Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Është e qartë, nga ky vend nuk duan të ikin vetëm ata më hallexhnjitë. Nga këtu tashmë po ikën edhe shtresa e mesme, mjekët, inxhinierët, veterinerët e agronomët.
Nuk janë njerëz që duan thjesht një vend pune dhe pagë më të mirë, por njerëz që duan të jetojnë në një shoqëri më të drejtë, në një vend ku sundon barazia dhe rregulli, ligji dhe drejtësia, konkurenca e barbarët, aftësia dhe garancia për punën e jetën. Kërkojnë të jetojnë në një vend më nornal, më të pastër, më qytetar, më të denjë, më të kulturuar.
Nga Mentor Kikia

4 Tetor fillon aplikimi për llotarinë amerikane. Besoj se do të jemi më shumë se vitin e kaluar. Edhe unë do ta provoj…

Dy ditë më parë takova dy mjekë të rinj, që kanë vetëm 2 vjet që kanë filluar punë. Kishin vendosur të hiqnin dorë nga specializimi dhe përpjekjet për të ndërtuar jetën këtu.“Po paguajmë kursin e gjermanishtes, dhe qëllimi i vetëm është të ikim”. U trondita sesi dy njerëz që kanë një profesion kaq të admirueshëm e të lakmueshëm, kishin marrë këtë vendim. “Gjermanishten po e mësojnë pedagogët tanë dhe mjekët e vjetër të QSUT-së dhe Spitalit Ushtarak, që duan të ikin para nesh, e jo më ne”.

Është e qartë, nga ky vend nuk duan të ikin vetëm ata më hallexhnjitë, ata që opozita thotë se janë pa bukën e gojës. Nga këtu tashmë po ikën edhe shtresa e mesme, mjekët, inxhinierët, veterinerët e agronomët… Ata, specialistët, për të cilët bërtet qeveria çdo ditë, se ka nevojë tregu i punës. Ne duhet të kuptojnë se jemi në kushtet e një shpërnguljeje masive të popullisë, pavarësisht se nuk ka nga pas ushtarë që u vënë zjarrin shtëpive. Pavarësisht se nuk janë ngarkuar karvanët, fakti që gati gjysma e popullsisë rezidente është gati të marshojnë, është një tragjedi kombëtare.

Dhe mos pranoni që qeveria të thotë se kjo është normale, se edhe holandezët punojnë në Belgjikë e belgët në Francë. Kjo nuk është liri pune, kjo është arrati, ikje për të mos u kthyer më.

Po pse?

Këta nuk janë njerëz që duan thjesht një vend pune dhe pagë më të mirë, por njerëz që duan të jetojnë në një shoqëri më të drejtë, në një vend ku sundon barazia dhe rregulli, ligji dhe drejtësia, konkurenca e barbarët, aftësia dhe garancia për punën e jetën. Kërkojnë të jetojnë në një vend më nornal, më të pastër, më qytetar, më të denjë, më të kulturuar. Nuk është thjesht varfëri! Nuk është thjesht mungesë shprese! Është edhe më keq.

Pjesa dërrmuese e shoqërisë, mbi 90% e saj, ndodhet sot nën diktatin, prepotencën dhe arrogancën e 10 për qindëshit tjetër. Të asaj pjese që zotëron 95% të parasë dhe pronave, asaj që zotëron pushtetin politik dhe ekonomik, asaj që zotëron minierat dhe naftën, bregdetin dhe rrugët, shëndetësinë dhe energjitikën.

Shqiptarët, me dhe pa shkollë, me dhe pa punë, me dhe pa profesion, duan të ikin nga vendi i tyre. Duan të ikin sepse nuk e ndiejnë më vendin e tyre. Duan të ikin sepse kanë kuptuar se e kanë të vështirë, gati të pamundur të ndryshojnë gjë më dhe i janë dorëzuar ikjes. (Gazeta TemA)

Lexo edhe:
Lotaria amerikane. Rreth 200 mijë shqiptarë aplikuan tetorin e vitit 2015  

 

Ambasada e ShBA-së në Tiranë në profilin e saj Facebook ofron çdo javë edicionin “Pyesni Konsullin”, me qëllimin që kush dëshiron të vizitojë Shtetet e Bashkuara apo të shkojë atje për të jetuar “të ketë informacion të saktë dhe të përditësuar”

Tiranë, 14 shtator 2016 - Në një postim pasditen e djeshme në Facebook, Ambasada amerikane në Tiranë njofton hapjen e edicionit “Pyesni Konsullin” që është një përmbledhje pyetjesh dhe përgjigjesh të përzgjedhura, të përgatitura nga Seksioni Konsullor lidhur me tema në interes për qytetarët shqiptarë, që dëshirojnë të vizitojnë, apo të jetojnë në Shtetet e Bashkuara”.

Ambasada e ShBA-së shpjegon se me këtë rubrikë duan t’u ofrojnë aplikantëve “një informacion të saktë dhe të përditësuar”.

Pyetjet për Seksionin Konsullor mund të bëhen në Facebook në anglisht ose në shqip. “Para se të postoni pyetjen tuaj në “Pyesni Konsullin”, - sqarohet në njoftim - vizitoni Pyetjet e Shtruara më Shpesh (FAQ) në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane për të parë nëse pyetjes tuaj tashmë i është dhënë përgjigje”.

