Azilkërkuesit shqiptarë në BE, rreth 66 mijë në vitin 2015 - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Në një vit, shifra thuajse është katërfishuar. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve kërkojnë azil në Gjermani
25 vjet pas eksodit të madh, shqiptarët vazhdojnë të largohen nga vendi i tyre

Romë, 7 mars 2016 – Pikërisht këto ditë përkujtojmë 25 vjetorin e eksodit të parë masiv të shqiptarëve. Anijet e stërmbushura të marsit dhe Vlora e gushtit 1991 janë akoma të fiksuara në kujtesën tonë, simbol i ikjeve të mijëra e mijëra shqiptarëve nga vendi i tyre i sapodalë nga diktatura komuniste. Shifrat ishin të larta. U tha që 20-24 mijë mbërritën në brigjet e Puglias në mars. Rreth 20 mijë të tjerë mbërritën në gusht. Por mijëra shqiptarë kalonin kufirin e shkonin të provonin fatin edhe në Greqi. Të tjerë me mënyra të ndryshme provonin në vende të tjera.

E sot pas 25 vjetëve?  Edhe pse Shqipëria është vend demokratik e i sigurtë, duket se dëshira (nevoja) e shqiptarëve të mbetur në atdhe për t’u larguar është rindezur sërish vitet e fundit. Veç pakënaqësisë për mosrealizimin e pritshmërisë, varfërisë e mungesës së shpresës që mund të konsiderohen si diçka subjektive, janë shifrat zyrtare të vendeve të tjera ato që nuk lënë vend për diskutim por duhet të alarmojnë edhe qeveritarët e politikanët më optimistë apo moskokëçarës. Gjatë vitit të shkuar, një ndër dhjetë shqiptarë, ose është larguar nga vendi, ose ka bërë përpjekje konkrete në këtë drejtim.

Sipas ambasadës amerikane në Tiranë, në muajin tetor 2015 aplikuan për të shkuar në ShB.A rreth 200 mijë shqiptarë. Çdo vit ka shqiptarë që provojnë fatin me lotarinë amerikane, por asnjëherë nuk ishin kapur shifra e fundit: mbi 27 mijë aplikime më shumë se në 2014 dhe 76 mijë aplikime më shumë se në 2013.

Tani mbërrijnë edhe shifrat e Eurostat-it (agjencia evropiane për statistikat) mbi azilkërkuesit në BE. Pak a shumë e dinim prirjen edhe në këtë aspekt, falë alarmimit të Gjermanisë që nga muaj në muaj jepte shifrat shqetësuese të shqiptarëve azilkërkues. Eurostat thotë se gjatë vitit të shkuar kanë kërkuar strehim në një vend të BE-së 65.935 shqiptarë, shifër që ka arritur thuajse katërfishin e vitit 2014 (kur ishin 16.805) apo gjashtëfishin e vitit 2013 (numëroheshin vetëm 11.075 në atë vit). 

Në një epokë konfliktesh e eksode popujsh që vijnë drejt Evropës për t’i shpëtuar luftës, është shqetësuese të shohësh që nga 1.255.640 azilkërkuesit në BE gjatë vitit 2015, kosovarët (66.885 azilkërkues) dhe shqiptarët, renditen përkatësisht të katërtit e të pestët për numër aplikuesish për azil. Para tyre vetëm persona që vijnë nga Siria, Afganistani e Iraku.

E nëse në 1991-shin shqiptarët mësynin Greqinë e Italinë, ku ishte edhe më e lehtë të mbërrihej, tani që në Evropë shkojnë kudo pa viza, zgjedhin të kërkojnë azil në Gjermani, mëse 80% ose 53.805. Në atë shtet i kanë sytë edhe gjysma e azilkërkuesve kosovarë (33.425 persona).  E në Gjermani, shteti i BE-së me numrin më të lartë të azilkërkuesve (441.800) menjëherë pas sirianëve – azilkërkuesit më të shumtë në numër - renditen pikërisht shqiptarët e kosovarët gjë që ka sjellë edhe reagime të herëpashershme edhe të ambasadorit gjerman në Shqipëri por edhe marrje msash konkrete si futja e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, nga njëra anë, dhe lehtësimi i futjes së shqiptarëve në tregun gjerman të punës në 130 profesione të ndryshme, nga ana tjetër.

Këto të mësipërmet, të ambasadës amerikane dhe të Eurostat-it, janë vetëm ato zyrtaret. Shifrat reale të shqiptarëve të larguar apo që provojnë të largohen janë edhe edhe më të mëdha. Janë të shumtë ata që kanë shkuar në vende të ndryshme europiane e nuk janë kthyer në Shqipëri brenda tre muajve siç parashikojnë rregullat për liberalizimin e vizave. Për këta të fundit kemi si shembuj ata që janë në Itali, në mënyrë të paligjshme me kalimin e 90 ditëve të para, kërkojnë informacione në redaksi rreth ndonjë sanatoreje të mundshme apo duan të dinë si të përfitojnë një dokument nga një vëlla apo kushëri që ka marrë tashmë shtetësinë italiane apo ka një ndërmarrje e është i gatshëm t’i punësojë. Personat si këta nuk gjenden në asnjë prej statistikave të vendeve të Evropës, janë ata që këtej “nuk ekzistojnë”, që mundohen të gjejnë ndonjë punë në të zezë me shpresën se nuk do të ndalohen në rrugë nga forcat e rendit e se një ditë do të mund të marrin edhe ndonjë dokument qëndrimi.

Keti Biçoku/ Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)