Në konsullatën e Milanos shërbime vetëm me prenotim. Prenotimi me pagesë - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

Një kosto më shumë për të gjithë ata që do të kenë nevojë për shërbimet e konsullatës së Milanos. Përveç kostos së pasaportës apo të lejes së kalimit, sa për të përmendur dy nga shërbimet që po bëhen urgjente për mijëra shqiptarë në Itali, nga 12 marsi të interesuarit duhet të shpenzojnë deri në 15 euro më shumë për të marrë takim në konsullatë. Madje takim duhet marrë edhe për tërheqjen e pasaportës siç lajmëron vetë konsullata në sitin e saj.

Në fakt, më 1 mars, konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Milano njofton se do të ofrojë shërbimet e veta vetëm me takime të marra me telefon. Nga data 7 mars do të jetë aktiv numri 8959697901, nga e hëna në të shtunë, nga ora 09:00 deri në orën 19:00.

Konsullata lajmëron gjithashtu se shërbimi është me pagesë: “Kostoja maksimale e telefonatës është 1 euro në minutë nga operatorët e telefonisë fikse, 12,91 cent në përgjigje dhe 1,30 euro për minutë nga operatorët Tim dhe Wind, dhe 12,91  cent në përgjigje dhe 1,50 euro në minutë nga operatorët Vodafon dhe H3G për një vlerë maksimale prej 15 eurosh”.

Duket abuzim me emigrantët veçanërisht prenotimi me pagesë për tërheqjen e dokumenteve, siç mund të lexohet në faqet e saj on-line: “Duke filluar nga data 12.03.2012 ju njoftojmë që tërheqja e pasaportës bëhet vetëm me takim, për të cilin duhet të kontaktoni numrin 8959697901  nga e hëna – shtunën nga ora 09:00 – 19:00”. Nëse të interesuarit kontrollojnë faqen internet të konsullatës dhe shohin se janë gati pasaportat e periudhës kur ai ka aplikuar, nuk kuptohet pse duhet edhe të telefonojnë? Kanë paguar për të marrë takim në konsullatë për të aplikuar (deri në 15 euro), kanë paguar 108 euro për pasaportën e 10 euro për letërnjoftim, që të paguajnë edhe për tërheqjen duket vërtet e tepruar. Ndodh vërtet që jo të gjitha pasaportat për të cilat është aplikuar brenda datës së dhënë kanë mbërritur në Konsullatë, por këto janë të rralla, dhe emigrantët shqiptarë kanë paguar aq sa ta meritojnë një telefonatë nga konsullata për t'u lajmëruar në këto raste.

Shqiptari i Italisë