Në edicionin e kësaj jave flitet për Lotarinë amerikane. Për programin DV-2017, “vizat për nuk mund të lëshohen pas 30 Shtatorit 2017” ndaj u kërkohet të interesuarve “të kontrollojnë statusin e tyre të aplikimit”. Flitet edhe për Lotarinë e ardhshme dhe u kujtohet të interesuarve që “regjistrimet për DV-2018 fillojnë më 4 Tetor 2016, ora 18:00, ora lokale e Shqipërisë dhe mbyllen më 7 Nëntor 2016, ora 18:00, ora lokale e Shqipërisë. Ju mund të aplikoni tek dvlottery.state.gov në këtë periudhë”. Rreth këtyre temave por edhe rreth çështjesh të tjera konsullore, ftohen të gjithë të bëjnë pyetje.

 

Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza është bërë simboli i ndihmës për "më të varfrit e të varfërve", të cilëve ajo u kushtoi jetën e saj. Gjashtë vjet pas ndarjes nga jeta, në vitin 2003, ajo u shpall “E Lumturuar” nga Papa Gjon Pali i II, një moment që i hapi rrugë shenjtërimit të saj që do të bëhet nesër, më 4 shtator 2016

Angje Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza u lind në Shkup, më 1910 nga prindër shqiptare. Që në moshën 12 vjeç kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeç hyri në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, në Dublin, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.

Nënë Tereza nuk mund të braktiste urdhrin e saj pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, Ati Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. "Është një fillestare që nuk do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri", mësohet të ketë thënë prelati.

Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhri.Bëhet atëherë Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës, në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë. Nga ajo kohë iu dedikua tërësisht të varfërve.

Në vitin 1952, takimi me një grua të braktisur që po jepte shpirt mbi një trotuar në rrugët e Kalkutës, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndërmerrte një nga detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt.

Siç ka kujtuar Nënë Tereza "e morëm këtë grua në shtëpinë tonë, ku e ndihmuam shumë. Pas pak orësh ajo u nda nga kjo botë, por vdiq ne paqe. Sa ishte gjallë nuk pushoi së uruari për ndihmën që i kishim dhënë. Unë mund ta ndihmoj një njeri qe te vdes ne paqe dhe me dinjitet".

Pas këtij rasti kritikoi ashpër autoritetet e Kalkutës dhe arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të XIX, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes. Atje do të priste të gjithë ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizenteria, ose tetanosi, të cilët nuk i pranonin spitalet. Për 40 vjet, më se 30 000 persona vdiqën atje. Për Nënë Terezën, garantimi i "një fundi të denjë" për ata që kanë "jetuar si kafshë" është një detyrë.

Krahas kësaj, misioni i saj punonte në ndihmë të strehimit të fëmijëve të braktisur në gjithë botën, kurimit të leprozëve, në ndihmë viktimave të Sidës,  dhe kishte hapur një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara.
E veshur gjithnjë me mantelin e bardhë me shirita blu të urdhrit të Misionareve të Bamirësisë, Nënë Tereza e kishte zakon të thoshte se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse "një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh". Por, shtonte ajo, "nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t'i mungonte detit".

Në shtëpinë e Lowe Circular Road, një rrugë e vogël në qendër të Kalkutës, ajo bënte jetën e thjeshtë të postulateve të kongregacionit të saj, merrte pjesë në punët shtëpiake të komunitetit. Dhoma e saj e vogël ishte e mbushur me dosje dhe libra fetarë, të vetmit që ajo pranonte të lexonte.

E lidhur me vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t'i kishte dhënë të drejtë Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit.
Grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe e pajisur me njohuri të mira për bizneset, një ditë kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të Vatikanit për të varfrit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij Rolls Royce, që ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdishëm për të siguruar fonde në ndihmë të të varfërve.

Disa e qortuan se kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier. Nënë Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit. Bëri një jetë të thjeshtë, pa pasuri.Por fama e Nënë Terezë u përhap në vitin 1970, kur gazetari i njohur britanik, Nugerigj shkroi një libër dhe xhiroi një film për jetën e saj të titulluar " Diçka e bukur për zotin". Ish-ateist ai tha se ajo kishte influencuar jashtëzakonisht shumë në konvertimin e tij në katolik.

Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes, shpërbleu punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë si një shenjtore.

"Shenjtore e të varfërve", Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeç, pas një gjysmë shekulli shërbim ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Ajo prehet në selinë e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, të cilin e formoi në vitin 1950.

Lexo edhe:
Nënë Tereza do të shpallet Shenjte më 4 shtator 2016
Shenjtërimi i Nënë Terezës. Rama: “Uratë për lumturimin e 40 martirëve shqiptarë”
“Vals Hyjnor”, himni kushtuar Nënë Terezës
Lumturimi i flamujve. Në përvjetor të Lumnimit të Nënë Terezës
Mesazhi largpamës i Nënë Terezës
"Halla ime Nënë Tereza"
Imzot Gjergj Lusha: "Nënë Tereza, dashuri e pastër në veprim"
Motrat e Nënë Terezës në Shqipëri. Misioni vazhdon
Kujtime nga vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri
Ekspozitë e përhershme për Nënë Terezën, në muzeun historik kombëtar
Gjon Kolndrekaj: “Rrëfej Nënë Terezën kur ishte Gonxhe”
1979 - Kur Nënë Tereza për Shqipërinë ishte “agjente e Vatikanit”
1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/2
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/3

 

 

Pëllumbesha Ziu, grua e ve, nënë e katër fëmijëve, prej të cilëve njëri me sindromën Down, rrëfen për Dritare.net jetën e vështirë në një nga kampet gjermane ku mbahen azilkërkuesit.
E si të kthehem në Shqipëri, kur nuk kam asnjë të ardhme, as minimumin jetik të gjërave, kur nuk kam mundësi të paguaj dritat, sepse nuk ka punë, me katër fëmijë që më shohin në sy e presin nga unë”
Nga Kozeta Turishta

