Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 6 - Shqiptari i Italisë

1991 - Edhe unë isha në anije

Në numrin 256, 257 dhe 258 të gazetës Bota Shqiptare (që gjeni në pikat e shitjes së shtypit të huaj)  sjellim të përkthyer "Non abbiate paura - Grand Hotel Albania", të prezantuar për herë të parë në kuadrin e veprimtarive "Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas" të organizuara në qytetin puljez më 11-13 mars. Falënderojmë për këtë mundësi autorin, Francesco Niccolini, kooperativën Thalassia të Brindisit, dhe Drejtorinë e Turizimit dhe Kulturës së Komunës së Brindisit. Edhe në shqiptariiitalise.com po botojmë disa pjesë të të njëjtit shkrim.

Lexo këtu pjesën e parë
Lexo këtu pjesën e dytë

Lexo këtu pjesën e tretë
Lexo këtu pjesën e katërt
Lexo këtu pjesën e pestë

Pjesa e gjashtë

MOS KINI FRIKË
Grand Hotel Albania


Nga Francesco Niccolini

11 marsi është dita e pestë e epidemisë

Nis javë e re, por hallet janë po ato: s’ka banja, s’ka ujë, s’ka batanije. S’ka ushqim. Dhe shtohet një tjetër shqetësim, ai i familjeve të shpërndara: tani që po gatiten nisjet e mijëra shqiptarëve do duhej të paktën që anëtarët e së njëjtës familje të niseshin bashkë drejt të njëjtit vend. E thjeshtë ta thuash por kur ke pesë ditë që endesh nëpër qytet dhe mund të të kenë caktuar në 38 shkolla të ndryshme, rreziku që të humbësh të tutë është i lartë dhe shumë vetë, humbin.

Si të mos mjaftonte, nga Roma mbërrijnë njëzetedy shqiptarë pa dokumente, kanë marrë fletëdëbimin e detyruar, i përcjellin në Bari për t’i riatdhesuar. S’prish punë, një shqiptar më shumë a një më pak, këtu s’ndryshon gjë. Me siguri as për romakët nuk ndryshon gjë.

Por efikasiteti e ministrit komisar bën që për tetëmbëdhjetëmijë shqiptarët që janë në qytet t’u gjenden njëmijedyqind racione ushqimesh të ngrohta... sukses, s’ke ç’thua. Për gjithë mijëra të tjerët qese me konserva mbijetese: një kanaçe pastë me fasule, xhelatinë, dy qeska kafeje gjysmë të gatshëm, dy kuba sheqeri, dhe dy paketa misterioze me etiketën “combustibile” për të ngrohur ushqimet: ka shumë mundësi që kush nuk dinte italisht t’i ketë ngrënë edhe atë.

Mu pas kësaj dreke për të lëpirë thonjtë mbërrin nga Roma zëvendës-kryeministri, Claudio Martelli. Është nisur për në Tiranë, po më parë kërkon të shohë ç’po ndodh në Brindisi.

ÇunakuMartelli është rritur. Dhe halenë e Brindizit ai e sheh vetë, tërbohet, indinjohet. Është rritur vërtet, i kanë dalë edhe thinjat. Po mbërrijnë ditë të rënda zije më të rëndë, e prej aty edhe ditët e turpit, të tangjentit Enimont, të Craxit që qëllohet me monedha, dhe perëndimi i asaj prima Repubblica të cilën, edhe duke parë ç’po ndodh në Brindizi, vështirë se do ta vajtonim.

Fjalët e Martellit rëndojnë si shkëmbinj: “Shteti është plak, i ngathët, astmatik. Dhe protezione, veç emrin ka civile.” Lattanzio, përbri tij, nuk hap gojë.

Pastaj Martelli niset për në Tiranë: i duhet të bisedojë dorëzimin e regjimit të vjetër, dhe në këmbim të ndihmave, të marrë garanci për të mos lënë që Adriatiku të shndërrohet në autostradë të dëshpërimit.”

Atë mbrëmje, mbrëmjen e 11 marsit – si për mrekulli – ushtria arrin t’u shpërndajë shqiptarëve dhjetëmijë racione të ngrohta. Për pak orë bëhet ajo që për pesë ditë të tëra ishte dukur e pamundur.

Janë të pabesueshme shifrat, si në një fushatë ushtarake: 2200 ushtarë, 106 nënoficerë e 87 oficerë, 7 helikopterë, 50 kuzhina fushore, dyzetmijë qese fjetjeje. Ndoshta qeset e fjetjes janë ca si shumë, por më mirë me bollëk.

Brindizi merr frymë. Dallga e përmbytjes po tërhiqet.

Lexo edhe: Mos kini frikë – Grand Hotel Albania / 7

Testo prottetto da copyright. Traduzione e pubblicazione in albanese da "Bota shqiptare" per esclusiva concessione degli aventi diritto. "Bota shqiptare" ringrazia l'autore, la cooperativa Thalassia di Brindisi, e l'Assesorato al Turismo e Cultura del Comune di Brindisi per la gentile collaborazione.