Ambasadorja Anila Bitri: “Është koha të ngremë ura” - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Bashkëbisedim me Ambasadoren e Shqipërisë në Itali Anila Bitri rreth Samitit të Diasporës që do të mbahet më 18-20 nëntor në Tiranë
 

Ambasadorja dhe ministri i Jashtëm Bushati në takimin “Jam shqiptar” (Romë, 1 qershor 2016)Që kur erdhi në maj e deri tani, Samiti i Diasporës ka shënuar disi këta muaj të parë gjatë të cilëve zonja Anila Bitri mban detyrën e ambasadores së Shqipërisë në Romë. Dalja e saj e parë publike në Romë mes komunitetit shqiptar, ishte pikërisht me rastin e vizitës së ministrit Bushati në takimin “Jam shqiptar” që u mbajt më 1 qershor dhe ndër takimet e para të organizuara nga ajo në ambasadë ishte ai i para pak javëve me një grup grash. Të dyja këto patën një pikë të përbashkët: në qendër të bisedës ishte edhe Samiti i nëntorit. Edhe letra e parë zyrtare që shumë përfaqësues shoqatash, personalitete të shquara shqiptare në Itali morën prej saj ishte ajo që shoqëronte ftesën për në Samit të kryeministrit Rama. Tani, vetëm një muaj nga samiti, e takuam për të mësuar diçka më shumë rreth tij.

Shqiptari i Italisë: Zonja ambasadore, mund të na thoni si po shkojnë përgatitjet?

Ambasadorja Anila Bitri: Samiti i Diasporës që do të zhvillohet muajin e ardhshëm, organizohet nga Kryeministri Rama dhe është aktiviteti i parë i këtij lloji. Samiti do të mbledhë anëtarë të diaporës sonë, të vjetër dhe të re, kudo në botë, përfaqësues të shoqatave të diasporës, njerëz të kulturës, artit, shkencës që kanë bërë emër në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Samiti është konceptuar si një kuvend gjithëshqiptar, që nga njëra anë do të shërbejë për të njohur më nga afër problemet e diasporës dhe nga ana tjetër, do të hedhë bazat e një komunikimi më të organizuar mes vendit amë dhe diasporës sonë.
Mendoj se është e rëndësishme të nënvizoj se ky do të jetë një aktivitet jopolitik dhe bazohet në parimin e gjithëpërfshirjes. Kush ka kohën, interesin, mundësinë për të marrë pjesë është i mirëseardhur në Tiranë për të marrë pjesë në Samit. Ideja e Samitit është për të ndërtuar një urë solide komunikimi me diasporën dhe për këtë mund të kontribuojë çdo shqiptar, kudo ku gjendet.
Tani, kur ka mbetur më pak se një muaj nga Samiti, përgatitjet kanë hyrë në fazën intensive, po punohet me logjistikën, me agjendën dhe gjithçka tjetër që kërkon një aktivitet i përmasave të tilla.

A shihni interes nga shqiptarët e Italisë rreth kësaj ngjarjeje?

Sigurisht, si një nga komunitetet më të mëdha, më të organizuara dhe me më peshë të diasporës sonë, shqiptarët e Italisë kanë shfaqur interesin e tyre për Samitin dhe do të marrin pjesë në të. Unë besoj se ata do të përfaqësohen me dinjitet në këtë aktivitet, duke sjellë zërin, përvojën, arritjet, problemet dhe kërkesat e gjysmilionë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali. Ne kemi marrë pyetje të ndryshme nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali dhe u jemi përgjigjur. Mendoj se kemi ende pak kohë për ata që do të donin të ishin pjesë këtij Kuvendi, të mos hezitojnë të na kontaktojnë, ne vazhdojme të inkurajojmë pjesëmarrjen e të gjithë të interesuarve në këtë ngjarje.  Unë nuk kam shumë kohë në Romë, dhe ende nuk kam pasur mundësi të takoj të gjitha shoqatat e shqiptarëve, apo përfaqësues me emër të komunitetit tonë në Itali, por gjej rastin të përsëris ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet.
Samiti është i hapur për të gjithë pjesëtarët e Diasporës dhe kushdo që dëshiron të bëhet pjesë në këtë eveniment historik është i mirëpritur të kontaktojë, përmes ambasadës apo konsullatave tona në Itali, ose në mënyrë të drejpërdrejtë organizatorët. Pjesëmarrja sa më e gjerë do të mundësojë një diskutim të pasur e të njëmendtë për të identifikuar dhe vendosur bashkarisht mbi mekanizmat që duhen ndërtuar për t’i dhënë jetë një marrëdhenie të re. 

