Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Ish ministri grek merr postin e Malmstrom. Misioni i tij? Të tërheqë sa më shumë persona kompetentë e me talent, të forcojë Frontex dhe të ngrejë një Sistem të Përbashkët për Azilin

Romë, 11 shtator 2014 – Lamtumirë Cecilia Malmstrom. Në krye të politikave të imigracionit të Komisionit Evropian për pesë vitet e ardhshme do të jetë greku Dimitris Avramopoulos.

Presidenti i ri Jean-Claude Juncker, ka komunikuar më 10 shtator detyrat e anëtarëve të skuadrës së tij.

Avramopoulos-it i besohet Imigracioni e Punët e Brendshme. Detyrë kjo që deri tani mbulohej nga suedezja Malmstrom, që ka ruajtur gjithsesi një post në komisionin e ri, por për të mbuluar tregtinë.

Politikani grek, ish diplomat, është eksponent i partisë konservatore Nea Demokratia. Ka qenë kryebashkiak i Athinës, deputet e disa herë ministër për Turizmin, Punët e Jashtme, Mbrojtjen, Shëndetësinë dhe Solidaritetin social. Konsiderohet një nga arkitektët e afrimit mes Greqisë e Turqisë.

Juncker i ka shpjeguar me një letër se cilat do të jenë objektivat e misionit të tij në Bruksel, duke filluar nga “politika e re evropiane e imigracionit të rregullt”, e aftë të “tërheqë kompetenca e talente për të cilat Evropa ka nevojë”. Do të niset me një revizion të direktivës mbi “Blu Card”, që parashikon kanale hyrjeje të lehtësuara për punonjësit më të kualifikuar.

Për të luftuar flukset e paligjshme, komisari i ri duhet “të fuqizojë efikasitetin e agjencisë për kufijtë, Frontex”, duke zhvilluar një sistem “që të mbledhë burime nga vendet anëtare”. Objektivi është të arrihet të rreshtohen me shpejtësi skuadra rojesh të kufirit, me rregullin që çdo Vend të japë kontributin e tij.

Avramopoulos do të ketë gjithashtu për detyrë të vërë plotësisht në funksionim Sistemin e Përbashkët të Azilit. Në këtë aspekt, do të nevojitet të zgjerohet më tej roli i Zyrës evropiane e mbështetjes së azilit, EASO, që duhet të bashkëpunojë veçanërisht “me dhe në vendet e treta”, dhe të zhvillojë një strategji për “përmirësimin e reagimit evropian ndaj emergjencave”, siç është për shembull fluksi i refugjatëve që po mbërrin në Itali.

Komisari i ri duhet edhe të përmirësojë kooperimin me Vendet e treta për sa i përket ripranimit të migrantëve të paligjshëm dhe të përforcojë bashkëpunimin strategjik mes BE-së dhe Afrikës.

Mes detyrave të tij si komisar edhe për Punët e Brendshme është, natyrisht, luftaa kundër krimit, e në aspektin e imigracionit, armiqtë quhen “trafikantë njerëzish”.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ministria lajmëron se korrigjimi i rubrikës Vendlindje do të përfundojë brenda tetorit e se më pas “shtetasit e interesuar mund të ndjekin procedurat në fuqi për pajisjen me këto dokumente”. Asnjë fjalë për ata që këto dokumente i kanë e u duhet t’i ribëjnë për një gabim që nuk varet prej tyre. Dikush duhet t’u shpjegojë pse duhet të paguajnë dy herë

Tiranë, 4 shtator 2014 - Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur nga puna për konkretizimin e ndryshimeve të parashikuara për mënyrën e shkrimit të toponimit në rubrikën “Vendlindja” në dokumentet e lëshuara nga shërbimi i Gjendjes civile për përdorim nga autoritetet e huaja, si dhe në sistemin e lëshimit të dokumentave të Identitetit.

Bëhet fjalë për zgjidhjen përfundimtare të problemit të toponimeve në letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike për shtetasit shqiptarë të lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht për ata që kanë lindur në Greqi.

Më 27 gusht, hidhet hapi i parë. Qeveria merr një vendim sipas të cilit përcaktohet që:
Në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve: 
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO; 
c) Rubrikat e tjera të certifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe
”.

Në pikën e dytë të vendimit lexohet se “ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për nxjerrjen e akteve për rregullat e plotësimit të rubrikës “vendlindja”, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”.

Tani, Ministria lajmëron që ka filluar puna për të realizuar ndryshimet e nevojshme në sistemet e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe Dokumenteve të Identitetit, si dhe në dokumentet që lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile (certifikatat për përdorim nga autoritetet e huaja) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike).

