Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Helmut Hoffmann, Ambasadori i Gjermanisë, gjatë një vizite në Shkodër ku ka diskutuar me kryetarin e Bashkisë për investimet gjermane në qytetin verior, është ndalur edhe mbi numrin në rritje të azilkërkuesve shqiptarë dhe ndikimin që dukuria mund të ketë në heqjen e regjimit të lëvizjes së lirë në Schengen.  

Numri i azilkërkuesve po pëson një rritje dramatike. Gjermania ka traditë të njohë statusin e refugjatit e të japë lejet e qëndrimit, por vetëm pas verifikimeve të kujdesshme. Por në rastin e shqiptarëve, po të shohim statistikat, maksimumi 1 në 100 azilkërkues merr statusin e azilantit politik. Pra konkluzioni është i qartë, bëhet fjalë për emigracion ekonomik. Praktika tregon se të gjitha ata shqiptarë që janë përpjekur të marrin statusin e aziltantit, janë kthyer në Shqipëri” është shprehur Hoffman.

Por pyetjes nëse rrezikojmë që Gjermania të kërkojë që tani heqjen e regjimit të lëvizjes së lirë për qyetarët shqiptarë, ambasadori gjerman i është përgjigjur: "parimisht po, por nuk jemi në një situatë të tillë. Gjithsesi të gjitha zhvillimet janë duke u ndjekur hap pas hapi. Nëse vazhdohet të paraqiten kërkesa azili me këto ritme, Shqipëria rrezikon vërtet që qytetarët e saj të mos munden të lëvizin lirisht në Schengen”, tha Hoffmann.

Sipas Eurostat, zyra Evropiane e Statistikave, Shqipëria renditet e dyta në rajon për numrin e lartë të azilkërkuesëve në vendet e BE-së. Sipas të dhënave më të fundit, nga 1 korriku 2013 deri më 1 korrik 2013, kanë kërkuar azil në vende të ndryshme të BE-së 14.145 shqiptarë. Por kuptohet që tendenca është në rritje, po të shihet se nga këta, 8.305 e kanë kërkuar vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Të dhënat Eurostat mbi kërkesat e azilit gjatë 5 tremujorëve të fundit deri më 31 korrik 2014:

 

Por dokumentet biometrike me të cilat shqiptarët janë pajisur deri më sot do të vazhdojnë të jenë të vlefshme. E pohon ministri i brendshëm Tahiri

Nga 1 janari 2015 shqiptarët do të pajisen me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike “të reja” apo e thënë me fjalët e qeverisë, më të sigurta se të sotmet. Kryeministri Rama, pjesëmarrës në konferencën “Letërnjoftimi, siguria juaj për shërbimet elektronike”, e zhvilluar më 11 tetor nga Ministria e Inovacionit, tha se përmes dokumenteve të dixhitalizuara me më shumë elemente sigurie do të arrihet të luftohet korrupsioni i sporteleve, pasi shumë shërbime do të ofrohen online. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se dokumentet e reja të identifikimit do të kenë elemente të shtuara sigurie, të cilat do të jenë në duart e qytetarëve prej janarit të vitit 2015. Sipas ministrit, nëpërmjet elementeve të shtuara të sigurisë në pasaporta dhe letërnjoftime do të përmirësohet cilësia e shërbimeve, do të rritet efektiviteti i administratës dhe do të ulet mundësia për korrupsion. Në fakt, nga 1 janari parashikohet që dokumentet e identifikimit të sigurojnë “implementim të protokollit të sigurisë, teknologji të re kontrolli të avancuar, element sigurie me prekje në sipërfaqen e kartës, element sigurie nëpërmjet shenjës së gishtave, element sigurie nëpërmjet verifikimit të fytyrës”.

Pra nuk kalojnë as pesë vjet nga pajisja e detyrueshme e qytetarëve me letërnjoftime elektronike, të pajisura me çip personal të dhënash, dhe pasaporta biometrike që edhe asokohe na u shitën si më të mirat e mundshme, shqiptarët do të duhet të pajisen me dokumente të reja identifikimi.

Kohë më parë mësuam edhe që çmimi i pasaportave dhe i letërnjoftimeve do të rritet me 25%, gjithnjë nga 1 janari.