Pëllumbesha Ziu, ka treguar për dritare.net, historinë e saj të jetës, sakrificat e peripecitë në emigrim, frikën nga përdhunimet, kërcënimet, vrasjen makabre të shoqes së saj në kamp, të cilës burri i preu kokën me thikë, pse e denoncoi për dhunë.
Gruaja rrëfen të vërtetën e saj për kampet e azilantëve në Gjermani, ku shumë shqiptarë janë dyndur për të kërkuar azil, në emër të një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e tyre. Pëllumbesha, është njëra nga ata gratë e nëna, që luftojnë çdo ditë me dhunën psikologjike që ushtrohet në kampin ku ajo gjendet së bashku me dy fëmijët e saj më të vegjël, pasi dy vajzat e mëdha është detyruar t’i lërë tek të afërmit në Shqipëri. Ja intervista e saj e dhimbshme dhe tronditëse për Kozeta Turishtën.

Dritare.net: Sa kohë u bënë  që keni kërkuar azil në shtetin gjerman? 

Pëllumbesha Ziu: Kam rreth një vit këtu. Kam 8 muaj që jam sistemuar në një banesë. Kam jetuar në një kamp në Shtaumyhler, ku jetova me frikë nga tentativat për përdhunim.

Çfarë ju bëri të largoheshit nga Shqipëria? 

Arsyet e braktisjes së Shqipërisë janë të shumta. Po e nis me ndërprerjen e ndihmës ekonomike prej 47 mijë lekësh të vjetra. Si dhe pensionin qesharak të 4 fëmijëve jetimë, pasi babai i tyre ka vdekur nga një tumor. Po vazhdoj me ndërprerjen e energjisë elektrike, që nuk e paguanim dot.
Pas vdekjes se bashkëshortit përjetova një ferr moral, fizik, për pronësinë e banesës, nga motrat e martuara të bashkëshortit. Prita me durimin më të madh të mundshëm dhe me shpresë nga policia e rajonit Lushnje. Më dhanë një urdhër mbrojtjeje i cili u hodh poshtë për tre ditë.

Pse u hodh poshtë?

Sepse personi i cili dhunoi banesën dhe familjen time u largua pas qëndrimit të një nate në burg, pa mbushur 24 orë, drejt Greqisë. Pas një zhgënjimi të thellë dhe detyrës së një prindi të vetëm për të rritur dhe shkolluar katër fëmijë, ndërmora këtë rrugë të vështirë, duke lënë dy vajzat e rritura, njëra 20 vjeç dhe tjetra 16, tek të afërmit e mi dhe marrë rrugën e emigrimit e detyruar për të mos përfunduar në rrugë si shumë të tjera. E di sa e vështirë është për vajzat e mia, por kam një mision që nuk e lë dot në mes. Misioni im e ka emrin Nino. Është djali im me sindromën Down të cilin Shqipëria e la pa drita, pa ujë, pa bukë e pa televizor, i cili ishte i vetmi argëtim për të. Për Ninon jam këtu.

Si është në të vërtetë realiteti brenda, aty ku jetojnë shqiptarët të cilët presin fatin e letrave për azil?

Realitet i zi, që askush nuk mund ta besojë pa e parë me sy e përjetuar vetë. Po  marr rastin e fundit të gruas shqiptare, e cila u masakrua në mes të ditës me prerje koke, nga bashkëshorti. E ndjera Arjana Ciba ishte një grua shembullore.

Arjana ishte në kampin tuaj? E patë ngjarjen e tmerrshme?

Po, unë e kam parë ngjarjen me sytë e mi. E vërteta është se e ndjera Arjana, dhunohej shpesh nga i shoqi, ai e keqtrajtonte atë dhe dy fëmijët e saj. Një ditë asaj iu sos durimi dhe shkoi tek Komuna për t’u ankuar, për të kërkuar njëfarë sigurie sepse jeta e saj ishte në rrezik dhe ajo e kishte nuhatur më të keqen, me gjithë atë dhunë fizike që i shoqi i saj ushtronte mbi të. Ai e mori vesh se Arjana e kishte denoncuar dhe ka qenë ora 10:00 e paradites kur ka nisur ta godasë, derisa gjaku i rridhte mureve të korridoreve, e më pas, në sy të të gjithëve, i preu kokën me thikë. Ishte një ditë zie për të gjithë ne, të gjithë ne të godinës ku jetonim, që pas tragjedisë kemi përfunduar në spital nga tronditja e tmerri që na panë sytë.

Nuk mundi dikush nga ju të ndërhynte në ato momente?

Me të drejtë pyesni, por ai njihej si një njeri më probleme dhe më përpara, me precedentë penalë, madje kishte bërë dhe burg në Greqi për 12 vjet dhe të gjithë patën frikë t’i afroheshin.
Mjerë ato femra shqiptare që bëhen darka e qenit, sepse zakonisht familjet në zona të thella malore, e fshatra të izoluara, detyrohen t’ia japin vajzën të ligut, vetëm e vetëm për t’i hequr nga shtëpia.

Po fëmijët e kanë mësuar çfarë ndodhi me nënën e tyre? 

Jo, sepse atë ditë ata ishin në shkollë, dhe janë përpjekur t’ja mbajnë fshehur faktin sesi vdiq nëna e tyre, pasi do ishte tepër e rëndë për ta. Janë  dy djem, moshat 8 dhe 9 vjeç, që janë vetëm tani. Ndërsa ai monstra ndodhet në burg.

Ju thoni që nuk ka as siguri për jetën, por as kujdes nga ana e punonjësve aty brenda? 

