Mësimi që shtetet mund të marrin nga qytetet mbi integrimin e migrantëve - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Shtetet kanë provuar tashmë se sfida e imigrantëve është një çështje aq frikësuese për to saqë e kanë përballuar duke hartuar strategji sigurie, por në nivel vendor, qytetet po japin shembuj mbresëlënës të integrimit të imigrantëve dhe refugjatëve në shumë shtete të botës.
Nga Peter Sutherland, Weforum.org
 

Në shumë shtete, veçanërisht në Europë, imigracioni është përkufizuar gjithnjë e më tepër si një problem sigurie. Politikanët tradicionalë, për shkak të presionit nga populistët që shfrytëzojnë frikën, po bëjnë thirrje për kufizime të mëtejshme dhe disa vende po shkelin detyrimet e tyre ligjore dhe përgjegjësinë morale për të ofruar mbrojtje ndaj refugjatëve që po i largohen konflikteve.

Por nuk ka vetëm lajme të këqija. Ndërsa diskursi politik pengon veprimin efektiv në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, në nivel vendor, iniciativat progresive dhe efektive të integrimit të imigrantëve po lulëzojnë.

Kryebashkiakët dhe administratorët vendorë po ndërtojnë struktura sociale dhe fizike që mbështesin pranimin e imigrantëve dhe refugjatëve në komunitete lokale. Për ta, të ardhurit nuk janë vetëm statistika; ata janë njerëz të vërtetë – dhe anëtarë me potencial produktiviteti për komunitetin vendas. Çelësi i thithjes së potencialit të tyre, sipas kuptimit të zyrtarëve, është një proces integrimi i menaxhuar mirë.

Një polic maqedonas përshendet refugjatët në tren. 25 gusht 2015. Foto nga Elvin Shulku

Sigurisht, një proces i tillë është kompleks dhe mund të shtojë shqetësime mes banorëve. Të rinjtë e mbërritur në komunitet shpesh paraqesin presion të madh mbi qendrat urbane, veçanërisht në qytetet që tashmë po vuajnë nga burimet e pakëta. Sfidat – nga ofrimi i aksesit në strehimin dinjitoz dhe kujdesin shëndetësor te sigurimi i rrjeteve të transportit dhe shkollave që mund të përballojnë rritjen e kërkesës – janë të shumta dhe të mëdha.

Kjo është arsyeja përse një qasje proaktive – pa përmendur zgjuarsinë – është kaq e rëndësishme. Dhe kjo është pikërisht ajo që administratorët e shumë qyteteve po tregojnë.

Me kartën vendore të identitetit të qytetit të Nju Jorkut, IDNYC, të gjithë banorët, pavarësisht statusit të tyre, fitojnë akses në një shumëllojshmëri shërbimesh. Në Sao Paulo, imigrantët mund të kontribuojnë në diskutimet e politikave publike përmes një këshilli pjesëmarrës. Këshilli vendor i Barcelonës, si pjesë e një plani më të gjerë të kohezionit social, lançoi “fushatën anti-thashethem”, që përdor një seri librash komikë për të luftuar stereotipat negativë rreth emigrantëve.

Përmes bashkëpunimit me bizneset vendore, liderët vendorë kanë kanalizuar gjithashtu burimet drejt promovimit të sipërmarrjes dhe trajnimit për punë të imigrantëve. Në Auckland, Zelandë e Re, ku një e treta e popullatës ka lindur në një vend të huaj, projekti Omega, frymëzuar nga një iniciativë kanadeze, njeh imigrantë të rinj me mentorë të aftë dhe ofron intershipe të paguara. Në Londër, Projekti Bike riciklon biçikletat e nxjerra nga përdorimi dhe ia jep ato imigrantëve për transport. Ka mijëra projekte të tjera si këto, që ndihmojnë imigrantët dhe refugjatët të ndërtojnë jetë të reja në komunitetet e tyre aktuale.

Edhe më mirë, iniciativat mbeten vetëm në nivel qytetesh individuale. Liderët vendorë dhe autoritete lokale po formojnë aleanca me homologët kudo në botë për të gjetur zgjidhje për probleme të përbashkëta, për të ndarë praktika më të mira dhe për t’i kthyer sfidat e integrimit në mundësi të reja. Për shembull, oficerët e policisë nga Toronto, një qytet shumë multikulturor, kanë trajnuar homologët e tyre nga Amsterdami në afrimin me komunitetin.

Forumi Bashkiak mbi Mobilitetin, Migracionin dhe Zhvillimin, një platformë e mbështetur nga OKB, synon të çojë përpara pikërisht këtë lloj dialogu dhe bashkëpunimi mes kryebashkiakëve të botës, liderëve vendorë dhe autoriteteve rajonale. Lançuar në 2014 në Barcelonë, forumi, që mblidhet çdo vit, operon mbi parimin e qendrave urbane të shëndetshme dhe të qëndrueshme – një përbërës kyç për dinamizmin dhe suksesin e çdo vendi – në lidhje me të drejtat e barabarta, detyrat dhe mundësitë për banorët e vet.

Forumi gjithashtu inkurajon komunitetin ndërkombëtar të angazhohet me qytetet si “aktorë kyçë në diskutimet dhe proceset e vendimmarrjes mbi hartimin e politikave të imigracionit”. Mbi të gjitha, qytetet – që tashmë strehojnë më tepër se gjysmën e popullatës së botës, normë që do të rritet në 66 për qind në vitin 2050 – kanë shumë eksperiencë në integrimin e banorëve të rinj, që vijnë nga një vend tjetër dhe nga zonat rurale.

Problemi është se, pavarësisht trasferimit të fuqisë te qeveritë vendore – një trend i vendeve të zhvilluara që po përhapet në botën në zhvillim – shumë qytete ende operojnë mbi burime dhe autoritet veprimit të kufizuar. Kjo duhet të ndryshojë – një imperativë që Vatikani e theksoi së fundmi. Kur Akademia Papnore e Shkencave lajmëroi se do të organizojë një samit mbi refugjatët dhe migrantët në fund të këtij viti, ajo theksoi se kryebashkiakëve “duhet t’u ofrohet aftësia për të plotësuar nevojat dhe akomoduar të gjitha llojet e migrantëve apo refugjatëve”.

Debatet kombëtare dhe ndërkombëtare rreth migracionit kanë shumë të meta, pasi ato përqendrohen te siguria dhe për pasojë këtë bëjnë edhe politikat që vijnë prej tyre. Nëse autoritetet bashkiake – që kanë ofruar gatishmërinë dhe aftësinë për të arritur integrim në mënyra inovative – do të kishin më tepër pushtet për të hartuar politikat e imigracionit, të gjithë do të përfitonin.

Botuar në Reporter.al