Por një gjë duhet ditur sa më parë: a do të jenë sërish të detyruar qytetarët të ndërrojnë dokumentet me të cilat janë pajisur (e vazhdojnë të pajisen) ndërkohë? Pyetja është e frikshme, qoftë për telashet që u hapen qytetarëve, qoftë për kostot e larta që u duhet të mbulojnë. Madje këto – telashet e kostot – duhen shumëfishuar për atë pjesë të madhe të popullsisë që jeton jashtë Shqipërisë.

Në këtë aspekt, ministri Saimir Tahiri siguron në profilin e tij Facebook: “Për të shmangur keqkuptimin, dokumentet aktuale janë e do jenë plotësisht të vlefshme”. Më tej ministri sqaron: “Në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dy elementët biometrikë do të jenë në fuqi. Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga janari i vitit tjetër, do kenë në dorë një ndër dokumentet më të sigurta në Europë.
Por kjo nuk do të thotë se duhen rinovuar pasaportat aktuale që janë të vlefshme, pasi qytetarëve u janë marrë të dhënat (foto dhe gjurmë gishtash) kur kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta apo letërnjoftime ID, ndërsa nga janari 2015 ato bëhen aktive në system
”.

Urojmë që ky të jetë edhe qëndrimi zyrtar i Qeverisë e të mos kemi të papritura të hidhura për vitin e ri.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe: Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%

Janë "shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar” të cilëve më 15 shtator qeveria u bëri thirrje të kandidojnë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

Tiranë, 2 tetor 2014 - Janë 151 shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut që kanë kandiduar për Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. E ka pohuar ditën e parë të tetorit kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”.

Është fjala për ata që i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit, që nga mesi i shtatorit, në emër të Qeverisë, lajmëroi çeljen e garës – e hapur edhe shqiptarët që jetojnë jashtë – për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit mbikëqyrës të BSh-së. U vu menjëherë në dispozicion një adresë mail apostafat për nisjen e “letrave të shprehjes së interesit”, gjë që u bë, jo për të ndikuar zgjedhjen e anëtarëve, që i takon Kuvendit të Shqipërisë, por për të siguruar “mundësi përzgjedhjeje sa më të gjerë”. Si afat i fundit i vlefshëm për  shprehjen e kandidaturës përmes mail-it përcaktua data 30 shtator.

“Me 151 aplikantë mbyllet thirrja për shprehje interesi për kandidatë nga jashtë atdheut për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. FLM”, shkruan më 1 tetor Kryeministri Rama në postimin e tij.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Përurohet në Milano Përfaqësimi Konsullor i përbashkët i Shqipërisë dhe Kosovës. Të pranishëm edhe ministrat e jashtëm të të dyja vendeve

Romë, 16 shtator 02014 - Shqipëria dhe Kosova, që nga dita e sotme kanë një konsullatë të përbashkët në Milano.

Në selinë e re të Konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në kryeqendrën e Lombardisë, në rrugën Pirelli 30, do t’u ofrohen shërbime konsullore qytetarëve shqiptarë e kosovarë.

Në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së re të Shqipërisë, brenda së cilës do të kryhet gjithashtu dhe përfaqësimi konsullor i Kosovës, morën pjesë dy ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, anëtarë të trupit diplomatik dhe autoritete vendase.

Në fjalën e tyre, Ministrat Bushati dhe Hoxhaj vlerësuan se “konsullata përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik që kemi mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit tonë për të qenë sa më pranë bashkëkombësve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”.

Ky përfaqësim – i paralajmëruar që në fund të janarit gjatë vizitës së kryeministrit Rama e ministrit Bushati në selinë e vjetër të konsullatës - bazohet në Marrëveshjen e lidhur në Prishtinë më 14 mars2014, mes dy qeverive për “përfaqësimin konsullor dhe Protokollin e Veprimit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për përfaqësimin konsullor të Republikës së Kosovës pranë Konsullatës së Përgjithshme në Milano dhe përfaqësimin konsullor të Republikës së Shqipërisë pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra të Australisë në Prishtinë, më 14/3/2014”.

