Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Më mirë të shkarkohen të gjitha fajet mbi rrufepritësen "i huaji". Sa më shumë është fajtor "ai", aq më të pafajshëm jemi të gjithë ne italianët

Nga Sergio Talamo

Ndihmësja shtëpiake është filipinase, shitësi i rrugës afrikan, luleshitësi pakistanez, tezgaxhiu kinez, përdhunuesi... rumun. Është psikoza e një epoke të sëmurë, kur dhuna më e urryer bëhet "etnike"; kur banda që shkatërron jetën e një vajze nuk gjykohet për atë çka ka bërë, por për vendin prej nga vjen.

Të dhënat tregojnë tjetër gjë. Portali internet voce.info nxjerr në dritë që prej vitit 1990 deri më 2003-shin numri i lejeve të qëndrimit është pesëfishuar ndërsa kriminaliteti ka rënë paksa; dhe shton që e njëjta gjë vlen edhe për pjesën "e fshehur", me një fjalë, edhe për të parregulltit dhe krimet e padenoncuara. Po sa vlerë kanë shifrat, kur një vend i tërë dëshiron të pastrojë ndërgjegjen?

Ne, turmë e egërsuar që dëshiron të harrojë. Ne nuk duam të shohim që specialistët e përdhunimeve, të droguar e të dehur, janë të rinj shpesh borgjezë e të kamur. E që në mëse tre të katërtat e rasteve të dhunës seksuale përdhunuesi ka "çelësat e shtëpisë". Dhe që qytetet tona duken sikur janë projektuar posaçërisht për të ngritur pusi, sepse janë të errëta e plot periferi të lëna në degradim, sepse në diskoteka droga qarkullon si të ishte ujë mineral, sepse në darkë metrotë mbyllin dhe autobusët bëhen gjithnjë e më të rrallë, sepse festat e të rinjve janë kthyer në territore të pakontrollueshme ku gjithçka mund të ndodhë.Ne nuk mund ta shohim këtë realitet sepse vë në dyshim bindje të patundshme: familja e shenjtë e mbrojtëse, bijtë tanë vajza e djem të mbarë. Ndaj është shumë më e lehtë t'u hedhim fajet rrufepritëses "i huaji". Sa më shumë është fajtor "ai", aq më të pafajshëm jemi të gjithë ne italianët.

Mbeten shumë pikëpyetje pezull, të shpërfillura. Që ligji ynë konsideron rrethanë lehtësuese kryerjen e krimeve nën efektin e drogës, mos është faji i rumunëve? Që gjykatësve tanë u duket normale të lënë në shtëpi dikë që sapo ka përdhunuar një grua, mos është faji i rumunëve? A mos është faji i rumunëve edhe që një mama nga Nettuno thotë që i biri gjashtëmbëdhjetë vjeçar fajtor për vënien e zjarrit një të pastrehu është djalë me zemër të mirë, i marrë më qafë nga më të mëdhenjtë?

Asnjë nuk rrethon makinën e policisë, asnjë nuk ka etje për linçim kur arresti shtëpiak i jepet një "djali të mbarë" italian që ka përdhunuar për bast, që i ka vënë flakën një njeriu për të lozur. Asnjë nuk i kërkon llogari klasës politike për një ligj sipas të cilit përdhunimi vlen më pak se tre vjet burg, pra kush e kryen merr  lirinë me kusht; e për një tjetër ligj që bën të pamundur paraburgimin kur krimi për të cilin akuzohet i pandehuri parashikon lirimin me kusht.

Asnjë nuk i kërkon llogari drejtësisë italiane për sytë e mbyllur para dhunës së ushtruar mbi gratë islamike, nga burra që praktikojnë në Itali shariah-n më të egër që nuk mund ta praktikojnë as në vendet prej nga vijnë. E asnjë nuk guxon të fusë hundët ne familje, ku dhuna është më e pakapshme dhe më tragjike, sepse në këtë rast dikush abuzon me një person që i ka dhuruar besimin dhe jetën e vet, sepse shpesh dhuna e abuzimi bëhen mbi të mitur, sepse jo rrallëherë gruas ia mbyllin gojën ndjenjat si frika, turpi, ndjenja e fajit që i shtohet sfilitjes së trupit.