“Këto ndryshime priten të përfundojnë brenda muajit tetor 2014” lajmëron ministria sot, më 4 shtator, dhe se “me vënien në funksion të ndryshimeve, shtetasit e interesuar mund të ndjekin procedurat në fuqi për pajisjen me këto dokumente”. Praktikisht asnjë fjalë mbi çmimin. Çka do të thotë se i interesuari do të pajiset me dokumentet e reja duke i paguar njësoj sa ç’pagoi ato që shteti shqiptar ia lëshoi me të dhëna të gabuara (sepse nuk ishte qytetari ai që nuk respektoi marrëveshjet ndërkombëtare) vetëm 2-3 vjet më parë duke i shkaktuar jo pak telashe. Madje edhe atë pasaportë të parë biometrike ndokush e ka marrë nga halli, edhe pse pasaportën shqiptare të mëparshme mund ta kishte akoma të vlefshme dhe në xhep, as e kish humbur, as e dëmtuar: edhe atëherë ishte qeveria ajo që me një vendim i nxori nga qarkullimi të gjitha më 1 mars 2012 (duke paralajmëruar qytetarët vetëm dy muaj para). Duke u shkaktuar atëherë akoma më shumë telashe qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Vendimi i Qeverisë i 27 gushtit. Hapi i parë drejt zgjidhjes së problemit të toponimive
Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%

Si do të jenë certifikatat dhe pasaportat e reja:

Si janë  sot certifikatat e pasaportat:

Veçanërisht përpjekjet për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për pensionet duhen bërë nga të gjithë faktorët shtetërorë, shoqërorë dhe politikë, në mënyrë që dhe qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë e marrjes së pensionit.
Dhe nuk bëhet fjalë për një numër të kufizuar qytetarësh, por për 1/3 e shtetasve shqiptarë që është jashtë vendit. Dhe nuk bëhet fjalë për luks, por për bukën e gojës së tyre.
Nga Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

Emigracionit shqiptar në Itali filloi në vitet '90 dhe përkon me fundin e sundimit të gjatë komunist gjatë të cilit ai ishte mohuar. Me shpërbërjen e ndërmarrjeve shtetërore e kooperativave bujqësore, emigracioni shërbeu si një valvul, për të amortizuar në mënyrë të ndjeshme problemet e mëdha social-ekonomike të vëndit. Aktualisht, emigracioni shqiptar është sa 1/3 e popullsisë së regjistruar në regjistrin kombëtar, ku peshën kryesore e zënë shqiptarët e emigruar në Greqi dhe Itali.

Edhe mbas viteve 2000, ky emigracion ka vazhduar, por pa ato dyndjet e viteve ‘90. Edhe në vitet 2000 ka ekzistuar emigracioni klandestin, por pjesa më e madhe e emigrantëve kanë shkuar si rezultat i lëvizjeve të rregullta, si bashkim familiar, punësim, përfitim shtetësie etj.

Aktualisht, në Itali, ky emigracion është i dyti ndër komunitetet e tjera të huaja. Me shtesën e numrit të bashkimeve familiare është rritur dhe procesi i stabilizimit, që e ka kthyer atë nga një emigracion i përkohshëm në emigracion të qëndrueshëm.

Veçoritë social-demografike të komunitetit shqiptar në Itali janë:

- Shqiptarët përfaqësojnë komunitetin e dytë ndër qytetarët jokomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali.
- Emigrantët shqiptarë duke filluar nga data 1.1.2013, janë në një numër 497.761, e barabartë me 13,2% të totalit të emigracionit nga qytetarët jokomunitarë me qëndrim të rregullt në Itali. Aktualisht ky numër i ka kaluar 500 mijë.
- 52,6% të qytetarëve me origjinë shqiptare janë burra, ndërsa prania e femrave është në 47,4%.
- Zonat ku kemi një përqendrim më të madh të emigracionit shqiptarë është Italia e veriut, ku ndodhen rreth 61,8% të komunitetit. 27,2% jetojnë në zonat qendrore, 9,7 në jug të Italisë dhe 1,3 në ishuj.
- Kanë një moshë mesatare të re prej 30,5 vite që është moshë më e ulët se mesatarje e emigracionit në përgjithësi, e cila është 31,7. Emigracioni shqiptar karakterizohet me një moshë më të lartë të të miturve dhe të rinjve deri në moshën 29 vjeç. Kështu 27,5% e qytetarëve shqiptarë në Itali, nuk janë më shumë se 17 vjeç (mesatarja e komuniteteve tjerë këtë moshë në kanë është në masën 24,1%), 11,5% është me moshë nga 17 deri 24 vjeç (mesatarja e komuniteteve të tjerë është 9,3%) dhe 11,4% është me moshë 25 deri 29 vjeç.
- Nxënës e studentë me origjinë shqiptare të regjistruar në vitin shkollor 2012/2013 kanë qënë 104.710. 
- Familja paraqitet si motivi kryesor i pranisë në Itali: 53% e qytetarëve shqiptarë me leje qendrimi të rregullt janë mbajtës të një lejeje për motive familiare. Lejet e qëndrimit për punë përfaqësojnë 43% të të gjithave.
- 66% e qytetarëve shqiptarë kanë një leje qëndrimi afatgjatë, përqindje që është mbi mbi 10 pikë më e lartë se ajo e të gjithë qytetarëve jokomunitarë (54,3% e të gjithë të huajve me qëndrim të rregullt në Itali kanë leje qëndrimi afatgjatë).

