Të miturit shqiptarë “të braktisur” në Itali. A shqetëson Shqipërinë kjo çështje? - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Komuniteti i tretë më i madh i të miturve të huaj të pashoqëruar në Itali përbëhet nga shqiptarët. Dukuria është shqetësuese për Italinë, por nga Shqipëria, kush duhet të merret me parandalimin e kundërshtimin e kësaj dukurie hesht
 

Romë, 20 shkurt 2017 - Janë plot 1.611 persona më 31.12.2016 e si grup kombëtar renditet i treti në Itali. Është fjala për të miturit shqiptarë të pashoqëruar që përbëjnë 9,3% të numrit të përgjithshëm të të miturve të huaj të pashoqëruar. Janë në ngarkim të shtetit italian deri sa mbushin moshën madhore: në fakt u sigurohet veç jetesës edhe shkolla.

Fëmijët e huaj të braktisur në Itali
(sipas të dhënave të ministrisë së Punës)

Data

Shqiptarë

Renditja

Gjithsej

31/12/12

708

Të tretët

7.575

31/12/13

804

Të tretët

8.461

31/12/14

1.087

Të pestët

14.243

31/12/15

1.432

Të dytët

11.921

31/12/16

1.611

Të tretët

17.373

Shifra mund të duket jo e lartë. “Në Itali jetojnë rreth 600 mijë shqiptarë, është vend me mëse 60 milionë banorë” mund të mendojë ndokush duke e minimizuar problemin. Nuk është kështu. Kur mendohet se është fjala për një numër që rritet nga muaji në muaj të paktën gjatë pesë vjetëve të fundit, kur mbahet parasysh se janë të mitur (të kuptohemi, nuk flitet për fëmijë të vegjël, por adoleshentë, të rinj) që vijnë nga Shqipëria, vend në paqe dhe me demokraci, me më pak se 3 milionë banorë, shifra është shqetësuese. Është shumë shqetësuese për palën italiane, e ndoshta shumë më pak për atë shqiptare, të paktën këtë lë të nënkuptohet mënyra si (nuk) reagojnë.

Të gjithë mbajmë mend një reportazh të transmisionit televiziv Le Iene në fillim të dhjetorit. Shpjegonte qoftë si vepronin me vetëdije familjet dhe të miturit për t’u marrë në ngarkim nga shërbimet asistenciale të bashkive italiane, qoftë shqetësimin e këtyre të fundit që nuk arrijnë të frenojnë këtë dukuri.

Në janar dy raste të tjera shqiptarësh të mitur “të braktisur” në Rimini u sollën në faqet e kronikës. Në rastin e parë Policia e Kufirit, pas disa ditëve hetime, ndaloi të ëmën e të miturit që pasi e kishte shoqëruar këtu, po kthehej në Shqipëri pasi e kishte “braktisur” (apo më mirë lënë në duar të sigurta të asistencës sociale italiane). Agjentët e policisë epaditën gruan shqiptare për braktisje të të miturit, i dorëzuan të birin dhe i kthyen të dy bashkë në Shqipëri.
Në rastin e dytë, një javë pas këtij të sipërpërmendurit, një tjetër i mitur është paraqitur në Kuesturën e Riminit duke deklaruar se është i braktisur nga familjarët. Duke qenë se po përsëritet ca si shpesh e njëjta situatë, agjentët e zyrës së imigracionit arritën të gjenin një motër të djalit që jeton me lejeqëndrim në Veneto. E marrë në pyetje nga policia, gruaja e pranoi më në fund që ishte në dijeni të faktit që i vëllai ishte në Itali. Pasi iu shpjegua se e kishte detyrim ligjor si familjare e ngushtë e të miturit, të kujdeset për të deri në mbushjen e moshës madhore, ose të interesohet ta kthejë atë në vendlindje, gruaja e mori të vëllanë në shtëpi.
Gjatë muajit shkurt, të paktën dy raste të tjera të ngjashme në Romë, ku dy të mitur janë kërkuar nga prindërit që i kishin "braktisur" e me ndihmën e ambasadës sonë janë pajisur me dokument udhëtimi e janë kthyer në vendlindje.