Absolutisht jo, është një tmerr i vërtetë. Unë jam gjendur përballë një realiteti të hidhur në një kishë fëmijësh, ku një shtetas shqiptar dhunoi dhe kërcënoi me prerje fyti fëmijën tim 6 vjeç dhe mua. E ndërsa pastorit me emrin Andreas Wiltizer i dukej normale për një zënkë fëmijësh dhe as mori mundimin të reagojë, sepse neve na shohin e na trajtojnë jo si qenie njerëzore. Ishte vërtetë një zënkë mes fëmijësh, por ai nuk pati mëshirë as për djalin tim të sëmurë duke e kapur prej rrobash, e kapi në grykë duke e ulur disa herë në tokë, pa e përplasur. Më pa në sy dhe më tha: Për shpirtin e babës ta presë fytin ty e të gjithë familjes tënde.

Kujt iu drejtove për këtë kërcenim? 

Shkova në polici, atje rrëfeva gjithçka siç po flas me ju, por nuk mora asnjë mbështetje, pasi më akuzonin sikur e bëja me qëllim që të përfitoja më shumë qëndrim këtu. Policia nuk besonte, sepse kishte pasur raste të ndryshme me shqiptarët, ku nxirrnin lloj-lloj gjërash vetëm të qëndronin sa më gjatë, dhe për këtë fakt nuk e merrnin si të mirëqenë, derisa një ditë fatmirësisht një grua gjermane, së cilës dikush i kishte thënë për rastin tim, i tha policëve se unë po thosha vetëm të vërtetën. Ka ende njerëz kjo botë.

Po tani ku jetoni?  

Komuna më ka dhënë një shtëpi prej tetë muajsh, si dhe një shumë prej 800 euro për shkollimin e dy fëmijëve. Por në momentin që ti merr një negativ absolut nga zyrat e emigracionit, shteti gjerman të detyron të firmosësh vdekjen tënde, kthimin në Shqipëri. Është një luftë e ftohtë psikologjike, nëse nuk e ke lëkurën e fortë, mund të vdesësh nga stresi e depresioni i thellë në të cilin përballemi çdo ditë me këto kushte.

Sa zgjat procesi?

Procesi zgjat pafund, derisa arrin në një pikë lodhje që me zemërimin e mbledhur në zemër, mund të shembësh botën.

Ju keni marrë përgjigje?

Po, unë kam marrë negativin pasi dhashë intervistën, por më kanë lejuar të qëndroj nga gjendja ime e keqe shëndetësore dhe ata e dinë në çfarë kushtesh jam.

Kaq shumë vuajtje, nuk do ishte më mirë të ktheheshit pranë pjesës tjetër të familjes e në vendin tuaj?

Ku të kthehem, kur nuk kam asnjë të ardhme, as minimumin jetik të gjërave, kur nuk kam mundësi të paguaj dritat, sepse nuk ka punë, me katër fëmijë që më shohin në sy e presin nga unë. Kjo që po bëj është një sakrificë e madhe. Si çdo nënë shqiptare që jep jetën për fëmijët e saj, dhe unë do i shkoj vuajtjes deri në fund për të nxjerrë në dritë fëmijët e mi, sidomos atë që nuk mundet vetë, Ninon, djalin tim të sëmurë. Ai  vetëm këtu mund të përmirësojë edukimin e zhvillimin e tij mendor. Ka talent në muzikë, sport. Është shumë simpatik dhe energjik, duket si një model. Por nuk mund të flasë. Ëndrra ime është ta dëgjoj Ninon të flasë. Kjo është arsyeja pse erdha të vuaj këtu. Është arsyeja për të cilën unë jetoj.

Botuar në Dritare.net

 

Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore. Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse: "Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin." Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar”
nga Donika OMARI  - botuar në Bota Shqiptare nr. 95, nëntor 2003

Personalitete të mëdha të shekullit IX e kanë quajtur shekullin XX si një të ardhme ku, falë përparimit të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, arsyeja do të triumfonte mbi paragjykimet. Në shumë drejtime ata kishin të drejtë. Ndër të tjera që një grua të arrinte një njohje e vlerësim ndërkombëtar siç është rasti i Nënë Terezës, kjo mund të ndodhte vetëm në shekullin XX, falë natyrisht edhe përparësive të komunikacionit që ofron koha jonë.

Shekulli XX ka shënuar përparime, zbulime, zhvillime të hatashme në shkencat, teknologji, në mendimin njerëzor. Falë këtyre arritjeve jeta e njeriut është bërë më e gjatë dhe më e lehtë materialisht. Shoqëria e konsumit e shtyn njeriun të priret për të arritur me çdo kusht e sa më shpejt mirëqenien e lumturinë. Të gjithë lakmojnë të jetojnë mes rregullit, pastërtisë, shëndetit, të jenë të rrethuar me gjëra të bukura, të shijojnë përparësitë materiale të kohës sonë. Dhe ja ku del një grua e thjeshtë dhe i lë mënjanë të gjitha këto e, duke iu përgjigjur thirrjes së idealit të saj, zgjedh përkundrazi të jetojë mes varfërisë më të skajshme, mes sëmundjeve e fatkeqësive, erërave mbytëse të plagëve, lodhjes deri në rraskapitje, vetëm një hap larg vdekjes, dhe kjo zgjedhje e saj ka vlerën e një revolucioni.

Natyrisht që heronj të tjerë të njerëzimit kanë bërë zgjedhjet e tyre; shkencëtarë të mëdhenj, burra shteti të shquar, artistë që na mahnisin. Njerëzimi u është mirënjohës për ndihmesën që kanë dhënë për zbutjen, ngritjen, pasurimin e shpirtit njerëzor. Por ajo që na duket unikale te Nënë Tereza është masa e dashurisë së saj, ai përkushtim i plotë dhe ai mohim total i vetvetes në shërbim të tjetrit.