Që ditët e fundit të qershorit, kur trupi diplomatik shqiptar në Milano po përgatitej për ndërrimin e selisë, Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë, Luljeta Çobanaj, shprehej për Shqiptariiitalise.com se fluksi ditor prej 150 qytetarësh, pritej të shtohej ndjeshëm sepse “shumë shpejt, e njëjta seli do të përdoret edhe nga një staf konsullor i Republikës së Kosovës. Konsullata do të jetë vërtet e të gjithë shqiptarëve. Në hyrje të saj do të jenë tre flamuj, shqiptari, kosovari dhe italiani, dhe e shkruara “Eja të flasim shqip” me të cilën do t’u japim mirëseardhjen të gjithëve”.

Nga sot, Konsullata e Milanos në rrugën Giovanni Battista Pirelli, 30, pranë stacionit qendror të trenit (as 500 metra), është e të gjithë shqiptarëve. Të urojmë që të gjithë, kosovarë e shqiptarë,  të gjejnë aty vërtet një shërbim sa më cilësor e të shpejtë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Kthehen nga Greqia e Italia, por edhe nga Gjermania, Anglia e Shtetet e Bashkuara, kryesisht për shkak të krizës e humbjes së vendit të punës 

Tiranë, 7 tetor 2014 – Gjatë periudhës 2009-2013 janë kthyer në Shqipëri 133.544 emigrantë. Janë kryesisht meshkuj (74%), me moshë mesatare 38 vjeç dhe janë kthyer vullnetarisht (94,3%) kryesisht për shkak të krizës e humbjes së vendit të punës e të lejes së qëndrimit.

Këto janë shifrat që jep Instituti i Statistikave, Instat, dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, Iom, që prezanton sot në Tiranë një studim të thelluar mbi fenomenin e kthimit të emigrantëve shqiptarë gjatë viteve 2009- 2013.  

Fenomeni i emigrimit në shkallë të gjerë të popullsisë shqiptare, pas rënies së regjimit, ka  qenë në përmasa të papara më parë në nivel kombëtar. Nga ana tjetër, Censusi i Popullsisë dhe  Banesave i vitit 2011 nxorri në dukje jo vetëm një emigracion në vazhdimësi në shkallë të gjerë por gjithashtu edhe një rikthim me përmasa të konsiderueshme.  Këto dy fytyra të emigracionit shqiptar në ditët e sotme shtynë Instat e Iom të bëjnë një studim të thelluar pikërisht për “identifikimin e tipareve të emigrantëve të kthyer, shkaqeve të kthimit si dhe nevojat e tyre pas kthimit, por edhe të problematikave, avantazheve dhe disavantazheve të procesit të kthimit të një pjese të emigrantëve për vendin. Me synimin që ky studim të shërbejë për konceptimin  me efikasitet të politikave të reja apo përshtatjes së politikave ekzistuese për riintegrimin e  emigrantëve të kthyer”.    

Sipas studimit, të kthyerit vijnë nga vendet fqinje ku fluksi i emigrimit ka qenë më i fortë dhe ku është ndier më fort kriza financiare, ekonomike dhe e tregut të punës. Vijnë nga Greqia 70,8% e të kthyerve, nga Italia 23,7%. Por nuk mungojnë të kthyerit nga Gjermania (1,1% e gjithë të kthyerve), nga Anglia (1,6%) apo Shtetet e Bashkuara (0,6%).

Ndër arsyet kryesore të kthimit të kthyerit me dëshirë rendisin në vend të parë humbjen e vendit të punës, por edhe mallin për vendin, problemet familjare, mundësi më të mira punësimi në Shqipëri, plane investimi dhe probleme shëndetësore. Për të dëbuarit, shkaku kryesor ka qenë mungesa e dokumentit të qëndrimit apo refuzimi i kërkesës së azilit.

Studimi vë në dukje se emigrantët e kthyer në shumicë dërrmuese kanë nevojë për trajnime  profesionale në mënyrë që të gjejnë një vend pune, apo që një pjesë e të kthyerve janë me fëmijë në moshë të mitur, fëmijë që kanë nevojë për integrim në sistemin arsimor shqiptar.  Gati gjysma e emigrantëve kanë pasur arsim të mesëm para se të emigronin dhe vetëm  5,1% e tyre kanë kryer studime universitare ose pasuniversitare në vendin e  emigrimit.  