Pjesëmarrja në tregun e punës

- Në Itali popullsia me shtetësi shqiptare, me një moshë mbi 15 vjeç, pra në një moshë për punësim është 465.075 qytetarë. Nga kjo masë popullsie janë të punësuar vetëm 50% e saj, krahasuar me 57,6% e të gjitha komuniteteve të huaja mbi 15 vjeç. gjithnjë për shqiptarët në Itali mbi 15 vjeç, rreth 11,5% përbëhet nga ata që janë punëkërkues, ndërsa 38,5% është një kuotë inaktive, të cilët nuk kanë zhvilluar asnjë orë punë në javë.
- Papunësia për shqiptarët ka arritur në një shifër të konsiderueshme prej18,8%, duke e tejkaluar atë të mesatares së komuniteteve të tjerë jokomunitarë, që është në masën 14,5%.
- Fushat kryesore të punësimit për punonjësit me origjinë shqiptare janë industria 27,4%, ku ndërtimi zë 20,4%, bujqësia 23,3% dhe shërbimet 49,3%. Duhet evidentuar se janë pjesëmarrës në tregun e punës punonjës autonomë (të vetëpunësuar), ku një pjesë e tyre janë punëdhënës, të cilët kapin një numër prej 30.477 personash.
- Më shumë se gjysma e punonjësve shqiptarë merr një të ardhur mujore më të madhe se 1.000 euro, vlerë më e madhe se kuota mesatare e qytetarëve të tjerë të Evropës.

Emigrantët, të përjashtuarit e pensioneve

Kriza ekonomike e pranishme në Evropë dhe mjaft e thellë si në Itali dhe sidomos në Greqi, ka bërë që një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë të humbin vendet e punës. Këtë e tregon fakti se ndërsa niveli i papunësisë në Itali është aktualisht 12,8%, niveli i papunësisë për emigrantët shqiptarë është mbi 18,8%. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 19,7%. Për të rinjtë në moshë nga 15 deri 24 vjeç, niveli i papunësisë është tepër i lartë dhe kap shifrën prej  43%.

Po kështu niveli i papunësisë në Greqi është shumë më i lartë se në Itali, arrin në një masë prej 27,6 %, duke qenë kështu edhe më i larti në Evropë.

Padyshim, pasojat e krizës ekonomike dhe të papunësisë, kanë një kosto jo të lehtë për emigrantët tanë. Sikurse u theksua, në kushtet e një krize ekonomike në të gjithë sektorët, pa dyshim më të prekurit dhe më të rrezikuar janë emigrantët.

Pasojat e krizës për emigracionin shqiptar ndihen:

Së pari, duke humbur vendet e punës, përkeqësohen së tepërmi problemet sociale të tyre, duke i përballur ata me pamundësinë e jetesës.
Së dyti, duke mos përballuar jetesën në vendet ku janë rezidentë, një nga drejtimet e mbijetesës është kthimi në Shqipëri, ku përballen me vështirësi shumë të mëdha. Në këto kushte, ku dhe në Shqipëri ndihen dukshëm efektet e krizës, tregu i punës nuk mundet të absorbojë një numër të madh forca pune.
Së treti, në këtë kuadër në vështirësi të mëdha janë dhe femijët e tyre, që kanë frekuentuar shkolla në vendet ku kanë qenë, dhe nuk janë familjarizuar me sistemin tonë arsimor, ose nuk e dijnë mirë gjuhën shqipe.
Së katërti, problem është strehimi, duke patur parasysh se një pjesë e mirë e emigrantëve i kanë shitur banesat.
Së pesti, papunësia ka pasoja sociale për të sotmen dhe të nesërmen. Themi për të nesërmen, mbasi duke mos qenë në marrëdhenie pune, rritet pamundësia për të plotësuar vjetërsinë e punës që kërkohet për të përfituar pension.

Problemet me sigurimet shoqërore të emigranteve

Para së gjithash, është e nevojshme të theksojmë se mungesa e një marrëveshjeje dypalëshe ndërmjet dy vendeve, bën që si Italia, Greqia, dhe vendet e tjera, ashtu dhe Shqipëria, të zbatojnë legjislacionin respektiv në fushën e sigurimeve shoqërore, bazuar në kontributet e derdhura në secilin vend dhe në kërkesat përkatëse për përfimin e pensionit.

Sistemi i sigurimeve shoqërore italiane, përcakton se gjatë gjithë jetës të aktivitetit të punës, në cilësinë e të punësuarit dhe të të vetëpunësuarit, punonjësit derdhin kontribute për të ushqyer fondin e pensioneve publike. Me këto fonde jepen tre tipe pensionesh, pensione invaliditeti, të pleqërise dhe pension familjar. Më të zakonshmet janë pensionet e pleqërisë. Duke qenë një emigracion i ri, Imigrantët shqiptarë, e kanë të vështirë për të plotësuar kushtet për pension në vendet fqinje, dhe po ashtu dhe në Shqipëri.

