Fjalët pa nishan të Presidentit - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Për 25 vjet, takime pa bereqet ka pasur aq shumë, sa tani ato jo vetëm të lodhin, por me kotësinë e tyre mund edhe të të ofendojnë. I tillë mund të konsiderohet edhe ai me Presidentin e Republikës zotin Bujar Nishani
Nga
Keti Biçoku
 

Nga takimi i Presidentit me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali. Romë, 10 tetor 2016. Foto e president.al

Edhe pse pritshmëria nuk ishte e lartë, gjithsesi një fije shprese ekzistonte se mund të përgënjeshtronte paragjykimet që e paraprinë. Por ajo çka u tha në takim, përkundrazi, përforcoi idenë se veprimtari të tilla me politikanët shqiptarë po kthehen në humbje kohe.

Presidenti erdhi, takoi Presidentin italian e meqë ishte, takoi edhe përfaqësues nga komuniteti. Për t’u thënë sa të rëndësishëm janë italo-shqiptarët për Shqipërinë, sa shumë mund t’i japin asaj, njësoj siç u kish thënë para ca ditëve përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan; për t’u treguar sa mirë janë integruar e që jetojnë nga të katër anët e Italisë (ishte e nevojshme t’ua thonte ai këto gjëra?); për t’u thënë që një grup mjekësh shqiptarë nga Amerika kanë vendosur të shkojnë në Shqipëri të japin kontributin e tyre falas (e shqiptarët e Italisë, në ç’fushë mendojnë të japin kontributin e tyre falas për mëmëdheun?); për t’u kujtuar të pranishmëve kohët e largëta kur ndiqej Sanremo, fshehurazi por me pasion, në Shqipërinë komuniste; për t’u folur për situatën e Shqipërisë lidhur me korrupsionin e naftën (?) etj. Foli rreth treçerekore për të përfunduar me ftesën për të pranishmit për “komente, pyetje apo kuriozitete”.

Nga salla, ku të pranishëm ishin – të gjithë në këmbë gjatë gjithë kohës – një grup përfaqësuesish të shoqatave të forumit FARE nga veriu i Italisë, shqiptarë nga Roma dhe shumë nga personeli i ambasadës, e mori fjalën Esmeralda Tyli për t’i kujtuar presidentit të drejtën e votës (që ai as nuk e përmendi gjëkundi në mëse 45 minutat që foli), Roland Jaçe që i kërkoi t’u nisë një mesazh ligjvënësve në mënyrë që të marrin mbi vete përgjegjësitë lidhur me çështjet e diasporës. Foli edhe dikush tjetër, që të më falë që nuk ia mësova dot emrin, që sidoqoftë nuk tha gjë me rëndësi për komunitetin por thjesht ia ndjeu zemra t’i thurte lavde mikut të madh. Pas tre ndërhyrjeve nga salla presidenti nuk e mori më fjalën.

Për t’i rënë shkurt, kush dëshiron të lexojë ç’tha presidenti (apo më mirë akoma, një version të zbukurar të fjalës së tij) mund të shkojë në faqen zyrtare të institucionit: Presidenti Nishani takohet me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali. Ndërsa ndërhyrjet nga komuniteti i përcjell të plota Rando Devole në shkrimin e tij Kur ka probleme sintonizimi në revistën online Peizazhe të Fjalës.

Çfarë mbeti nga ai takim? Bindja që u humb kohë kot. Do të ishte e udhës që emigrantëve t’u kursehen të tilla aktivitete, që lajmërohen si bashkëbisedime por të tilla nuk janë. Që duhet të trajtojnë çështje të diasporës por që as përmenden gjëkundi. Emigrantët përsërisin prej vitesh të njëjtat gjëra: e drejtë vote për emigrantët, para së gjithash, politika për ruajtjen e gjuhës e lehtësimin e mësimit të shqipes jashtë vendit etj. E kush vjen, zakonisht në kohë fushate, e nis gjithnjë nga e para: na bën ca histori, pastaj ca premtime e mirutakofshim sërish.

Në takimin në fjalë, Presidenti nuk tha një fjalë për përpjekjet e bëra deri më sot për çështje të diasporës, përveç takimeve me përfaqësues të tyre. Asnjë fjalë për ndonjë nismë të ndërmarrë pas këtyre takimeve, siç ishte edhe ai i para një viti me përfaqësues shoqatash të forumit FARE që shkuan në Tiranë për t’i shtruar Presidentit e institucioneve të tjera një sërë kërkesash, mbi të gjitha, atë për të drejtën e votës.

Presidenti nuk foli për Samitin e për ngjyrimin politik që mund të ketë, siç ishte shprehur hapur në një intervistë në Amerikë para pak ditësh. Ai, të paktën publikisht, nuk tha gjë, por pjesëtarë të stafit të tij, në muhabet e sipër me kë kërkonte të dinte diçka më shumë apo që bënte vërejtje rreth takimit që akoma nuk kish përfunduar, nuk e fshehën aspak shpërfilljen për Samitin e nëntorit të organizuar nga “ata” të Qeverisë.

Me gjithë respektin për institucionin e Presidentit, duhet thënë që takime si ai i pasdites së 10 tetorit, janë të kota e mund të perceptohen si fyese për emigrantët (aty kishte persona që vinin nga larg, që kishin bërë orë rrugë. Për të dëgjuar çfarë?). Ose përfaqësues të diasporës të mblidhen për t’u marrë vërtet mendim apo për t’u dhënë ndonjë lajm mbi hapa konkrete të hedhura, ose politikanët e institucionet tona të mos lodhen fare e të lënë emigrantët në punën e vet.

Meqë i kanë shumë për zemër shqiptarët në mërgim, mund të takohen me përfaqësues të tyre për sebepe: festat e nëntorit, ato të fundvitit, ndonjë ceremoni dekorimi, e të tjera si këto. Kur pritshmëria për ndonjë rrugëzgjidhje është zero, edhe historitë e të shkuarës rreth Sanremove apo kur Al Bano vine për të kënduar në Tiranë kujtohen me kënaqësi.