Në konsullatën e Milanos tani takimet merren edhe on line, falas - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Një gjë të tillë propozonte edhe Shqiptari i Italisë kur denonconte prenotimin e detyrueshëm me anë të një numri me pagesë (deri 15,00 euro) të vënë në dispozicion nga konsullata nga 12 marsi i shkuar për të gjitha shërbimet e ofruara prej saj. Por takimet jepen për në shtator, dhe për  çdo paqartësi apo ndërrim takimi, konsullata të drejton gjithnjë në numrin me pagesë

Romë, 9 korrik 2012 – Prenotimi u bëka edhe pa pagesë! Javët e fundit, në faqet internet të Konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në Milano lajmërohet një sistem i ri prenotimi për kryerjen e shërbimeve pranë konsullatës. Këtë radhë FALAS, përmes internetit.

Një të tillë propozonte edhe Shqiptari i Italisë kur denonconte prenotimin e detyrueshëm me anë të një numri me pagesë (deri 15,00 euro) të vënë në dispozicion nga konsullata nga12 marsi i shkuar për të gjitha shërbimet e ofruara prej saj. Një sistem të tillë shpresonin të kishin edhe qytetarët. Për këtë arsye Shqiptari i Italisë ngriti zërin edhe me ministrin e Jashtëm të asokohe Edmond Haxhinasto, që ra dakord parimisht që “shqiptarët nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga ç’parashikojnë tarifat shtetërore të shërbimit konsullor”, por që nga ana tjetër nuk bëri asgjë për heqjen e shërbimit të prenotimit me pagesë nga konsullata e Milanos, që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot e kësaj dite.

Por të paktën tani jepet mundësia edhe për prenotim falas, edhe pse për çdo paqartësi apo ndërrim takimi, në përgjigjen e saj, konsullata të drejton gjithnjë në numrin me pagesë.

Konkretisht, në sitin e Konsullatës thuhet se takimet merren edhe on-line, pra falas, në http://80.90.82.94:85/app_konsullata/

Në këtë faqe zgjidhet arsyeja e takimit  mes tre opsioneve:

1. Aplikim për pasaportë ose kartë identiteti

2. Tërheqje e pasaportës ose të kartës së identitetit

3. Shërbime të përgjithshme konsullore

Më pas përpilohet në të gjitha fushat e tij një formular i thjeshtë me emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresë email, shënime, e së fundi shkruhet kodi i kontrollit.  Shtypet butoni “Vazhdo” dhe kërkesa juaj e prenotimit niset e në ekran shfaqet mesazhi “Kërkesa juaj u dërgua me sukses. Ju do të njoftoheni sa më shpejt me email për datën dhe orën e takimit”.

Para botimit të këtij artikulli,  redaksia bëri një provë për një lexuese të gazetës, Artemis B. Në të vërtetë, plotësuam dy herë kërkesën për prenotim: njëherë më 28 qershor e herën e dytë më 5 korrik. Përgjigjen e morëm në 5 korrik, por takimi jepet për datën 6 shtator, shumë vonë për Artemisin që, për këtë arsye, vendos të aplikojë për pasaportë në Romë, ku mbaron punë brenda ditës pa prenotim.

Një gjë bie në sy në përgjigjen e Konsullatës: rreshti i fundit i mesazhit publicizon numrin me pagesë. “Për çdo paqartësi ose ndryshim të orarit të takimit ju lutem kontaktoni në numrin 8959697901”, pasi adresa nga vjen mesazhi është vetëm për dërgimin e emaileve”, ndaj kërkohet “Ju lutemi mos iu përgjigjni këtij email”.

Pra qoftë edhe për të anuluar takimin e dhënë për dy muaj më pas, konsullata kërkon që qytetari gjithsesi një haraç t’ia paguajë.

Keti Biçoku

Lexo edhe:

Taksa-shtesë mbi dokumentet e Republikës Autonome të Konsullatës Shqiptare në Milano
Ministri i Jashtëm Haxhinasto: Do të reagojmë për shërbimin e prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos 
Ambasadori Kola: “Nuk përgjigjem për Milanon. Ju tregoj modelin tonë”