Kushtet që bënë të mundur dukurinë Nënë Tereza qenë shpirti i saj i ndjeshëm, brumosja me mësimet e larta të fesë së saj e me traditat e familjes që kishte ruajtur virtytet më të mira të kombit shqiptar, si edhe India. Gonxhe Bojaxhiu, një vajzë gazmore që u rrit e rrethuar nga dashuria e harmonia familjare, e mësoi qysh në vegjëli se vuajtja e të tjerëve i përkiste edhe asaj. Po as ajo vetë nuk do ta merrte me mend se deri në ç'shkallë flijimi do ta shpinte më vonë të kuptuarit se vuajtja e të tjerëve i përkiste krejtësisht asaj. Për të arritur në këtë absolutizim të përkushtimit e ndihmoi India.  Askund tjetër nuk shfaqej vuajtja në pamje më të dhimbshme e më poshtëruese për njeriun. Nga ana tjetër ajo rronte në një vend, udhëheqësi shpirtëror i të cilit, Gandi, thoshte: "Unë dhe ti jemi një gjë e vetme. Po të bëra keq ty, kam lënduar veten." India e kuptoi përshpirtërinë e Nënë Terezës. Ajo ia hapi dyert dhe zemrat.Si me magji përpara kësaj gruaje të vogël binin të gjitha pengesat. Të gjithë bëheshin më të mirë përpara saj, tërhiqeshin, kujtoheshin ku bie mëshira e dhembshuria dhe jepnin, jepnin.

Ka një kulturë të të dhënit, që motivohet me përsiatje intelektuale. Psh. një arsye për të dhënë është që të mbushësh zbrazëtinë shpirtërore që mund të të krijohet nga kamja e tepërt.

Por ç`quhet të kesh tepër? Thoshte shën Jeronimi: "Në gjithçka që në të veshur a në të ngrënë kapërcen të domosdoshmen, ne jemi borxhlinj" Ndërsa Nënë Tereza nuk kishte nevojë të shpjegonte se pse duhet dhënë. Shembulli i asaj që e kishte dhënë vetveten pa asnjë kusht - dhe në ato kushte - fliste vetë.

Po Nënë Tereza jonë kishte edhe një shpirt poetik. Të thjeshta e plot ndjenjë, poezitë e lutjet e saj kanë cilësinë thelbësore të artit: janë të vetvetishme , burojnë natyrshëm. Si një nënë e vërtetë e njerëzimit merr në mbrojtje bujkun e ushtarin e të burgosurin, falënderon Zotin që pranë saj ka myslimanë e indu e që ka miq aq të shtrenjtë mes tyre, lutet që të jenë të bekuara paratë që harxhohen për të veshur të zhveshurin e për të ushqyer të uriturin, lutet për paqen, falënderon për dashurinë.Cili poet do të guxonte të përmendte paratë në poezi pa iu trembur rënies në prozaizëm?  Është e dhimbshme të kujtosh se më vështirë se kudo Nënë Tereza e pati në vendin e vet. Kam pasur fatin të isha e pranishme në disa nga ardhjet e saj në Shqipëri. E paharruar më ka mbetur në kujtesë ceremonia e dhënies së Çmimit të Republikës. Sa pak e kuptonin Nënë Terezën ata që po ia jepnin çmimin. Dy mendësi që rrinin në skaj të njëra -tjetrës: Njëra e mbyllur, mosbesuese, armiqësore dhe përjashtuese ndaj të tjerëve. Tjetra e hapur, plot dashuri e solidaritet ndaj të tjerëve, e gatshme të flijohej për ta.Nga njëra anë kulti i vetvetes, nga ana tjetër kulti i dashurisë. Por sot a kemi arritur ta kuptojmë ne më në fund Nënë Terezën? Ta kuptosh do të thotë të bëhesh i ndërgjegjshëm për mesazhin shpëtimtar të saj që është: mëshira, si edhe për filozofinë e saj të thjeshtë, që është: dashuria në veprim.

Stili i punës së saj është: pak fjalë shumë veprime konkrete pozitive. Te ne më shumë se kudo është i domosdoshëm ky stil pune: më pak fjalë e më shumë veprime të përbashkëta që do të na shpien drejt bashkimit. Se siç thoshte Nënë Tereza: "Shqipëria bëhet duke punuar së bashku."Le të përfytyrojmë pak: katër bashkësitë fetare që ndërmarrin bashkarisht ngritjen e një shkolle, azili, apo spitali, ku të vihet tabela: Ngritur me ndihmesën dhe punën e përbashkët të bashkësive myslimane, ortodokse, katolike dhe bektashiane. Le të vazhdojmë:Partitë politike dhe organizatat e ndryshme dhe aq të shumta që ndërmarrin së bashku veprimtari për të dhënë ndihmesë në përballimin e problemeve të vendit. Në ditët e përkujtimit të Nënë Terezës një skenë faustiane e punës së përbashkët njerëzore do ta kënaqte më shumë atë sesa ceremonitë përkujtimore.