Më në detaje: bazuar në legjislacionin Italian dhe grek, për të përfituar një pension, krahas vjetërsisë kontributive në punë, e cila aktualisht është në proces zgjatjeje, kërkohen 20 vite vjetërsi kontributive, të cilat llogariten me javë të punuara. Por duhet të kemi parasysh se emigracioni ynë është i ri dhe janë të rralle ato raste të plotësimit të këtyre kushteve, e kështu rrjedhimisht emigrantët shqiptarë që plotësojnë moshën privohen nga përfitimi i pensionit.

Bazuar në legjislacionin shqiptar, për t’u përfshirë në kushtet e pensionit qoftë dhe të pjesshëm, është e domosdoshme një vjetërsi kontributive jo më pak se 15 vite. Kjo vjetërsi kontributive, në shumë raste është e paarritshme, por edhe nëse plotësohet, të ardhurat që përfitohen prej saj janë aq minimale, sa nuk mund të mendohet që pensionisti të përballojë jetesën.

Emigracioni shqiptar është relativisht shumë më i ri se ai i vendeve të tjera jokomunitare të Evropës dhe të vendeve të tjera joevropiane. Por një pjesë e mirë e emigrantëve ka punuar në Shqipëri, duke pasur një vjetërsi pune kontributive në ish ndërmarrjet shtetërore apo kooperativat bujqësore, apo dhe në bizneset private. Në kushtet e këtij emigracioni, tepër të madh krahasuar me popullsinë, vjetërsia kontributive e tyre është e ndarë në 2 pjesë; vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe vjetërsi kontributive në shtetin ku janë rezidentë.

Po të marrim në mënyre hipotetike që një emigrant shqiptar, në Shqipëri ka një vjetërsi pune prej 14 vitesh dhe në Itali 19 vite, pra gjithsej ka punuar për 33 vjet, ky person nuk përfiton pension as në Shqipëri, as në Itali.

Duke qenë në kushtet e një shteti, ku numri i emigranteve është shumë i madh (Itali dhe Greqi) dhe ende nuk ka një marrëveshje bilaterale për njohjen respektive të vjetërsisë kontributive në të dy vendet, emigrantët shqiptarë ndihen të diskriminuar, mbasi pjesa më e madhe e tyre, privohen nga përfitimi i pensioneve, duke mbetur pa mjete jetese, kur plotësojnë moshën për pension. Këtë e shpjegon fakti, se megjithëse emigracioni në Itali, është në një masë rreth 500 mijë shtetas shqiptarë, numri i pensionistëve, është tepër i vogël, krahasuar me komunitetet tjera. Thënë më thjeshtë, numri i vogël i pensioneve të komunitetit shqiptar në Itali, shpjegohet me faktin e pamundësisë së këtij komuniteti për të kompletuar vjetërsinë prej 20 vitesh, për t’u përfshirë në kushte pensioni. Kështu, nga rreth 30 mijë emigrantë shqiptarë të moshës së tretë, vetëm 1.921 persona trajtohen me pensione në Itali. Në këtë kuadër, qeverive të vendeve fqinje u intereson, që të lënë pa pagesa për pension shtetasit shqiptarë, se sa të paguajnë një faturë financiare, dhe aq më tepër në kohë krize. Në këtë mënyrë zhvleftësohet djersa dhe mundi i emigrantëve dhe kontributi që kanë dhënë në ekonominë e këtyre vendeve dhe shpesh dhe në Shqipëri.

Integrimi i plotë në BE, krahas të drejtave që do të ketë si Vend anëtar i kësaj bashkësie, i jep të drejtën Shqiperisë, dhe detyrimin shteteve të BE, për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe për  unifikimin e periudhave kontributive reciproke me shtetet përkatëse të BE-së. Pra në këto kushte, do të krijohej mundësia për bashkimin e periudhave kontributive, dhe per t’u përfshirë në kushte pensioni. Për ta shpjeguar më thjesht; një emigrant shqiptar që ka një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 10 vitesh, dhe në Itali apo Greqi jo më pak se 10 vite, përfshihet në kushte pensioni, si në këto vende, ashtu dhe në Shqipëri, ku secili shtet do të japë reciprokisht pjesën e tij të pensionit.

Sa më shumë të vonohet ky proces, aq më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, do të jetë përfitimi i pensioneve për një kontigjent shumë shumë të madh emigrantësh.

Lidhja e një marrëveshjeje të tillë me Belgjikën është një hap i mirë, mbasi u krye një praktikë e tillë me një vend të BE-së. Po kështu nisja e negociatave me Italinë është një hap në këtë drejtim, por që duhet vazhduar. Nga institucionet shtetërore, shoqërore dhe organizma të tjerë, llogaritë për përfitimet nga anëtarësimi në BE, nuk duhet të bëhen vetëm për favoret dhe financimet që do të kemi. Ato duhet të marrin në konsideratë ehe kushtet ekonomiko-sociale që u krijohen emigrantëve dhe sa më i largët të jetë anëtarësimi, për aq më shumë kohë ata do të privohen nga e drejta për përfitimin e pensionit, pra e bazës së jetesës së tyre në moshë të thyer.

