që kemi. E thënë ndryshe, me kursin e këmbimit të atëhershëm: asgjë.

Kryebashkiaku telefonon në Romë: këtu gjendja po na ikën duarsh.
Roma përgjigjet: është faji i qeverisë shqiptare, jo i yni.
Kryebashkiaku këmbëngul: i kujtdo qoftë faji, nëse nuk ndërhyni, këta do të shkatërrojnë qytetin.
Por Roma ka besim: po ushtrojmë presion mbi qeverinë shqiptare që të ndalë eksodin.

Po ç’do ndalësh në Durrës kur Brindisin e kanë përmbytur tetëmijë burra gra pleq dhe fëmijë! Tetëmijë? Shiko se janë shumë më tepër! Të tjera anije po mbërrijnë dhe shkarkojnë njerëz pa fund: Kallmi të lë në derë njëmijë refugjatë, Iliria katërmijë, Tirana tremijë, si lëkundje tërmeti gjithnjë e më të forta.
Të gjitha barrikadat qesharake ndërvënë mes dëshpërimit dhe Amerikës janë shembur.
Diga u ça.
Gjejeni vetë fjalën më të përshtatshme për ta qujtur, por dallga, përmbytja, epidemia tashmë është në qytet: Bërtasin “Italia” dhe “libertà”, bëjnë shenjën e fitores me dy gishta. I çojnë në skelën e Sant’Apollinare-s, [...], përballë depove kulla të grurit, ku tetëmijë të tjerë sorollaten mes hallit e zemërimit që në mëngjes.
Shumë përpiqen t’ia mbathin nga aty duke kapërcyer kangjellat, dhe policia mundohet t’i ndalë por pastaj nuk merret më me ta: policët janë të paktë dhe u duhet të ndërhyjnë edeh ëpr të shuar sherret që shpërthejnë herë pas herë në skelë, sidomos kur ndonjëri sjell ushqime.
Qyteti fillon të ketë frikë [...]: Brindisi nuk mund ta përballë një turmë kaq të madhe. Nga Roma nuk vijnë urdhra të saktë, as ndihma konkrete. Nevojiten çadra, ushqim, dushe, barna, ushtarë. Por mbi bankinat e stacionit detar ka vetëm një grusht policë e karabinierë dhe ndonjë vullnetar [...].
“Shikoni si jemi katandisur” murmurit një burrë i sertë, i veshur me rrecka, por me dinjitet të fortë në vështrim. “Në vjen turp të prezantohemi kështu, por ju duhet të na falni: e gjithë kjo për faj të regjimit tonë”.
Ka mbërritur një ushtri që duket sikur ka dalë nga faqet më të errëta të së shkuarës: gra, fëmijë, edhe foshnja, burra pleq, punëtorë ende me kominoshe, djem kapadainj apo të trembur. Për t’i gostitur, vetëm ca biskota, ca qindra litra qumësht dhe ca mish kutie.
Pasdite kanë mbërritur edhe gjashtë mjete të tjera lundrimi, pesë anije peshkimi dhe një anije lundrimi bregdetar [...] të gjithë rrëfejnë të njëjtat histori mjerimi, shtypjesh dhe dhune. Gjen atë që ka vuajtur 17 vjet burg, atë që ka mbetur [...] pa punë. Është burri me djalin shurdhmemec, që lut t’i gjejnë dikë që flet gjuhën e shenjave. Janë edhe fëmijët e ardhur vetëm, pa këpucë e pa shpresë. Tani thonë që në Shqipëri kanë çuar ushtrinë të ruajë portet, lënë të kuptohet që nuk do të vijnë të tjerë. Por radiot e anijeve dhe të helikopterëve thonë që në det ka akoma shumë. Dhjetë, njëzet anije, të vogla e të mëdha, ndoshta rreth dhjetëmijë të dëshpëruar të tjerë që po vijnë” [Corriere della Sera, 8.3.1991]

Anija e vjetër tregtare Legend shkarkon pesëmijë refugjatë të tjerë.
Brenda pak orëve janë bërë njëzetmijë.
Ndërsa Roma, me besim, kryen bisedime me Tiranën për të ndërprerë eksodin.
Mirë, po me këta njëzetmijë që kanë zbarkuar në Brindisi ç’do të bëjmë?
Asnjë përgjigje.
Asnjë ndërhyrje.
Le ta zgjidhin brindizinët.

Lexo edhe Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 3

Testo prottetto da copyright. Traduzione e pubblicazione in albanese da "Bota shqiptare" per esclusiva concessione degli aventi diritto. "Bota shqiptare" ringrazia l'autore, la cooperativa Thalassia di Brindisi, e l'Assesorato al Turismo e Cultura del Comune di Brindisi per la gentile collaborazione.