Gjithnjë sipas studimit, pjesa më e madhe e emigrantëve të kthyer  mendojnë se eksperienca e fituar në emigrim përbën avantazh për situatën pas rikthimit  por nga ana tjetër rreth 40% e tyre mendojnë se do të qëndrojnë në Shqipëri  përgjithmonë, ndërsa rreth një e treta e shohin kthimin në Shqipëri si të përkohshëm dhe  synojnë të emigrojnë përsëri.  

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Nga 1 tetori deri më 3 nëntor 2014, shqiptarët që dëshirojnë, mund të paraqesin kërkesë për lotarinë e famshme, për të përfituar një nga 50.000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë të autorizuara nga Kongresi amerikan për vitin 2016

Nis sot, më 1 tetor, në orën 18:00 (ora në Shqipëri) periudha e paraqitjes së kërkesave për Lotarinë Amerikane, apo për “vizën e shumëllojshmërisë” për vitin 2016 që do të mbyllet të hënën, më 3 nëntor 2014, në orën 18:00.

Në deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane thuhet se, nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar pёr lotarinë. Tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në Konsullatë, vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur.

Të interesuarit mund të plotësojnë elektronikisht formularin e kërkesës së lotarisë në http://www.dvlottery.state.gov, vetëm gjatë periudhës së regjistrimit. Aplikimet e pjesshme online dhe të gjitha ato me letër nuk pranohen. Aplikantët janë të lutur të mos presin deri javën e fundit të regjistrimit të periudhës së aplikimit, pasi kërkesat e shumta mund të krijojnë mbingarkesë në sistem dhe vonesë të regjistrimit të aplikimit.

Në udhëzimet e botuara nga shteti amerikan sqarohet  çfarë është lotaria në fjalë: “Programi i Vizave të Emigrantëve të Diversitetit i autorizuar nga Kongresi administrohet në bazë vjetore nga Departamenti i Shtetit dhe drejtohet bazuar në ligjet e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht të Seksionit 203(c) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA). Ky ligj për një grup emigrantësh të njohur si – emigrantë të shumёllojshmërisë, me viza, që u vihen në dispozicion personave prej vendeve me shkallë historikisht të ulët emigrimi në Shteteve të Bashkuara”.

Për vitin 2016, do të jenë në dispozicion 50.000 viza emigrantësh të shumëllojshmërisë (të lotarisë), lexohet në udhëzime ku theksohet që ata që dëshirojnë të kenë shanc “duhet të plotësojnë kërkesa të thjeshta, por të rrepta, të pranueshmёrisё në mënyrë që të kualifikohen për një vizë shumëllojshmërie”.

Një kompjuter përzgjedh rastësisht të zgjedhurit për vizën e lotarisë. Vizat shpërndahen mes gjashtë rajoneve gjeografike dhe brenda çdo rajoni, asnjë vend i veçantë nuk mund të përfitojë më shumë se 7% të Lotarive (DV-ve) të disponueshme për çdo vit, ku pjesa më e madhe e vizave do t'i shkojë rajoneve me raport më të ulët emigracioni dhe asnjë vizë nuk u shkon shtetasve të vendeve që kanë dërguar më shumë se 50.000 emigrantë në SHBA në pesëvjeçarin e fundit, siç janë për shembull Bangladesh, Brazil, Ekuador, Filipine, Indi, Kanada, Kolumbi, Kinë, Mretëria e Bashkuar, Meksikë, Peru, etj. Ndër këto vende nuk renditet Shqipëria, ndaj shqiptarët mund të vazhdojnë të aplikojnë për këtë lotari.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbatuar sistemin e regjistrimit elektronik, duke filluar që nga lotaria e vitit 2005 (DV-2005) për ta bërë procesin e lotarisë sa më efikas dhe të sigurt. Nga ç’lexohet në udhëzimet on-line, “departamenti përdor teknologji speciale dhe mënyra të tjera për të identifikuar ata persona që kryejnë mashtrim për qëllime emigracioni ilegal ose për ata persona që aplikojnë më shumë se një herë brenda të njëjtit vit”.