Megjithatë, përderisa periudha deri në anëtarësimin në BE mund të jetë relativisht e gjatë, përpjekjet për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale, duhen bërë nga të gjithë faktorët shtetërorë, shoqërorë dhe politikë, në mënyrë që dhe qytetarët shqiptarë, të trajtohen ashtu sikundër dhe qytetarët e tjerë evropianë.

Dhe nuk bëhet fjalë për një numër të kufizuar qytetarësh, por për 1/3 e shtetasve shqiptarë që është jashtë vendit. Dhe nuk bëhet fjalë për luks, por për bukën e gojës së tyre.

Vendimin e ka marrë mazhoranca e shkuar vetëm 2 muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, kur vendosi t’i shtyjë me 10 vjet kohëzgjatjen e marrëveshjes për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve

Romë, 31 korrik 2014 – Nga 1 janari 2015, në Shqipëri, kush do të kërkojë pasaportën biometrike do të nxjerrë nga xhepi jo 6.000 por 7.500 lekë, ndërsa për letërnjoftimin elektronik çmimi i ri do të jetë 1.500 lekë në vend të 1.200 lekëve që nevojiten sot. Rritja është plot 25%.

E nëse rritja në përqindje që do të aplikohet edhe kur dokumentet kërkohen jashtë Shqipërisë, do të jetë siç parashikohet nga 20% deri në 25%, kjo do të thotë se në vend të 108 eurove të tanishme, në Romë e Milano do të nevojiten 130-135 euro për pasaportën dhe 12-12,5 për letërnjoftimin, që sot është 10 euro.

E pra kush, akoma nuk është pajisur me këto dokumente, bën mirë t’i bëjë sa më shpejt. Madje emigrantët që dëshirojnë të kenë në xhep këto dokumente – veçanërisht ata që kanë një shtetësi tjetër e që e kanë shtyrë deri më sot pajisjen me këto dokumente shqiptare – është e këshillueshme të shfrytëzojnë ndonjë udhëtim të mundshëm në Shqipëri gjatë verës për t’u pajisur me to.

Rritja e çmimit të dokumenteve do të nisë vërtet më 1 janar, por kjo gjë është miratuar që vitin e shkuar, nga mazhoranca e mëparshme, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ka kaluar nën projektligjin “Për rafitikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitet it dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve” që është diskutuar në Komisioni për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” të Kuvendit më 16 prill 2013, më pas ka kaluar në seancë plenare dhe është miratuar më 25 prill 2013, së fundi është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 80 të 15 majit të të njëjtit vit. Mëkat që botohet vetëm:

“Neni 1
Ratifikohet kontrata për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”

e nuk gjendet gjëkundi teksti “që i bashkëlidhet këtij ligji” që duhet të shpjegojë se ç’përmban.

Për të mësuar se për çfarë flet ky ligj, nevojitet të shihet procesverbali i Kuvendit kur ligji është miratuar e aty kupton diçka (Seanca e ditës së enjte, 25 pril 2013, nga faqja 49 nis diskutimi për ligjin në fjalë).

Nga sa shihet në verbalin e seancës, rritja kohëzgjatjes së kontratës mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve, është debatuar fort në disa pika. Opozita e asaj kohe kontestonte miratimin e kësaj zgjatjeje të kontratës pikërisht javët e fundit para zgjedhjeve, gjë që shpjegohej nga mazhoranca si e domosdoshme për shkak se kontrata në fuqi skadonte më 25 korrik 2013.

Edhe çmimi i ri që do të kenë pasaportat nga 1 janari 2015 ishte një tjetër pikë e debatuar në Kuvend. Ministri i Brendshëm Flamur Noka justifikohej: “Për sa i përket problemit të çmimit dua të them se deri në vitin 2015 nuk ndryshon. Pra, do të ketë këtë teknologji dhe standard deri në vitin 2015. Në vitin 2015 do të ketë ndryshim të çmimit. – Dhe ja si e shpjegon ai arsyen e ngritjes së çmimit - Sepse në vitin 2015 ne do të mundësojmë që çipi të zmadhohet nga 72 kb, që është sot, do të bëhet 100 kb; do të pranojë të dhënat për bankën, për sigurimet shoqërore, për kujdesin shëndetësor dhe shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të mbajnë dosje letrash. Pra, kjo është një arritje e madhe e teknologjisë… Brenda çipit do të jetë edhe njohja e fytyrës. Pra, të gjitha këto kanë një kosto. Pra, në vitin 2015 kur të futen këto elemente do të ketë rritje të kostos dhe të çmimit”.

