Në Shqipëri 36 sportele punësimi për emigrantët e kthyer - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Ministria e Punës ka hapur për emigrantët e kthyer 36 sportele punësimi, të cilave u janë drejtuar për periudhën 2010 -2011, rreth 2.000 emigrantë të kthyer, ndërsa në vitin 2012, vetëm për 3 mujorin e parë të tij, rreth 440 emigrantë të rinj. Sipas ministrisë, 80% e emigrantëve të kthyer vijnë nga Greqia, 13% nga Italia, pjesa tjetër nga vendet e tjera të BE-së.

Tiranë, 10 maj 2012 - Kriza ekonomike botërore, e cila që prej 2008-ës ka dëmtuar sistemin ekonomik të disa prej vendeve të Europës,  në veçanti të Italisë dhe Greqisë, ka nxitur politikën shqiptare të mendojë për përballimin e fluksit të emigrantëve të kthyer, shqetësim ky i ngritur prej veçanërisht prej ministrisë së Punës dhe asaj të Arsimit.

“Për të siguruar një kthim të qendrueshëm për emigrantët e kthyer si dhe një integrim sa më të shpejtë në vend, shteti shqipëtar  ka hartuar një strategji me hark kohor 2010-2015, në mbështetje të procesit të ri-integrimit të tyre, pavarësisht formës së kthimit”. Kështu shprehet Thoma Miço, Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit (ShKP), në një intervistë për ATSH-në, me të cilën shpjegon në ç’drejtim janë fokusuar reforma e ministrisë së Punës dhe rrugën që duhet të ndjekin emigrantët për të përfituar nga këto shërbime.

Sipas Miços, “rritja e fluksit të emigrantëve të kthyer, ka sjellë nevojën e një rishikimi  të masave të strategjisë ekzistuese. Në lidhje me këtë, Sekretariati Teknik i Komitetit ndër-institucional i atashuar pranë Ministrisë së Punës, ka filluar punën për identifikimin e nevojave të reja në këtë fushë dhe vlerësimin e situatës aktuale të flukeseve migratore në vend”. 
Plani i masave të kësaj strategjie “përmban 42 objektiva që përfshijnë sektorët e veprimtarisë ekonomike dhe sociale në vend. Realizimi i tyre monitorohet çdo vit nga një komitet ndër-istitucional i cili kryesohet nga Kryeministri”. 

Sportelet në shërbim të emigrantëve

Sipas drejtorit të ShKP-së “si filllim u morën masat për krijimin e një infrastrukture sa më efektive dhe racionale duke përfshirë të gjithë institucionet publike me një shtrirje gjeografike në të gjithe vendin. U përmirësua baza ligjore ekzistuese mbi statusin e emigrantit të kthyer dhe e drejta e tij për të përfituar nga shërbimet shtetërore. Emigrantët e kthyer trajtohen tashmë si grupe prioritare në përfshirjen e tyre me të gjitha programet aktive të tregut të punës (veçanërisht programet e nxitjes së punësimit si dhe  ato të formimit profesional).

Janë ngritur sportele migracioni (me personel të trajtuar posaçërisht) në 36 Zyrat e Punësimit të cilat do të shërbejnë si pika kyçe për zbatimin e masave të veprimit të kësaj strategjie.     

Lidhur me shërbimin në sportele Miço bën të ditur se “detyrat kryesore të këtyre sporteleve janë, së pari intervistimi i emigrantëve të kthyer dhe krijimi i një tabele të dhënash me informacionet identifikuese të tyre, që shërben si bazë për zbatimin e të gjitha politikave për ri-integrimin e tyre në të gjithë sektorët. Identifikimi dhe vlerësimi i nevojave që ata kanë për ri-integrim, dhënia e informacionit për aktivitetin dhe pikat e referimit për të gjithë institucionet që operojnë në rajon, në përputhje të nevojave të tyre për ri-integrim. Këshillimi për punësim dhe orientimi profesional për emigrantet e kthyer që kërkojne punë”.