Çështja nuk është as e re e as e panjohur si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri. Rreth saj është shkruar edhe më parë në mediat italiane, tema është përcjellë e trajtuar prej kohësh edhe nga sociologu Rando Devole.

Siç tregon për Shqiptariiitalise.com Anila Husha, e cila nga viti 2000 deri në vitin 2009 ka punuar si eksperte në emigracion pranë Komitetit italian për të miturit e huaj të pashoqëruar, komitet i ngritur në vitin 1999 pranë ministrisë së Punës, që monitoron dukurinë në Itali, kjo çështje është trajtuar ndër të parat nga ky organizëm.
“Vitet e para, të miturit e shqiptarë të pashoqëruar renditeshin të parët dhe përbënin deri 70% të të gjithë të miturve të huaj të pashoqëruar – tregon Husha – Kjo ishte arsyeja që Ministria e Punës dhe e politikave shoqërore italiane punoi në mënyrë të veçantë me Qeverinë shqiptare duke u mbështetur edhe në shumë OJQ që veprojnë në Shqipëri dhe në organizma ndërkombëtarë si Shërbimi Social Ndërkombëtar dhe OIM”.
Husha thotë se gjatë periudhës që ka punuar për Komitetin, ka qenë anëtare e grupit koordinues në dy projekte që “Ministria e Punës italiane ka realizuar në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare për të miturit e pashoqëruar: “Të miturit e huaj të pashoqëruar: mikpritja që kapërcen kufijtë” dhe “Të kthyer në të ardhmen – një rrjet ndërkombëtar për të miturit e pashoqëruar”. Falë këtyre projekteve është formuar figura e operatorit social shqiptar i aftë që të bëjë hulumtime familjare në Shqipëri dhe të administrojë kthimin dhe reintegrimin në atdhe të të miturve. Falë projekteve është krijuar edhe një rrjet bashkëpunimi mes operatorëve socialë në Shqipëri dhe Itali”.
Sipas ekspertes, “në fund të vitit 2009, numri i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali zbriti në thuajse 300”. Eksperienca ishte aq pozitive sa u përdor nga qeveria italiane edhe në vende të tjera si Maroku, Egjipti, Tunizia, Moldavia. Madje u përdor si best practice nga Këshilli i Evropës/Komisioni mbi imigracionin në një projekt evropian.

Po nga Shqipëria, ç’është bërë? E pamundur të dimë gjë. Prej fillimit të dhjetorit Shqiptari i Italisë i ka kërkuar disa herë Kabinetit të ministrit të Mirëqenies sociale, Blendi Klosit, që t’u përgjigjet disa pyetjeve rreth kësaj teme. Për të mësuar nëse janë në dijeni për një situatë të tillë edhe në vende të tjera të BE-së dhe se ç’përmasa ka dukuria sipas tyre; cilat janë zonat e Shqipërisë ku ky fenomen është më i përqendruar; cilat janë arsyet dhe ç’bëhet për ta parandaluar këtë dukuri; a ka ndonjë kontroll mbi familjet për të cilat ka sinjalizim se braktisin fëmijët; çfarë ka mbetur nga projektet e realizuara me Italinë vitet e shkuara e nëse puna vazhdon, pse nuk jep më rezultatet e asokohe; a ka sot qeveria shqiptare bashkëpunim me Italinë apo vende të tjera për ndonjë program konkret reintegrimi të atyre që kthehen.

Deri më sot, nga ministria e Mirëqenies Sociale që duhet të ndërmarrë nisma për parandalimin e kësaj dukurie, nuk mbërrin asnjë përgjigje. Ndoshta ajo që konsullja shqiptare në Milano thonte për ministrinë e Jashtme, është e vërtetë edhe për atë të Mirëqenies Sociale: “Ka të tjera gjëra për të bërë, ministria”.

Keti Biçoku / Shqiptariiitalise.com

Lexo edhe:
Si të pajisesh shpejt me një lejeqëndrim në Itali. Mënyra e shqiptarëve
“Braktisja” e të miturve në Itali, paditen 66 shqiptarë
Të miturit e braktisur
“Eksodi" i të miturve