Mbahet Konferenca I vjetore e rrjetit të migracionit për Ballkanin Perëndimor - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Shifrat e 25 vjetëve të fundit janë alarmante, akoma më shumë fluksi i lartë i azilkërkuesve ballkanas në BE gjatë vitit të shkuar. Sipas Bankës Botërore për migrimin ndërkombëtar tregon se popullsia e migruar nga Shqipëria përfaqëson rreth 45% të popullsisë aktuale të saj.

Tiranë, 18 prill 2016 – Në Tiranë zhvilloi punimet konferenca e parë vjetore e rrjetit të migracionit për Ballkanin Perëndimor. Morën pjesë 7 institute hulumtues nga 7 vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, që kanë krijuar rrjetin, ekspertë nga fusha e migrimit që vijnë nga vende të ndryshme evropiane, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Italinë dhe Austrinë, përfaqësues të qeverive, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, sektorit akademik, media, studentë, etj.

Akademiku Anastas Angjeli, në fjalën e mbajtur në këtë konferencë tha se kjo migrimit është një temë shumë e rëndësishme, e pranishme në 25 vitet e fundit por që shihet shumë e mprehtë dhe në ditët e sotme. “Një raport i fundit i Bankës Botërore për migrimin ndërkombëtar – vuri në dukje ai – tregon se popullsia e migruar nga rajoni ynë përfaqëson rreth 29% të popullsisë aktuale dhe në disa vende, si në Shqipëri dhe Bosnje&Hercegovinë, arrin në 45% të saj”.

“Që nga fillimi i tranzicionit pas-socialist vendet e Ballkanit Perëndimor karakterizohen nga flukse të larta të migrimit ndërkombëtar, por disa vende si Bosnja Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia dhe Serbia i kanë njohur këto procese që nga fundi i viteve 1960, kur ish-Jugosllavia hapi kufijtë dhe i nxiti qytetarët e saj të punonin në vendet e Europës Perëndimore” tha Angjeli.

Sipas tij, shkaqet e migrimit në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndryshme. “Në disa vende mbizotërojnë faktorët ekonomikë, në disa të tjera janë konfliktet ndëretnike dhe në disa të tjera një ndërveprim i dy faktorëve të mësipërm. Intensiteti i lartë i migrimit i ka vendosur këto vende në krye të listës së vendeve të Europës Lindore e Qëndrore”.

Gjatë viteve të fundit, sidomos gjatë 2015-ës, disa procese të reja janë vërejtur në vendet e Ballkanit Perëndimor. “Nga njëra anë numri i azil-kërkuesve drejt vendeve të BE, kryesisht për shkaqe ekonomike, është rritur. – tha Angjeli – Ndërsa nga ana tjetër, flukse të mëdha migrantësh, kryesisht nga Siria, kaluan transit nga disa vende të Ballkanit Perëndimor në drejtim të vendeve të BE. Kjo i ka kthyer vendet e Ballkanit Perëndimor në vende të origjinës dhe pritëse, duke ndryshuar kështu edhe tematikën e studimeve”.

Në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, krahas analizës së flukseve migratore, theksi po vihet gjithnjë e më shumë në raportin e migrimit me zhvillimin. A do të jetë rajoni ynë një prodhues i vazhdueshëm i flukseve migratore apo nëpërmjet politikash të reja, migrimi mund të kontribuojë në zhvillimin dhe ndoshta rikthimin e një pjese të migrantëve? Por çfarë politikash duhet të ndërmarrim dhe çfarë duhet të mësojmë nga eksperienca e njëri tjetrit? Çfarë kushtesh duhet të krijojmë në vendet tona në mënyrë që këto politika të jene efikase?

Bashkëpunimi mes institucioneve kompetente të pavarura dhe ekspertëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët punojnë prej vitesh në fushën e migrimit, nënvizoi Angjeli, është shumë i rëndësishëm. Ky bashkëpunim, sipas tij, do të prodhojë analiza dhe do të nxisë politika të reja, të cilat duhet të synojnë maksimizimin e pasojave pozitive dhe minimizimin e atyre negative të migrimit.