Ajo la posaçërisht për bashkatdhetarët një porosi largpamëse:"Po të doni më shumë njëri-tjetrin do të doni kombin." Vetëm kur kjo e vërtetë e thjeshtë të prekë ndërgjegjen tonë mund të quhemi komb i shpëtuar, njerëz të shpëtuar. "Njeriu i heshtur, që punon pa u lodhur, rrallëherë qëllon të ketë biografi tërheqëse", thotë diku Cvajgu. Ndërsa biografia dhe vepra e Nënë Terezës nuk pushon së na tërhequri, nuk pushon të na habisë dhe emocionojë.  Sepse e gjithë jeta e saj është një betejë e paparë, e përmasave të asaj të Shën Françeskut, kundër egoizmit, për të arritur harrimin e vetvetes, përuljen. Ndërsa lexon për jetën e saj, të krijohet përshtypja se as ajo vetë nuk ia njihte vetes ato cilësi të jashtëzakonshme që i lejuan të bëhet Nënë par-excellence e njerëzimit. Me një zemër të apasionuar, e mençur, praktike, këmbëngulëse, e aftë për flijim, e aftë për besim të palëkundur, por mbi të gjitha e thjeshtë dhe e përulur, të gjitha këto cilësi pati rastin t`i vërë në provat më të pamundura, duke mos kërkuar mirënjohje ose, aq më pak, lavdi për vete. Ajo nuk e kërkoi lavdinë, ia dhanë të varfrit e saj dhe ia njohëm ne, njerëzit e pjesës tjetër të botës të lidhur fort pas rehatit e egoizmit tonë, që na hyjnë tmerri e dridhmat vetëm ta mendojmë se si mund të pastrohen plagët e një lebrozi. "As për një milion dollarë nuk do ta bëja këtë punë,"- i tha njëherë një gazetar. "As unë", iu përgjigj ajo me dy fjalë. Asnjë fjalë të tepërt nuk gjen në këshillat që u jep motrave të urdhrit. Ato janë sentenca të vërteta. Kundër pesimizmit i pëlqen të përdorë fjalën e urtë: "Më mirë të ndezësh një qiri se të mallkosh errësirën." Për t`iu kundërvënë apatisë dhe disfatizmit këshillon: "Duhet vepruar sikur gjithçka të varet nga ne…të tjerat lërja Zotit." Kundër mendjemadhësisë: "Po të gjunjëzohesh në lutje, do ta ndiesh veten më pak të përfryrë, pra më të lehtë."Kundër papërgjegjësisë dhe përtacisë: "Gjithkush bëhet i shenjtë kur kryen mirë detyrën e vet." Me një qartësi të habitshme, e ndihmuar nga një intuitë e thellë, di të kapë kuptimin e fshehtë të gjërave dhe, duke zotëruar mençurinë më të lartë, atë të zemrës, kap thelbësoren dhe e shpreh me fjalë thelbësore: Vetëm duke harruar vetveten e gjejmë përsëri. Varfëria është liri. Kisha jemi ne: unë dhe ti.

Spiritualiteti i Nënë Terezës nuk harron kurrë kërkesat e trupit: "Më parë u duhet përgjigjur nevojave trupore të njerëzve, pastaj tu ofrohet Krishti". Na kujton materializmin latin: Primo vivere deinde filosofare. Këshillat e saj shërbejnë si terapi për një shëndet të mirë: Po të buzëqeshësh e ndien veten më mirë. Po të ecësh ruan freskinë tënde. Po ta ushqesh fenë tënde me lutje të vijnë prapë fuqitë.

Ajo e di që nuk mund të bëjë kushdo gjëra të mëdha dhe këshillon motrat të jenë besnike në gjërat e vogla. Në bukurinë e jashtme, në parapëlqimin për njerëzit e pashëm, për veshjet e shtëpitë e bukura dhe për stolitë sheh një kurth për shpirtin, sepse mund të ngjallin zilinë, lakminë, mospranimin e shëmtisë fizike të tjetrit, neverinë për deformimet e tij trupore. Prandaj shkon në ekstrem: zgjesh veshjen më të thjeshtë, nuk pranon asnjë stoli as në shtëpi. Bukuria për të duhet të jetë krejtësisht e brendshme. Është një sfidë ndaj sipërfaqësisë njerëzore deklarata e saj për lebrozët se janë të bukur. Sidoqoftë nuk harron kurrë të jetë realiste, të njohë e të kuptojë kufijtë e secilit: Një gruaje indu, që ndërsa ofrohej të punonte si vullnetare, i rrëfehej se nuk bënte dot pa sarit lluksozë dhe se muaj për muaj blinte nga një që kushtonte 800 rupi, i sugjeron: "Herën tjetër bli një me 500 rupi dhe me 300 të tjerat bliju sari të varfrave." Pa ca kohësh ajo grua filloi të blinte sari për 100 rupi dhe pjesën tjetër ta falte për bamirësi. Dhe iu rrëfye Nënë Terezës se jeta e saj kishte ndryshuar kryekëput.

Ne po mbajmë sot këtu një konferencë shkencore për të. Por mund të pyetet: Ç`lidhje ka me shkencën një grua që nuk bëri ndonjë zbulim shkencor, që nuk pati lidhje me mjedise e personalitete të mirëfillta shkencore, por që bëri pjesë në atë kategori shoqërore që ka zgjedhur t`i shërbejë njerëzimit nëpërmjet së mbinatyrshmes?

E megjithatë kjo grua e thjeshtë, pa ndonjë përgatitje e kulturë të veçantë, diti ta njohë shpirtin njerëzor më mirë se psikologët më të shquar, pa qenë mjeke e madhe diti të shërojë njerëz, pa qenë poete e madhe shkroi poezi me një ndjenjë njerëzore të hollë, pa qenë financiere e madhe diti të menaxhojë miliona, pa qenë diplomate e madhe mundi të hapë të gjitha dyert, pa qenë dietologe na mësoi si rrohet me përkorje një jetë e gjatë, pa qenë specialiste e edukimit fizik na mësoi dobinë e të ecurit… Ndërsa ecja e saj do të vazhdojë në përjetësi.

