Konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Bari, tashmë edhe e Kosovës - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Për qytetarët kosovarë do të ofrohen shërbime konsullore pranë selisë së konsullatës së Shqipërisë, siç ndodh prej dy vjetësh në Milano
 

Prishtinë 16 gusht 2016 – Selia e Konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në Bari tashmë është edhe e Kosovës. Lajmin e dha ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës që deklaroi se për shtetasit kosovarë që jetojnë në Itali ofrohen shërbime konsullore dhe në qytetin e Barit, në selinë e Konsullatës së Shqipërisë (në adresën Corso Vittorio Emanuele 171, 70122 Bari).

Shërbimet ofrohen në bazë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Shqipërisë për të mbështetur njëra tjetrën në shërbimin diplomatik dhe konsullor dhe ishte paralajmëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Tiranë në korrik të këtij viti. Ky hap pason përvojën e ngjashme në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano ku, prej 16 shtatorit 2014, u ofrohen shërbime konsullore shqiptarëve dhe kosovarëve.

Ofrimi i shërbimeve konsullore për qytetarët e Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari bëhet për të mbështetur dhe për t’u ardhur në ndihmë shtetasve të Kosovës që jetojnë në rajonet e Jugut të Italisë, por edhe për të gjithë ata që zgjedhin Barin si portin hyrës ose dalës për udhëtimet, pushimet apo lëvizjet e tyre nëpërmjet Shqipërisë për në Kosovë.

Lexo edhe: Konsullata e Milanos, nga sot është e të gjithë shqiptarëve