Asokohe në opozitë, deputeti Erion Braçe kërkonte të dinte kostot për kompaninë që prodhonte pasaportat, për të parë edhe fitimin që ajo kishte nga ky koncesion që qeveria Berisha i zgjati deri më 31 korrik 2023: “Pak më parë unë pyeta se cila është kostoja e prodhimit të kartës së identitetit dhe e pasaportës. Nuk mora asnjë përgjigje. Pyeta nisur nga problemi social që ka shpërndarja e kartave të identitetit dhe e pasaportave. Gjithashtu, pyeta edhe për një element tjetër: Cila është norma e fitimit e të gjithë këtyre kompanive, që ne po u japim shërbime ekskluzive dhe që përkundrejt të cilave qytetari shqiptar është i detyruar të shkojë ta marrë?”. Sepse që në fillim çmimet i dukeshin të kripura: “Që kur u nënshkrua kjo kontratë edhe për dokumentet aktuale të identifikimit, çmimi ishte i shtrenjtë. E kemi bërë këtë debat në sallën e Kuvendit dhe kemi pranuar se çmimi është rritur disa herë dhe është i shtrenjtë. Rritja e re e çmimit në 75 mijë lekë [shënim i redaksisë: flet me të vjetra] për pasaportën dhe 15 mijë lekë për kartën e identitetit, pra, 90 mijë lekë në total, e bën të papërballueshme. Mjafton t‟ju them se është e barabartë me dy muaj ndihmë ekonomike; mjafton t‟ju them se është e barabartë gati me një pension. Pra, pavarësisht se fillon nga 1 janari i vitit 2015, ai është i shtrenjtë. Nga ana tjetër, përfitimi i kompanisë nga ky koncesion është shumë i madh…”

Këto ishin fjalë pa bereqet, siç thotë populli. Ligji u miratua me 73 vota të mazhorancës së atëhershme dhe mbetet që nga 1 janari i ardhshëm do të jemi të detyruar të paguajmë më shtrenjtë dokumentet shqiptare të identitetit.

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Këshilli i Ministrave vendos të ndryshojë plotësimin e rubrikës “Vendlindje” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në certifikata për përdorim nga autoritetet e huaja

Tiranë, 29 gusht 2014 – Vitet e fundit, me pasaportat e reja biometrike, shumë qytetarë, veçanërisht emigrantë në Greqi, kanë hasur një problem të ri që ka të bëjë me mënyrën e të shkruarit të toponimive greke në dokumentin shqiptar. Të shkruara në gjuhën shqipe, edhe kur vendlindja është një komunë greke, e të papërkthyera në anglisht (gjë që bëhet për fusha të tjera të pasaportës, si për shembull: Republika e Shqipërisë/Republic of Albania), këto toponime nuk janë njohur nga autoritetet greke të kufirit që kanë kthyer mbrasht apo penguar me orë të tëra qindra emigrantë. Problemi, veçanërisht i mprehtë në periudha festash e pushimesh, është zgjidhur deri majin e shkuar memarrëveshje greko-shqiptare të përkohshme për lejimin e kalimit të qytetarëve në kufi.

Më në fund, më 12 maj 2014, në një deklaratë të përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë thuhej që problemi të zgjidhet njëherë e mirë duke shkruar toponimet e huaja në bazë të “katalogëve zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB [Kombet e Bashkuara kanë një ent të posaçëm që merret pikërisht me standardizimin e emrave gjeografikë – UNGEGN-United Nations Group of Experts on Geographical Names] dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO [International civil Aviation Organization]”. Si afat i fundit u vu 1 janari 2015, kur qytetarët do të mund pajisen me dokumente të reja, me shkrimin e toponimive siç u ra dakord në maj.

Duket se një hap konkret në këtë drejtim është hedhur më 27 gusht kur në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave është marrë vendim për “Disa shtesa në vendimin nr. 332 e 17 marsit 2010 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e formës, elementeve përbërëse, mënyrës së mbajtjes dhe afatit të përdorimit të dokumenteve bazë, që mbahen dhe lëshohen nga shërimi i Gjendjes Civile”, të ndryshuar”, dhe që kanë të bëjnë pikërisht me shkrimin e emërtimeve të vendeve në regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile dhe në certifikata për përdorim nga autoritetet e huaja.

vendimin e 27 gushtit të Qeverisë përcaktohet që:
Në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve: 
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO
c) Rubrikat e tjera të certifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe
”.

Në pikën e dytë të vendimit lexohet se “ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për nxjerrjen e akteve për rregullat e plotësimit të rubrikës “vendlindja”, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile”.

E pikërisht pas këtij ndryshimi në plotësimin e rubrikës Vendlindja Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, do të korrigjohen edhe pasaportat, gjë që do të zgjidhë përfundimisht problemin edhe me pasaportat biometrike. E me siguri zgjidhjen do ta paguajnë gjithnjë qytetarët, që do t’u duhet të ribëjnë dokumentet “e reja” biometrike. Duke i paguar sërish, ndoshta edhe më shtrenjtë nga ç'i kanë paguar fillimisht.