Ambasadorja mes të ftuarave të saj për një takim në ambasadë (Romë, 30 shtator 2016)Nga bisedat në komunitet, ndihet njëfarë mosbesimi ndaj samitit, në kuptimin që nuk do të ofrojë gjë. A ka mbërritur edhe tek ju kjo ndjesi mosbesimi?

Mosbesimi ose skepticizmi ndaj një gjëje që bëhet për herë të parë është i kuptueshëm. Aq më tepër po të kemi parasysh se deri më sot ka pasur një hendek të qartë mes fjalëve dhe veprave, kur ka ardhur puna tek diaspora. Emigrantët, dhe diaspora në përgjithësi, mundet të jetë edhe e lodhur nga përsëritja e të njëjtave fjalë nga takimi në takim dhe nga mbledhja në mbledhje.
Por, ne po flasim tani për diçka të re që po bëhet për herë të parë, dhe do të ishte e padrejtë të thuhej paraprakisht se nuk do të ofrojë gjë. Ta shohim, të ndodhë njëherë. Nuk mund të themi nëse uji ishte i ftohtë, ose i ngrohtë pa u futur në lumë.

A keni pasur ndonjë sugjerim nga komuniteti në Itali për t’ua përcjellë organizuesve të Samitit në Tiranë?

Po, në takimet që kemi zhvilluar dhe në kontaktet që kemi patur kemi marre disa sugjerime që lidhen me strukturën e Samitit, apo edhe me peshën e komunitetit shqiptar në Itali në këtë Samit. Këto sugjerime sigurisht që janë përcjellë në Tiranë dhe unë jam e sigurtë që komuniteti shqiptar i Italisë do të ketë të gjitha mundësitë të shprehet për problemet e tij dhe të artikulojë shqetësimet e tij, në përputhje të plotë me peshën dhe vendin që ai ka në kuadrin e diasporës shqiptare në përgjithësi.

Zonja ambasadore, më lejoni të ndaj me ju disa konsiderata mbi të cilat do të ishte me interes për lexuesin të kemi edhe mendimin tuaj.
Samiti i Diasporës, veç emrit të bujshëm, nga aq sa mund të mësohet rreth tij deri më sot, nuk të nxit të shkosh ta ndjekësh. A mund të mjaftojë për të shkuar vetëm trumbetimi se është Samiti i parë i Diasporës?
Siç mund të imagjinojë gjithkush, kur të kërkohet të marrësh pjesë (me paratë e tua, për më tepër) në një takim/veprimtari/kuvend dëshiron të dish më parë se çfarë do të ndodhë/për çfarë e kush do të flasë/çfarë ka për qëllim e nëse do të më jepet mundësia të ndërhyj. Jo të gjitha këto janë të qarta deri tani që flasim.
Nuk janë të paktë ata që bëjnë ironi (nga ç’kemi lexuar në programin që është nisur) me ndërthurjen e 5 minutave që u jepen çdo folësi përfaqësues i diasporës nga vende të ndryshme të botës, “të alternuara nga intermezzo me muzikë tradicionale”. A thua po na mbledhin për festivalin folklorik?
E nderuar ambasadore, po krijohet ideja, uroj të përgënjeshtrohem, që ky Samit i parë, po bëhet për të larë gojën, për të thënë “U krye edhe kjo!”, më shumë për mediat e ambasadat në Tiranë sesa për diasporën. I lënë për vitin e fundit të legjislaturës, ka nga ata që dyshojnë se është menduar si një veprimtari “pre-fushate zgjedhore”, që bëhet për t’u matur pulsin emigrantëve apo për t’i bërë për vete.