Mendoj se njerëzimi ndien nevojë herë pas here për shfaqjen e personaliteteve të tilla. Pyetjet e vështira ekzistenciale, që nuk gjejnë përgjigje, përballimi i idesë së pafundësisë së universit, përpara të cilit njeriu ndien pafuqinë, vogëlsinë, kotësinë e vet, ankthet, frikërat dhe pasiguritë përpara së panjohurës, por edhe tmerri përballë vetë egoizmit të vet, të gjitha këto e shtyjnë të kërkojë një strehë sigurie për t`u mbrojtur madje edhe nga vetja, të krijojë pra Zotin. Por që të vazhdojë të besojë në të, i duhen dëshmi konkrete herë pas here. Prandaj kemi figurat e Mojsiut, të Krishtit e të Muhametit, që frymëzojnë gjatë shekujve përtëritës të besimit. Thoshte Nehrui: "Të ishin të gjithë të krishterët si Nënë Tereza të gjithë do të bëheshin të krishterë." Zoti do të ekzistojë sa kohë të ekzistojnë figura të tilla që e dëshmojnë atë (pra idenë e dashurisë, të mëshirës) me një dashuri e mëshirë totale.

Është interesante të vihet re se edhe vetë Nënë Tereza përmend më shumë të dytin e Trinisë së Shenjtë, Krishtin, njeri të gjallë pra, me mish e kocka, sesa Zotin, që është një ide, një parim. Siç del nga njëri prej botimeve të fundit për të: "E fshehta e Nënë Terezës", në ndonjë prej letrave të saj, ajo rrëfehet se ia përshkon shpirtin ndonjëherë mendimi i mosqenies së Zotit. Te Krishti, ama, nuk dyshon kurrë. Atë e ka si njeri shumë të dashur të familjes, me të shkëmben mendime, i kërkon këshillë. E jashtëzakonshmja e shoqëroi Nënë Terezën edhe pas vdekjes. Në varrimin e saj, për këtë të krishtere u krye bashkë me ritin katolik, edhe ai mysliman, budist, induist si edhe grupimesh të tjera fetare, çka ndodh për herë të parë në historinë shumëshekullore të feve.

Edhe me praktikat e shenjtërimit ajo po tregon se madje në radhën e shenjtorëve është e jashtëzakonshme. Sepse lumnimi që ka zgjatur më pak deri më sot, ai i themeluesit të urdhrit Opus Dei: Hozemaria Eskriva de Balaguer, ka qenë 17 vjet pas vdekjes. Për Shën Terezën dë Lisië, nga e cila mori emrin Tereza e Kalkutës, u desh të pritej 25 vjet.

Por le të dëgjojmë ç`thotë vetë Nënë Tereza për shenjtërinë e saj: "Në u bëfsha ndonjëherë shenjtore, me siguri do të jem një shenjtore që bën mungesa: se do t'ia mbath vazhdimisht nga parajsa që të shkoj e t'u ndez dritën atyre që janë në errësirë".

Kur ne shqiptarët të fillojmë ta ndiejmë si një vuajtje vetjake të përditshme përçarjen tonë, mosmarrëveshjet tona, do të ndërgjegjësohemi për errësirën ku jemi të zhytur shpirtërisht. Do të jetë fillimi i katarsisit.

Shtetet kanë provuar tashmë se sfida e imigrantëve është një çështje aq frikësuese për to saqë e kanë përballuar duke hartuar strategji sigurie, por në nivel vendor, qytetet po japin shembuj mbresëlënës të integrimit të imigrantëve dhe refugjatëve në shumë shtete të botës.
Nga Peter Sutherland, Weforum.org

Në shumë shtete, veçanërisht në Europë, imigracioni është përkufizuar gjithnjë e më tepër si një problem sigurie. Politikanët tradicionalë, për shkak të presionit nga populistët që shfrytëzojnë frikën, po bëjnë thirrje për kufizime të mëtejshme dhe disa vende po shkelin detyrimet e tyre ligjore dhe përgjegjësinë morale për të ofruar mbrojtje ndaj refugjatëve që po i largohen konflikteve.

Por nuk ka vetëm lajme të këqija. Ndërsa diskursi politik pengon veprimin efektiv në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, në nivel vendor, iniciativat progresive dhe efektive të integrimit të imigrantëve po lulëzojnë.

Kryebashkiakët dhe administratorët vendorë po ndërtojnë struktura sociale dhe fizike që mbështesin pranimin e imigrantëve dhe refugjatëve në komunitete lokale. Për ta, të ardhurit nuk janë vetëm statistika; ata janë njerëz të vërtetë – dhe anëtarë me potencial produktiviteti për komunitetin vendas. Çelësi i thithjes së potencialit të tyre, sipas kuptimit të zyrtarëve, është një proces integrimi i menaxhuar mirë.

Një polic maqedonas përshendet refugjatët në tren. 25 gusht 2015. Foto nga Elvin Shulku

Sigurisht, një proces i tillë është kompleks dhe mund të shtojë shqetësime mes banorëve. Të rinjtë e mbërritur në komunitet shpesh paraqesin presion të madh mbi qendrat urbane, veçanërisht në qytetet që tashmë po vuajnë nga burimet e pakëta. Sfidat – nga ofrimi i aksesit në strehimin dinjitoz dhe kujdesin shëndetësor te sigurimi i rrjeteve të transportit dhe shkollave që mund të përballojnë rritjen e kërkesës – janë të shumta dhe të mëdha.

Kjo është arsyeja përse një qasje proaktive – pa përmendur zgjuarsinë – është kaq e rëndësishme. Dhe kjo është pikërisht ajo që administratorët e shumë qyteteve po tregojnë.