Vendimi i 27 gushtit "do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare", lexohet në fund të tij. Shpresa është që të botohet sa më shpejt, në mënyrë që kujt do t’i duhet të ndërrojë pasaportën shqiptare, ta bëjë këta muajt e fundit të këtij viti. Është e udhës të mbahet parasysh që nga 1 janari 2015 pasaporta do të ketë çmim më të lartë: 7.500 lekë nëse do të merret në Shqipëri e të paktën 130 euro nëse do të kërkohet në konsullata. Sepse kështu vendosi qeveria Berisha vitin e shkuar, kur dy muaj para zgjedhjeve përcaktoi t’i shtyjë me 10 vjet kohëzgjatjen e marrëveshjes për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, si edhe rritjen me 25% të çmimit të dokumenteve duke nisur nga 1 janari 2015.

Lexo edhe: Pasaportat biometrike. Nga 1 janari 2015, çmimi do të rritet me 25%

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

E përditshmja franceze tregon sesi të huaj me probleme të rënda në veshka arrijnë të marrin trajtim mjekësor falas në Lion të Francës: kërkojnë azil e, në pritje të përgjigjes, nisin të kurohen

Një numër gjithnjë e në rritje i të huajve, po përdorin sistemin e kërkimit të azilit në Francë për të marrë kura mjekësore falas për sëmundje të rënda. Sipas të përditshmes franceze Le Monde, mjekët në qytetin e Lionit shprehin shqetësimin se qytetarë nga vende si Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia, me probleme serioze në veshka, vijnë në Francë për të përfituar trajtim mjekësor falas, ndërsa paraqesin kërkesë për azil.

Profesori Emmanuel Morelon, shefi i pavijonit të transplantimit në spitalin Edouard-Herriot, thotë se duke ngritur këtë çështje nuk ka ndërmend të ndihmojë tezën anti-imigracion të partisë së ekstremit të djathtë, Fronti Nacional, ndërkohë që parlamenti po shqyrton ligjin e ri të imigracionit. Por fluksi në rritje i pacientëve në repartin e dializës, që mund të trajtojë vetëm 24 pacientë njëherësh, është i papranueshëm. Edhe pse ai nuk sheh asgjë jo normale tek fakti që ndërsa kërkojnë azil personat të mund të marrin trajtim mjekësor falas, profesor Morelon sqaron se fluksi i të huajve në gjendje të rëndë që kërkojnë vetëm trajtim falas të sëmundjeve të veshkave në Lion, përbën një rast unikal.

Si përfitohet nga sistemi shëndetësor francez

"Zakonisht, këta njerëz që mbërrijnë në stacionin e trenit të Lionit duken lehtë që janë të sëmurë, ndaj dërgohen në urgjencën e qytetit" -shpjegon profesor Morelon për Le Monde. "Mjekët në spital pohojnë se këta persona kanë nevojë urgjente për dializë. Dhe këta pacientë nisin trajtimin mjekësor dhe njëherazi bëjnë kërkesë për azil".

Franca u garanton strehim refugjatëve që vijnë nga vende ku ata konsiderohen të pasigurtë. Shqipëria, Kosova dhe Gjeorgjia nuk janë pjesë e tyre.

Por pasi nisin praktikën e kërkimit të azilit, është tepër e vështirë që të nxjerrësh nga spitali pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda, nëse ata nuk e kanë të mundur të marrin trajtim të plotë mjekësor në vendet e tyre.

Ligji francez parashikon që ndërsa shqyrtohet kërkesa e azilit, kërkuesve t’u njihet mbulim i plotë shëndetësor falas për 3 muaj dhe gjatë kësaj kohe ata e shënojnë emrin në listën e pritjes për transplant. Le Monde shpjegon se koha e pritjes për transplant është më e gjatë sesa ajo e përgjigjes për kërkesë për azil. Por gjatë kësaj kohe, gjendja e pacientëve konsiderohet e rëndë, gjë që është e mjaftueshme që t’u njihet rezidenca në Francë me statusin e "të huajit të sëmurë".

Duket se praktika është e konsoliduar. Sipas Le Monde, të ashtuquajturit "refugjatë mjekësorë" mbërrijnë në Lion, duke e ditur shumë mirë se si mund të përfitojnë shërbim shëndetësor falas në Francë. Madje të interesuarit janë të pajisur me emrat dhe adresat përkatëse të qendrave të dializës në qytet dhe e pranojnë hapur se vijnë në Francë posaçërisht për çështje shëndetësore.

Mjeku Jean -Louis Touraine, që është edhe Anëtar i Asamblesë Kombëtare Socialiste e anëtar i rajonit të Rhonit, që përfshin Lionin, është një nga ligjvënësit që ka nënshkruar projektligjin  që kërkon reformimin e sistemit të azilit në Francë, që iu paraqit parlamentit francez në korrik. Ai thotë se trajtimi mjekësor nuk mund t'u refuzohet azilkërkuesve, por shpjegon se buxheti shëndetësor i Francës nuk është i pafund.
 