Emigrantët e kthyer

Lidhur me fluksin e personave të interesuar pranë këtyre sporteleve drejtori i SHKP-së thotë se se për periudhën e monitoruar 2010 -2011, janë paraqitur pranë këtyre sporteleve rreth 2.000 emigrantë të kthyer. Ndërsa për vitit 2012, vetëm për 3 mujorin e parë të tij, janë paraqitur pranë sporteleve të migracionit rreth 440 emigrantë të rinj, fluks ky 3 herë më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. 

Sa i takon karakteritikave të emigrantëve të regjistruar pranë sporteleve të migracionit, numri një i SHKP-së sqaroi se 80% e tyre vijnë nga Greqia, 13% nga Italia pjesa tjetër nga vendet e tjera të BE-së.
Sipas arsyes së kthimit 85% e tyre kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës ekonomike,  2% janë kthyer për të investuar në Shqipëri dhe 3 % e tyre për mungesë dokumentacioni. Sipas tipit të rikthimit, 70% e tyre janë kthyer familjarisht dhe për një afat të pacaktuar kohor. Sipas gjinisë, 35% janë femra dhe 50% janë kryefamiljarë. Sipas grupmoshës, spektri i shpërndarjes është pothuajse i njëtrajtshëm, mbi 25 vjeç e sipër. Niveli arsimor, 44% janë me arsim 9 vjeçar 49% janë me arsim të mesëm dhe vetëm 4% janë me arsim të lartë (pjesa tjetër janë me arsim fillor). 

Kërkesat prioritare të të kthyerve

Në rreth 58% të rasteve kërkojnë të punësohen,  22%  kërkojnë formimi apo riformim profesional,  5% janë të interesuar për hapjen e një biznesi, ndërsa pjesa tjetër është asistuar për procedurat e përfitimit të ndihmës ekonomike apo shërbimeve shëndetësore falas”. 

Punësimi në Shqipëri i emigrantëve të kthyer

I pyetur se sa e rëndësishme është dhe si shfrytëzohet eksperienca dhe formimi professional i fituar nga emigrantët jashtë vendit, për orientimin e tyre në tregun e punës, Miço shprehet se, “eksperienca profesionale e fituar gjatë punës në emigracion është një plus shumë i rëndësishëm për punësimin sa më të shpejtë të tyre. Shumë biznese, tha ai, në vendet e lira të punës fusin si preferencë të ketë punuar në emigracion sidomos për profesionet e zanatçinjëve. 

Lidhur me përqindjen e emigrantëve të regjistruar në sportelet e emigracionit dhe që janë përfitues të shërbimeve të punësimit, Miço njofton se me anë të sporteleve tona të punësimit për emigrantët kanë arritur të punësohen rreth 10% e të regjistruarve.

Sipas rajoneve, sqaroi ai, rezulton se në Shkodër janë punësuar  20%, në Tiranë 18%, Korçë 2%, Durrës 43%, Vlorë 7% dhe Berat10%”.

Sipas aktiviteteve ekonomike, rezulton të jenë 45% të punësuar në shërbime, 30% në industrinë e tekstilit dhe veshjeve, 15% në ndërtim dhe 8% në informacion dhe komunikacion (call center). Sipas gjinisë, vetëm 16% e tyre janë femra, ndërsa sipas grupmoshave, 80% janë 20-35 vjeç, sipas nivelit arsimor 33% janë me arsim 9-vjeçar, 50% janë me arsim  të mesëm dhe vetëm 10% janë me arsim të lartë (pjesa tjetër janë me arsim fillor)” tha Miço.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit bën të ditur gjithashtu se janë perfshirë në kurse formimi profesional rreth 15% e tyre, nga ku 32% janë në Lezhë, 25% në Shkodër (ACLI - IPSIA Caritasi Italian dhe Drejtoria Rajonale dhe Formimit Profesional Publik Shkodër), 20% në Tiranë, 10%  në Vlorë, 8% në Durrës dhe pjesa tjetër në Korçë, Berat dhe Elbasan. Sipas kurseve, 20% janë trainuar për sipërmarrje, 14% për hidraulik, 10% për  instalues elektrik, 23% janë rrobaqepës dhe pjesa tjetër riparues panelesh diellore, riparues makinash qepëse, sekretar, kuzhinier, parukier etj”, përfundoi Miço.