Veç të tjerash, ambasada amerikane tërheq vëmendjen për të pasur kujdes nga mashtruesit e mundshëm: " Nëse merrni një postë elektronike (e-mail) që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe se për të vazhduar duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, atëherë ju jeni viktimë e një mashtrimi. Vitet e shkuara, aplikantët fitues njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK) me anë të postës, JO me e-mail dhe të përzgjedhurve u jepeshin udhëzimet se si të vazhdonin në hapat e mëtejshëm të procesit.  QKK-ja nuk ju kërkon juve t’u dërgoni para (të holla) atyre, apo ndonjë Ambasade tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me postë apo nëpërmjet shërbimeve si Western Union. Për ata që kanë aplikuar për DV-2015, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit (Entry Status Check), i cili do të jetë në përdorim duke filluar nga data 1 maj 2014, në faqen e Internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore “Aplikimi Elektronik për Vizat e Shumëllojshmërisë” sqaron Ambasada.

Për të sqaruar sa më mirë të interesuarit ofrohet një udhëzues i hollësishëm (që mund të shkarkoni duke shtypur këtu) mbi mënyrën e paraqitjes së kërkesave dhe me përgjigjet e pyetjeve më të shpeshta mbi Lotarinë Amerikane.

Redaksia Shqiptari i Italisë

Kryeministri “fton shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar” të ofrojnë kontributin e tyre profesional për BSh-në duke kandiduar për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, “për një përzgjedhje mes sa më shumë kandidaturash, për të vendosur meritat si parakusht të përzgjedhjes dhe për të thelluar depolitizimin e Këshillit”

Tiranë, 15 shtator 2015 – Ndërkohë që lajmi i ditës është zbutja e masës së sigurisë për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, kryeministri Rama, përmes një postimi në Facebook, në emër të Qeverisë, lajmëron çeljen e garës – e hapur edhe shqiptarët që jetojnë jashtë – për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit mbikëqyrës të BSh-së. Kryeministri paralajmëron se, edhe pse qeveria po vë në dispozicion një adresë mail apostafat për nisjen e “letrave të shprehjes së interesit”, këtë e bën jo për të ndikuar zgjedhjen e anëtarëve, gjë që i takon Kuvendit të Shqipërisë, por për të siguruar “mundësi përzgjedhjeje sa më të gjerë”. Si afat i fundit i vlefshëm për  shprehjen e kandidaturës përmes mail-it përcaktohet data 30 shtator.

Ja komunikata e plotë e botuar nga kryeministri:

KONTRIBUT PROFESIONAL PER BANKEN E SHQIPERISE

Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane fton shqiptarët e shqiptaret që punojnë sot në sistemin financiar ndërkombëtar dhe që janë të disponueshëm të shqyrtohen si kandidatura të mundshme për t’u bërë pjesë e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, të postojnë letrën e tyre të interesit në adresën e çelur enkas keshillimbikqyresBSH[at]kryeministria.al.

Ky proces është tërësisht i bazuar në vullnetin e mirë të qeverisë për të dhënë kontributin e saj që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur dhe më e sigurtë nga situata e krijuar. Prandaj edhe pse ligji nuk përcakton apo rregullon ndonjë proces a procedurë shprehjeje interesi për mënyrën se si përzgjidhen kandidatët e Këshillit Mbikqyrës nga propozuesit e tyre përpara se të votohen në Kuvend, ne e çelim këtë proces:
a) Për të pasur një mundësi sa më të gjerë përzgjedhjeje
b) Për t’i dhënë hapësirë të merret në konsideratë kujtdo që ka mundësi të japë një kontribut si edhe dëshirë që ta bëjë këtë
c) Për ta ngritur Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë në një stad të ri përgjegjësie e përgjegjshmërie profesionale
d) Për të vendosur meritën si parakusht të përzgjedhjes dhe thelluar depolitizimin e Këshillit Mbikqyrës

Çdo i interesuar mund ta përcaktojë vetë nëse dëshiron ose jo që shprehja e tij e interesit të bëhet publike. Mbledhja e letrave të shprehjes së interesit në adresën keshillimbikqyresBSH[at]kryeministria.al do të vijojë deri në datën 30 shtator.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Tëitter)

Artikuj te tjere...