Një familje zvicerane dhe një tjetër nga Shqipëria: të dyja banojnë dhe punojnë në të njëjtin vend, por jetojnë në mënyrë kaq të ndryshme. Një sociolog shpjegon arsyet, ndërsa një punonjëse sociale e ka përjetuar në praktikë këtë gjë
Nga Peter Steiger, Berner Zeitung

Bergerët dhe Berishët nuk ekzistojnë në të vërtetë. Të dy emrat janë përdorur për të ilustruar familjet mesatare: Bergerët janë zviceranë, Berishët vijnë nga Shqipëria. Të dy familjet model jetojnë pranë njëra­ tjetrës, por janë kaq të ndryshme. Sociologu Francois Hoepflinger ka studiuar se si janë zhvilluar dy modelet e familjeve. Esther Hubacher e ka përjetuar në praktikë këtë ndryshim. Ajo është punonjëse sociale.

­Bergerët i përdorin të ardhurat e tyre për vete. Kurse tek Berishët, një pjesë shkon për familjen e zgjeruar. Ata dërgojnë para në Shqipëri tek prindërit, tek xhaxhai i sëmurë, tek kushëriri i papunë. “Në modelin e familjes europiano­ perëndimore dhe veriore, marrëdhëniet në çift dhe prind­ fëmijë janë shumë të rëndësishme,” thotë François Hoepflinger. “Strukturat klanore dhe farefisnore janë bërë gjithmonë e më të dobëta që nga mesjeta”. Esther Hubacher vlerëson avantazhet dhe dizavantazhet e modelit të zakonshëm në Europën lindore dhe jugore. “Solidariteti brenda familjes së zgjeruar është i madh. Por kush duhet të ndajë, e ka të vështirë që t’ia dalë financiarisht”.

­Le të supozojmë se të dy familjet kanë pretendime për ndihmë sociale: Berishët do kenë probleme me autoritetet. Bergerët kanë nevojë për këtë ndihmë që ta përdorin për vete. Por nëse familja Berisha e dërgon një pjesë të ndihmës për fisin, atëherë ka probleme. Autoritetet lokale nuk e miratojnë një ndihmë të tillë, që mbështet një fis të tërë dhe shkurtojnë përkrahjen.

­Të dy familjet kanë probleme me edukimin dhe arsimimin. Por kur është e nevojshme, Bergerët kërkojnë këshilla. Berishët nga ana tjetër kërkojnë t’i zgjidhin problemet në klan. Kjo mund të jetë e mirë, por edhe mund të shkojë keq. Klani i kërcënon dhe i ndëshkon anëtarët, sipas disa rregullave, që shpesh shihen si vetëgjyqësi.

­ Bergerët e kalojnë fundjavën me dy fëmijët e vegjël.Berishët mbledhin të gjithë fisin. “Në Evropën perëndimore dhe veriore dominon ideali që brezat e ndryshëm të jenë sa më shumë të ndarë nga njëri­ tjetri. Në lindje dhe në jug është legjitime ndërhyrja e fisit dhe brezave të tjerë,” shpjegon Hoepflinger. Kjo vlen edhe në rastin e zgjedhjes së partnerit në martesë, por kjo marrëdhënie dominon edhe kohën e lirë.

­ Gjyshja e Bergerëve shkon në azil, gjyshja e Berishëve shkon tek fëmijët e saj.Shifrat për Shqipërinë mungojnë, por nëse marrim si krahasim Greqinë, në vitin 2012 një studim zbuloi se vetëm 22 përqind e zviceranëve presin që familja të kujdeset për ta kur të plaken. Kurse në Greqi 66 përqind mendojnë se kujdesi ndaj tyre është detyrë e familjes.

­ Myslimanët Berisha shkojnë rrallë në xhami, siç Bergerët shkojnë rrallë në kishë. Megjithatë, feja luan rol të ndryshëm në familje. Krishterimi ka ndaluar shumë herët disa praktika, që fisi i forcon shumë, siç janë poligamia, martesa e fëmijëve apo blerja e nuses.

­ Nëse një Berger martohet me një Berishë, ka sherr në sfond.Esther Hubacher thotë se bashkëshortët zviceranë zemërohen kur familja e madhe kërkon para. Nga ana tjetër, Berishët zemërohen kur dikush nga fisi martohet pa pëlqimin e tyre. Në Zvicër njerëzit martohen nga dashuria. Ose të paktën kështu duhet të jetë. “Që nga shekulli i 18­ të, tek ne dominon gjithmonë e më shumë ideali i dashurisë,” thotë François Hoepflinger.

­ Në fund të fundit, Berishët e rinj tallen me problemet e prindërve të tyre dhe zemërohen. “Diferencat vijnë duke u ngushtuar,” thotë Hubacher. “Këta mund ta shohim me brezin e dytë të emigrantëve italianë, që janë plotësisht të integruar”.

Kur kohezioni i klanit shkatërrohet dhe të rinjtë nuk u përmbahen rregullave të të vjetërve, lindin probleme të reja.

Artikulli në origjinal: Berishas und Bergers leben in verschiedenen Welten

Artikuj te tjere...