Duke i mirëkuptuar, siç e thashë edhe më lart, pyetjet e natyrshme që lindin për një gjë që bëhet për herë të parë, do të thoja se është e padrejtë që një ngjarje të paragjykohet pa ndodhur ende. Deri më sot, jo pa argumente, kemi dëgjuar të thonë se shteti shqiptar nuk ka bërë sa duhet për diasporën. Tani që kemi një përpjekje për të bërë diçka më shumë, ose diçka tjetër, dëgjojmë se ajo bëhet për këtë apo për atë arsye, arsye që nuk më takon mua t’i komentoj.  Dua të nënvizoj se ky është një hap i parë, që nuk do të zgjidhë gjithçka, por që besoj se do të hedhë bazat për një qasje më serioze dhe më të organizuar në të ardhmen.
Jam e sigurtë që në ditët në vijim do të ketë më shumë qartësi për programin, agendën, dhe aspekte të tjera të Samitit për të cilat ju flisni.  Por, paraprakisht mund t’ju them se çështjet e rolit të diaporës në zhvillimin ekonomik, sidomos në zhvillimin e turizmit, çështjet e ruajtes së gjuhës dhe të identitetit shqiptar, çështjet e përmirësimit të imazhit të vendit, çështjet e përfaqësimit të diasporës në diplomacinë shqiptare janë disa nga temat që do të diskutojë ky Samit. Samiti do të jetë forumi i përshtashëm për të diskutuar dhe vendosur së bashku për hapat që do të hidhen për të kryer regjistrimin e qytetarëve shqiptarë kudo ku ato janë, (pasi ne ende nuk kemi një regjistër të qytetarëve tanë jashtë vendit), çka do të hapte rrugën për të ecur gradualisht drejt përmbushjes së të drejtës së votimit për emigrantët tanë, sigurisht kur të kemi mjetet dhe infrastrukturën e nevojëshme për këtë gjë. Po kështu, Samiti do të jetë forumi ku do të flitet për mbrojtjen më të mirë të investimeve të diasporës në atdhe, për koordinimin e punës në fushën e aktiviteteve kulturore që shoqatat shqiptare dhe përfaqësitë diplomatike zhvillojnë, duke shkuar drejt një kalendari të përbashkët. Nuk po zgjatem më tej, por besoj se ka edhe shumë gjëra të tjera për të diskutuar dhe debatuar.
Të gjithë ata që kanë pikëpyetje apo dilema kanë rastin ta vënë në provë qeverinë dhe shtetin shqiptar, të testojnë seriozitetin e angazhimit të tij të sotëm dhe të nesërm ndaj diasporës. E përsëris, fjala është për të ndërtuar ura. Dhe për këtë, të gjithë ne duhet të nisemi nga ajo që na bashkon dhe jo nga ajo që na ndan.

Bisedoi Keti Biçoku
Lexo edhe:
Në nëntor, mbahet në Tiranë Samiti i parë i diasporës shqiptare
Dilema e samitit të diasporës
“Jam shqiptar”, takim i ministrit Bushati me shqiptarët e Italisë
Ministri Bushati në Romë: Shqipëria na përket të gjithëve, është koha për bashkëpunim të ri me diasporën
Shqipëria dhe emigrantët. Bushati: “Ka shumë për të bërë, por jemi në rrugë të mbarë”
Fjalët pa nishan të Presidentit
Presidenti Nishani, takim me përfaqësues të komunitetit
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)