Me kartën vendore të identitetit të qytetit të Nju Jorkut, IDNYC, të gjithë banorët, pavarësisht statusit të tyre, fitojnë akses në një shumëllojshmëri shërbimesh. Në Sao Paulo, imigrantët mund të kontribuojnë në diskutimet e politikave publike përmes një këshilli pjesëmarrës. Këshilli vendor i Barcelonës, si pjesë e një plani më të gjerë të kohezionit social, lançoi “fushatën anti-thashethem”, që përdor një seri librash komikë për të luftuar stereotipat negativë rreth emigrantëve.

Përmes bashkëpunimit me bizneset vendore, liderët vendorë kanë kanalizuar gjithashtu burimet drejt promovimit të sipërmarrjes dhe trajnimit për punë të imigrantëve. Në Auckland, Zelandë e Re, ku një e treta e popullatës ka lindur në një vend të huaj, projekti Omega, frymëzuar nga një iniciativë kanadeze, njeh imigrantë të rinj me mentorë të aftë dhe ofron intershipe të paguara. Në Londër, Projekti Bike riciklon biçikletat e nxjerra nga përdorimi dhe ia jep ato imigrantëve për transport. Ka mijëra projekte të tjera si këto, që ndihmojnë imigrantët dhe refugjatët të ndërtojnë jetë të reja në komunitetet e tyre aktuale.

Edhe më mirë, iniciativat mbeten vetëm në nivel qytetesh individuale. Liderët vendorë dhe autoritete lokale po formojnë aleanca me homologët kudo në botë për të gjetur zgjidhje për probleme të përbashkëta, për të ndarë praktika më të mira dhe për t’i kthyer sfidat e integrimit në mundësi të reja. Për shembull, oficerët e policisë nga Toronto, një qytet shumë multikulturor, kanë trajnuar homologët e tyre nga Amsterdami në afrimin me komunitetin.

Forumi Bashkiak mbi Mobilitetin, Migracionin dhe Zhvillimin, një platformë e mbështetur nga OKB, synon të çojë përpara pikërisht këtë lloj dialogu dhe bashkëpunimi mes kryebashkiakëve të botës, liderëve vendorë dhe autoriteteve rajonale. Lançuar në 2014 në Barcelonë, forumi, që mblidhet çdo vit, operon mbi parimin e qendrave urbane të shëndetshme dhe të qëndrueshme – një përbërës kyç për dinamizmin dhe suksesin e çdo vendi – në lidhje me të drejtat e barabarta, detyrat dhe mundësitë për banorët e vet.

Forumi gjithashtu inkurajon komunitetin ndërkombëtar të angazhohet me qytetet si “aktorë kyçë në diskutimet dhe proceset e vendimmarrjes mbi hartimin e politikave të imigracionit”. Mbi të gjitha, qytetet – që tashmë strehojnë më tepër se gjysmën e popullatës së botës, normë që do të rritet në 66 për qind në vitin 2050 – kanë shumë eksperiencë në integrimin e banorëve të rinj, që vijnë nga një vend tjetër dhe nga zonat rurale.

Problemi është se, pavarësisht trasferimit të fuqisë te qeveritë vendore – një trend i vendeve të zhvilluara që po përhapet në botën në zhvillim – shumë qytete ende operojnë mbi burime dhe autoritet veprimit të kufizuar. Kjo duhet të ndryshojë – një imperativë që Vatikani e theksoi së fundmi. Kur Akademia Papnore e Shkencave lajmëroi se do të organizojë një samit mbi refugjatët dhe migrantët në fund të këtij viti, ajo theksoi se kryebashkiakëve “duhet t’u ofrohet aftësia për të plotësuar nevojat dhe akomoduar të gjitha llojet e migrantëve apo refugjatëve”.

Debatet kombëtare dhe ndërkombëtare rreth migracionit kanë shumë të meta, pasi ato përqendrohen te siguria dhe për pasojë këtë bëjnë edhe politikat që vijnë prej tyre. Nëse autoritetet bashkiake – që kanë ofruar gatishmërinë dhe aftësinë për të arritur integrim në mënyra inovative – do të kishin më tepër pushtet për të hartuar politikat e imigracionit, të gjithë do të përfitonin.

Botuar në Reporter.al

 

 

 

Për qytetarët kosovarë do të ofrohen shërbime konsullore pranë selisë së konsullatës së Shqipërisë, siç ndodh prej dy vjetësh në Milano

Prishtinë 16 gusht 2016 – Selia e Konsullatës së përgjithshme të Shqipërisë në Bari tashmë është edhe e Kosovës. Lajmin e dha ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës që deklaroi se për shtetasit kosovarë që jetojnë në Itali ofrohen shërbime konsullore dhe në qytetin e Barit, në selinë e Konsullatës së Shqipërisë (në adresën Corso Vittorio Emanuele 171, 70122 Bari).

Shërbimet ofrohen në bazë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Shqipërisë për të mbështetur njëra tjetrën në shërbimin diplomatik dhe konsullor dhe ishte paralajmëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Tiranë në korrik të këtij viti. Ky hap pason përvojën e ngjashme në Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Milano ku, prej 16 shtatorit 2014, u ofrohen shërbime konsullore shqiptarëve dhe kosovarëve.

Ofrimi i shërbimeve konsullore për qytetarët e Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari bëhet për të mbështetur dhe për t’u ardhur në ndihmë shtetasve të Kosovës që jetojnë në rajonet e Jugut të Italisë, por edhe për të gjithë ata që zgjedhin Barin si portin hyrës ose dalës për udhëtimet, pushimet apo lëvizjet e tyre nëpërmjet Shqipërisë për në Kosovë.

Lexo edhe: Konsullata e Milanos, nga sot është e të gjithë shqiptarëve

 

Artikuj te tjere...