Vlora zbarkon edhe në Venecia - Shqiptari i Italisë

1991 - Edhe unë isha në anije
Në Festivalin e Venecias edhe dokumentari “La nave dolce” me regjisor Daniele Vicarin mbi historinë e eksodit të gushtit 1991 me anijen Vlora

Këtë vit, jashtë konkurrimit, mes projeksioneve speciale të festivalit të Venecias (29 gusht – 8 shtator 2012), edhe dokumentari mbi historinë e eksodit të 7 gushtit 1991 me anijen Vlora.

Quhet “La nave dolce” për faktin që anija Vlora ishte e ngarkuar me sheqer, por në të vërtetë historia e atyre ditëve e mijëra shqiptarëve të ardhur me të nuk ishte aspak e ëmbël. Janë shqiptarët e eksodit të gushtit 1991,  apo më mirë të stadiumit të Barit, shumica dërrmuese e të cilëve u kthyen mbrapsht.

Përmes intervistave me persona që e kanë përjetuar personalisht atë udhëtim, kush pse ishte në anije e kush pse atë anije e priti në Bari, regjisori Daniele Vicari ka ndërtuar filmin dokumentar. Halim Milaqi (komandanti i Vlorës), Eva Karafili, Agron Sula, Kledi Kadiu, Robert Budina, Nicola Montano, Domenico Stea, Fortunata Dell'Orzo, Luca Turi, Raffaele Nigro, Maria Brescia etj, kujtojnë atë histori që ka shenjuar jetën e tyre. Filmi është prodhim italo-shqiptar, i shtëpive filmike Indigo Film, Apulia Film Commission, Rai-Cinema në bashkëpunim me Telenorba dhe shtëpinë shqiptare Ska-Ndal Production.

Një tjetër film mbi eksodin shqiptar drejt brigjeve të Italisë, përfshirë atë me anijen Vlora pritet të dalë në vjeshtë. Është "Anija, la nave degli albanesi", i Institutit Luce, me skenar dhe regji të Roland Sejkos, autor i dokumentarit të suksesshëm "Albania il paese di fronte".

Lexo edhe:
8 gusht 1991 Vlora mbërrin në Bari
Historia e harruar e anijes Vlora