"U shpjegoni fëmijëve se ç'pasoja të rënda mund të kenë veprime të caktuara", thotë Giovanni Bollea. Por, para së gjithash, u duhet shpjeguar nënave e baballarëve. Edhe që "veprime të caktuara" nuk kanë as ngjyrë e as racë.

 

Me urdhëresë të ministrisë së Jashtme, nga data 26 janar 2009, të gjitha veprimet konsullore, për të cilat normat në fuqi nuk kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit, kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar

Nëse këto ditë do të paraqiteni në zyrat konsullore shqiptare për legalizime dokumentesh, derën do ta gjeni mbyllur. Për praktika që nuk kërkojnë praninë fizike të personit, nga fundi i janarit konsullata nuk pret njerëz, por zarfe. Nga fundi i janarit, çdo praktikë konsullore legalizimi bëhet vetëm me postë.
Është ndryshimi më i fundit për emigrantët që çon drejt shkëputjes së marrëdhënieve të drejtpërdrejta të nëpunësve të shtetit me emigrantët.
Mënyra e re e shërbimit konsullor ka krijuar fillimisht jo pak probleme. Kryesisht sepse nuk është paralajmëruar me kohë (njoftimi i vënë në faqen internet të ambasadës mban datën 29 janar) dhe sepse telefonave të konsullatave dhe ambasadës sonë nuk i përgjigjet askush. Paragjykim? Ndërsa shkruhej ky artikull provuam disa herë, në ditë të ndryshme, të lidheshim me telefon me konsullatën e Barit, të Milanos dhe zyrën konsullore të Romës, por asnjërës prej dhjetëra thirrjeve tona nuk iu përgjigj kush nga krahu tjetër. Kështu, ka pasur nga ata që duke mos ditur gjë për praktikën e re, kanë marrë rrugën, janë paraqitur në sportel dhe janë kthyer mbrapsht pa mbaruar punë.

Me dy fjalë, pranë konsullatave, këtej e tutje duhet shkuar vetëm për veprime konsullore për të cilat ligji parashikon praninë fizike të të interesuarit. Të tilla veprime janë aplikimi për pasaportë apo për vizë, përgatitja e prokurave, kërkimi i leje-kalimeve. Ndërsa për legalizim të dokumenteve, shqiptare apo italiane, shqiptarët duhet t'u drejtohen zyrave të postës. Të kryejnë pagesën me vaglia postale dhe të nisin në një zarf dokumentet e tyre, fletë-pagesën, një zarf ku të kenë shkruar saktë adresën e tyre dhe t'i nisin me postë në adresë të Zyrës konsullore të Ambasadës.
Praktika e në konsullatat shqiptare e ka zanafillën në urdhëresën nr. 8  të datës 8 janar 2009 të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Ndokush mund të mendojë që shkaku i vërtetë i këtij ndryshimi është emisioni "Fiks Fare" që, këtë fillim viti, nxori sheshazi në dukje korrupsionin që mbizotëron në konsullatat tona, por një gjë të tillë nuk e pohon askush zyrtarisht. Dhe si zakonisht, lufta ndaj korrupsionit rëndon më shumë mbi emigrantët sesa mbi nëpunësit e korruptuar të shtetit.
Në urdhëresën e ministrit shkruhet e zezë mbi të bardhë që "duke filluar nga data 26 janar 2009, të gjitha veprimet konsullore do të kryhen vetëm nëpërmjet shërbimit postar. Përjashtohen nga ky rregull vetëm aplikimet për pasaportë, nënshkrimi i prokurave dhe aplikimet për vizë, për të cilat aktet normative në fuqi që kërkojnë paraqitjen fizike të vetë personit". Madje urdhëresa parashikon edhe që mund të bëhen përjashtime nga rregulli i mësipërm vetëm kur "autorizohen me shkrim vetëm nga Titullari i Përfaqësisë Diplomatike ose Konsullore" dhe vetëm "për raste shumë të veçanta dhe të argumentuara, duke vënë në dijeni Drejtorinë Konsullore".


I përmbahet kësaj urdhërese edhe njoftimi i Ambasadës sonë në Romë dhe i konsullatave të Milanos dhe Barit, që sqaron më hollësisht edhe cilat dokumente bëhen duke shkuar personalisht në sportelet e konsullatave e cilat shërbime mund të kërkohen me postë, kostot dhe mënyrat e pagesës.
I kontaktuar nga Bota shqiptare, ambasadori Llesh Kola thotë se "vështirësitë e fillimit do të kapërcehen, tashmë shqiptarët në Itali janë mësuar të komunikojnë me administratën publike përmes postave. Shumica dërrmuese paraqesin në postë kërkesën për lejen e qëndrimit". Madje përmend se kjo praktikë e re e adoptuar nga shteti shqiptar për shërbimin konsullor "nuk është ndonjë risi absolute: edhe konsullata të vendeve të tjera veprojnë në të njëjtën mënyrë. Ne po bëjmë edhe më shumë, po u dërgojmë në shtëpi të interesuarve dokumentin e legalizuar, me postë rekomande". Ambasadori kërkon mirëkuptim dhe bashkëpunim nga anë e emigrantëve: "Që ky proces të vejë sa më mirë është e domosdoshme që të gjithë të jenë sa më të kujdesshëm kur dërgojnë me postë dokumente për të legalizuar". Kështu p.sh., nëse dokumentet janë të lëshuara nga shteti italian, duhet të autentifikohen më parë nga Prefekturat italiane apo nga Prokuroritë pranë Gjykatave italiane, të cilat përkatësisht autentifikojnë firmat e nëpunësve të zyrave të bashkive e komunave, të shkollave e universiteteve etj., dhe të nëpunësve të gjykatave. Ndërsa nëse dokumenti që duhet legalizuar është lëshuar në Shqipëri duhet të ketë kaluar më parë edhe në zyrat e autentifikimit të Prefekturave shqiptare. Një tjetër element i rëndësishëm për mbarëvajtjen e procesit është edhe shkrimi i saktë i adresës së personit ku do të kthehet dokumenti i legalizuar. "Ka pasur raste kur dokumentet janë kthyer mbrapsht pikërisht për mungesë të adresës së saktë - shpjegon ambasadori". E megjithatë, ambasadori siguron se të gjithë ata që do të vijnë në zyrën konsullore të ambasadës për veprime që kërkojnë praninë fizike të personit, do të mund të bëjnë edhe praktikat e tjera: pra nëse dikush shkon në Ambasadë për të bërë një prokurë, bashkë me të mund të bëjë edhe legalizimin e ndonjë dokumenti. "Megjithatë, - siguron ambasadori Kola - është ende herët për të thënë se cila është ecuria, po përpiqemi të perfeksionojmë shërbimin konsullor. Nëse do ta shohim të arsyeshme do t'i propozojmë ministrisë edhe rrugë të reja, që do të kenë gjithnjë si qëllim final përmirësimin e shërbimit ndaj shqiptarëve".

Keti Bicoku

Bota shqiptare 208

Me paketën e sigurisë dhe dekretin anti-krizë, emigrantët do ta kenë përditë e më të vështirë jetesën dhe integrimin në Itali

 

Nëse është e vërtetë që koha e mirë duket që në mëngjes, mund të themi me plot gojën që ky vit nuk po sjell asgjë të mirë për emigrantët në Itali. Që politika do të fillonte këtë vit me shqyrtimin e shumë çështjeve që kanë të bëjnë edhe me të huajt ishte pak a shumë e ditur, pasi parlamenti do të fillonte punimet me shqyrtimin e dekretit të ligjit mbi sigurinë, në të cilin shumë pika sjellin ashpërsime të mëtejshme të ligjit mbi imigracionin. Por që të kërkohen para nga emigrantët për çdo hap që hedhin, kjo është e papranueshme. Por jo e pamundur, veçanërisht për Legën. Do të marrësh lejen e qëndrimit? Paguaj, nga 10 deri në 400 euro, përveç 72,12 eurove që paguan deri tani. Kërkon të marrësh shtetësinë italiane? Paguaj 200 euro. Do të punosh më vete e të hapësh një ‘partita IVA’? Lidh një sigurim fidejuksioni prej 10 mijë eurosh (i vetmi amendament që u hodh poshtë). Do të sjellësh prindërit mbi 65 vjeç në Itali, por vetëm nëse nuk ke vëllezër në atdhe? Paguaj për ta sigurimin shëndetësor. Je klandestin në Itali? Paguaj një gjobë nga 5.000 deri në 10.000 para se të dëbohesh nga Italia.

Në Itali diskutohet dekreti i ashtuquajtur ‘pacchetto sicurezza’, dhe penalizohen të huajt; diskutohet dekreti anti-krizë, dhe studiohet se si të nxirret ndonjë euro më shumë nga xhepat e emigrantëve.

Po le t’i shohim me radhë të rejat që po hyjnë në fuqi e të tjera që qeveria e qendrës së djathtë po përpiqet të sjellë, e ndikuar veçanërisht nga Lega.

Nga nëntori i vitit të shkuar kanë hyrë në fuqi edhe shtrëngimet për bashkimet familjare. Janë rritur të ardhurat e nevojshme për të kërkuar ardhjen e një familjari në Itali, është bërë thuajse i pamundur bashkimi me prindërit e moshuar dhe është vështirësuar ai me bijtë në moshë madhore etj.

Që nga 1 janari 2009, për marrjen e pensionit social të huajt duhet të plotësojnë jo vetëm kushtet e mëparshme – të kenë rezidencë efektive në Itali, kartë qëndrimit dhe të ardhura të ulëta – por edhe një tjetër të ri: të jenë në Itali prej të paktën dhjetë vjetësh.

Dy dekretet që tashmë po kalojnë në parlament, ai i sigurisë dhe ai anti-krizë, pjesërisht të aprovuar, në shumë nene të tyre prekin edhe emigrantët. Në dekretin anti-krizë, ato që shkaktuan më shumë debate ishin dy amendamente të Legës. Njëri kërkonte që të huajt që hapin një ‘partita IVA’, pra që vendosin të punojnë si të pavarur, të lidhin një sigurim fidejuksor prej 10.000 eurosh. Pa ndonjë arsye të veçantë, thjesht vetëm pse nuk janë italianë. Masa kishte karakter kaq të theksuar racist sa u hodh poshtë në Senat, por pasi e mori njëherë një aprovim në qeveri.

Ndërsa amendamenti tjetër kishte të bënte me një ‘kontribut’ prej 50 eurosh që emigrantët duhet të paguajnë sa herë që kërkojnë lëshimin e parë dhe përtëritjen e dokumentit të qëndrimit. Pas kritikave të ashpra të opozitës, të kryetarit të Senatit Finit, pas përgënjeshtrimeve të Berluskonit të tipit “e dija – s’e dija”, “bëhet-s’bëhet”, më në fund amendamenti i Legës miratohet në një formë të re, jo më në brendësi të dekretit anti-krizë por në brendësi të paketës së sigurisë: “emigrantët do të paguajnë një shumë që do të shkojë nga 10 deri në 400 euro, që do të vendoset me dekret ministrie”.

Në polemikë me të gjithë ata që u ngritën kundër kësaj takse apo kontributi, Maroni u shpreh se nuk kuptonte pse gjithë kjo shamatë kur edhe në vendet e tjera evropiane të huajt paguajnë një kontribut për marrjen e dokumentit të qëndrimit. Por ndoshta harron që edhe të huajt në Itali, tashmë prej dy vjetësh paguajnë jo pak për dokumentin e qëndrimit, plot 72,12 euro: u japin postave italiane një kontribut 30 eurosh, poligrafikut të shtetit 27,50 euro për shtypjen e dokumentit elektronik dhe 14,62 euro shtetit me pullë-taksë. Të gjithë të huajt mbi moshën 14 vjeç. Dhe jo vetëm kur kërkojnë lejen e parë të qëndrimit, por edhe kur e përtërijnë apo kur e përditësojnë në rast se ndërrojnë adresë, apo pasaportë, u lind një fëmijë. Madje Maroni duhet të dijë mirë që lejet e qëndrimit që të huajt paguajnë 72,12 euro janë të vlefshme për një vit a dy (ligji Bossi-Fini ka përgjysmuar kohëzgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të qëndrimit), për të mos thënë që jo rrallë, pas muajsh të tërë pritjeje me ‘cedolino’-n në xhep ta lëshojnë në prag të skadencës.

Veç kontributit për lejet e qëndrimit, nga paketa e sigurisë, në Senat janë miratuar edhe nene të tjera, shumica e të cilave nuk bëjnë tjetër veçse u vështirësojnë jetën emigrantëve, dhe duket se synojnë më shumë mbushjen e arkave të shtetit sesa rritjen e sigurisë në vend.

Kështu, një nga pikat kryesore të dekretit të sigurisë, futja e veprës penale të klandestinitetit, parashikon që i huaji pa dokumente qëndrimi që kapet nga forcat e rendit nuk do të burgoset, siç parashikohej në tekstin fillestar, por do të paguajë një gjobë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro dhe do të dëbohet nga kuestori pa qenë nevoja për sentencë gjykate. Nuk kuptohet mirë se si do të aplikohet ky nen: atyre që mbërrijnë në Lampedusa, për shembull, para se t’i kthejnë nga kanë ardhur, do t’u kërkohen më parë, minimumi, 5 mijë euro? Vështirë të besosh që shteti t’i kërkojë parà një njeriu të drobitur, të cilit nuk i di as emër e mbiemër.

Ngrihet nga 60 ditë deri në 180 ditë periudha maksimale e mbajtjes së emigrantëve klandestinë në Qendrat e Identifikimit dhe të Dëbimit (emërtimi i ri i Qendrave të qëndrimit të përkohshëm)

Në kuadrin e luftës kundër emigracionit klandestin janë miratuar gjithashtu edhe nene që parashikojnë edhe 5 vjet heqje lirie për favorizim të emigracionit klandestin, për të gjithë ata që punësojnë emigrantë me qëndrim të parregullt; detyrimin e të gjithë administruesve të qendrave të transferimit të parave të denoncojnë brenda 12 orëve të gjithë klientët e huaj që nuk paraqesin dokumentin e qëndrimit (në të kundërt rrezikojnë heqjen nga regjistri i agjentëve financiarë). I njëjti detyrim u kërkua të vihej edhe për mjekët por nuk u miratua; por nga ana tjetër, u la në dorë të tyre të denoncojnë apo jo një pacient pa dokumente qëndrimi (deri më sot mjekët e kishin të ndaluar të denonconin klandestinët).

Kush do të kërkojë lejen e parë të qëndrimit do të firmosë edhe “një marrëveshje integrimi” me kredite (për të ashtuquajturin lejeqëndrim me pikë) me të cilën impenjohet se do të arrijë “objektiva integrimi” deri në skadencën e dokumentit. Por, të paktën, është hequr dëbimi automatik me mbarimin e pikëve të lejes për shumë kategori të huajsh: ata që kanë kartën e qëndrimit, që kanë lejeqëndrim për mbrojtje humanitare, për strehim politik dhe ata që kanë ushtruar të drejtën e bashkimit familjar.

Këtej e tutje kush do të kërkojë shtetësinë italiane do të paguajë një taksë prej 200 eurosh (në çastin kur paraqet kërkesën, jo pas tre katër vjetëve kur mund ta marrë).  Për më tepër, kush do të kërkojë shtetësinë për martesë, do të duhet të presë dy vjet nga martesa e jo gjashtë muaj para se të paraqesë kërkesën. Gjithashtu, për t’u martuar në bashki, këtej e tutje, të huajve do t’u kërkohet të paraqesin edhe dokumentin e qëndrimit, dokument që në shumë komuna të veriut kërkohet tashmë prej disa kohësh, edhe pse nuk parashikohej nga ligji.

Për bashkimet familjare përveç shtrëngimeve të ardhura në fuqi në nëntor të vitit të shkuar parashikohen të reja me paketën e sigurisë. Kështu, këtej e tutje një prind mund të bashkohet me të birin e mitur në Itali vetëm nëse ky i fundit është me qëndrim të rregullt bashkë me prindin tjetër. Një tjetër risi është edhe eliminimi i parimit heshtje-miratim për autorizimin e bashkimit familjar, që deri më sot hynte në fuqi 180 ditë pas paraqitjes së kërkesës për bashkim familjar (dhe që praktikisht do të thoshte se nëse brenda 180 ditëve Sporteli Unik nuk i jepte një përgjigje kërkesës për bashkim familjar, mund të shkohej drejtpërdrejt në përfaqësinë konsullore italiane në vendlindje dhe të kërkohej vizë për bashkim familjar).

Këto janë risitë më të rëndësishme deri më sot. Nuk janë ende ligj, por miratimi i shpejtë në Senat, të lë të kuptosh që nuk do të vonojë t’i shohim të botuara në gazetë zyrtare. E keqja është se dekreti i sigurisë ende nuk është miratuar i gjithi, dhe Lega ka ende kohë të shtojë amendamente të tjera...

Keti Bicoku

Bota Shqiptare 207

 

Përse shqiptarët janë ndër të paktët që përpiqen të arratisen nga burgjet italiane. Shpesh duke ia dalë mbanë.

nga Rando Devole

Si për të na kujtuar thënien e famshme se jeta imiton artin, arratisja e bujshme e një shqiptari nga burgu i Milanos, na solli ndër mend filmat bardhë e zi që kemi parë në fëmijëri. Të veshur si zebrat, me gjylen në këmbë të porsashkëputur, të burgosurit rrëshqisnin si hije nëpër muret me njolla prozhektori, zbrisnin nga dritaret me litarë të përftuar nga çarçafët dhe me shkathtësi kapërcenin muret e larta. Pastaj, në film vijonin dritat e prozhektorëve, sirenat e alarmit, lehjet e qenve, krismat e pushkës, të bërtiturat e rojeve.

Filmat me ngjyra, telefilmat modernë, romanet e fundit, ndoshta i kanë përpunuar ca më shumë teknikat e arratisjes. Tani kemi të burgosur që bllokojnë kompjuterët e burgut, që studiojnë hartat e hollësishme, që fluturojnë me helikopter… Por koha dëshmoi, e nuk është rasti i vetëm, se edhe sistemet moderne të alarmit, rrezet kontrolluese të lazerit, kompjuterizimi i hekurave, telegjëmbizimi i mureve, dështojnë përballë modelit më klasik të arratisjes: çarje në mur ose tunel nëntokë, litar çarçafi të prerë, shkathtësi akrobati në mur dhe vrap i shpejtë gazele.

Rastet e shqiptarëve që arratisen nga burgu në vendet perëndimore nuk janë numerikisht aq të papërfillshme, sa për t'i lënë vetëm në faqet "tërheqëse" të kronikës së zezë. Pyetja se përse shqiptarët përpiqen të largohen nga burgu (ku me sukses e ku pa sukses), ndërsa të tjerët janë dorëzuar ta kryejnë dënimin e marrë, nuk ka lindur së fundi. Ka kohë që dikush e ka marrë mundimin ta interpretojë edhe pse ndoshta kjo pyetje nuk do ketë kurrë një përgjigje përfundimtare, e cila të metën e ka pikërisht tek përgjithësimi devijues, por edhe i pashmangshëm, siç ndodh kësi rastesh.

Kush kërkon shpjegime nëpër hartat gjenetike të shqiptarëve është i destinuar të dështojë. Nuk ka analizë gjaku që mund të japë ndonjë "diagnozë" për të burgosurit shqiptarë që arratisen nga burgu. