Ambasada në Romë: “Ejani tërhiqni pasaportat” - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Përbëjnë shqetësim 800 pasaportat e patërhequra, edhe të majit të vitit të shkuar. Ambasadori: “U bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë t’i tërheqin e mos e lënë për në prag të nisjes me pushime”

Romë, 18 maj 2012 – Nga muaji mars është rritur ndjeshëm edhe numri i qytetarëve që aplikojnë për pasaportë pranë zyrës konsullore të ambasadës shqiptare në Romë. Por siç shpjegoi ambasadori Kola “Modeli ynë i punës është t’u shërbejmë të gjithëve që paraqiten në dyert e zyrës konsullore në Romë pa parë orar e pa asnjë qindarkë më shumë nga ç’parashikon ligj”.

 “Numri i qytetarëve që paraqiten çdo ditë në zyrën konsullore, vetëm për pasaportat, shkon mesatarisht në 150”. – thotë konsulli Ervina Bendo – “Në mënyrë që asnjë të mos kthehet mbrapsht pa mbaruar punë, tani po punohet edhe me tre poste aplikimi”.

E nëse më përpara ishin hasur probleme me sjelljen në Romë të pasaportave të të gatshme duket se edhe ky problem është zgjidhur: “Brenda dy-tre javësh pasaportat e gatshme mbërrijnë në Romë dhe përditësojmë rregullisht faqet internet për të lajmëruar të interesuarit. Kështu, për shembull, tani mund të tërhiqen pasaportat për të cilat është aplikuar deri më 5 maj.”

“Por kohët e fundit po bëhet problematike mostërheqja e pasaportave. Kemi me qindra që rrinë aty prej muajsh.  – ndërhyn ambasadori Llesh Kola. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që kanë aplikuar të tërheqin pasaportat e tyre e të mos kujtohen ditët e fundit para se të nisen në Shqipëri. Një dyndje e madhe njerëzish nga qershori e korriku do të paralizonte punën e zyrës konsullore”.

“Ka mbi 800 pasaporta të patërhequra – konfirmon edhe konsulli Shpresa Shahaj - Kemi pasaporta për të cilat është aplikuar verën e shkuar që ende nuk janë tërhequr”.

Në zyrën konsullore tregojnë “edhe pse orari i tërheqjes është nga ora 13 deri në 14, meqë ka njerëz nga qytete të tjera  që arrijnë në Romë më herët bëjmë shpërndarje pasaportash edhe para këtij orari, por duke u dhënë përparësi aplikimeve”.

“Përfitojmë nga rasti për të kërkuar edhe bashkëpunim e mirëkuptim nga ana e qytetarëve. Së pari duhet të bëjnë durim, dhe së dyti të kenë të qartë që ne jemi në shërbim të tyre duke respektuar ligjin” thonë konsujt.

Në zyrën konsullore sqarojnë gjithashtu që telefonave 0686224115 dhe 0686224116 u përgjigjen vetëm nga ora 13.30 deri në orën 16.30. “Është e pamundur t’u përgjigjemi më parë pasi i japim përparësi shërbimit të qytetarëve në sportel”.

Probleme aplikimi? Apo mospranimi të praktikave?

“Shumë shumë të rralla. Ndoshta 2-3 raste në 4 mijë e ca aplikime që janë bërë në Romë – thotë konsulli Bendo – Nuk e kam fjalën për ndonjë problem të vogël lidhur me vështirësitë për të fotografuar të sapolindurit, por për ato që kanë të bëjnë me të dhënat personale të qytetarëve kur nuk përpuqen ato të dokumentit me ato të regjistrit themeltar”.

Keti Biçoku

Gjithçka mbi pasaportat biometrike shqiptare në Itali