Ditë e parë e aplikimeve për pasaporta pranë ambasadës në Romë - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

Sot në orën 11.15, A. Zela ishte personi i parë që aplikoi për marrjen e pasaportës biometrike në zyrën konsullore të Romës.

Nisi kështu procesi i shumëpritur i aplikimeve për lëshimin e dokumenteve

të reja edhe në Itali. Të pranishëm në këtë ditë të parë përveç stafit të zyrës dedikuar këtij shërbimi, ishin edhe ambasadori Llesh Kola disi i merakosur dhe i emocionuar, zëvendësministri Ferdinand Poni i sigurt dhe i kënaqur për shërbimin, Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i shoqërisë Aleat që prodhon dokumentet, Jean-Alain Jouan tejet i kujdesshëm ndaj ndjekjes së procesit, si edhe dy supervizorë teknikë të shoqërisë Aleat në mbështetje të të rinjve të stafit operativ, të cilët kishin trajnuar për ditë me radhë.

Deri në orën 13 arritën të aplikonin 20 shqiptarë, tre njëherëzi në tre poste të ndryshme aplikimi, pa hasur në ndonjë problem të veçantë. Aplikanti më i ri ishte një foshnjë pakmuajshe, dhe më i moshuari një 94-vjeçar. Të gjithë të qetë, të ulur në sallën e pritjes, me numrin në dorë, bënin radhën dhe i shprehnin njëri-tjetrit por edhe autoriteteve të pranishme kënaqësinë e tyre për ofrimin më në fund të këtij shërbimi. Një grua me djalë e me vajzë kishin ardhur nga Fidene, në të hyrë të Romës, një tjetër grua që vetë e kish bërë pasaportën në Shqipëri shoqëronte të bijën. Një vajzë e re nga Roma priste vetëm. Disa djem diskutonin me njëri-tjetrin.
Të gjithë kishin ardhur fillimisht zyrën konsullore, kishin marrë të dhënat e llogarisë rrjedhëse dhe kishin shkuar të paguanin në filialin e afërt të bankës Intesa Sanpaolo. Ndërsa tre aplikonin, një punonjëse e konsullatës u kontrollonte dokumentin e identitetit dhe mandatin e pagesës aplikuesit pasardhës.

Zëvendësministri Poni, mes batutave dhe përshëndetjeve me shqiptarët e pranishëm u shpreh i sigurt mbi mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit “pasi ecuria e tij deri këtu, në Shqipëri dhe Greqi, nuk ka lënë vend për asnjë dyshim”. Kur salla e pritjes nisi të zbrazej, zëvendësministri bashkë me përfaqësuesit e Aleat u larguan për të marrë avionin në drejtim të Milanos. Nesër ata do të përurojnë nisjen e procesit të aplikimeve për pasaportat biometrike pranë konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në kryeqendrën lombarde.

Keti Biçoku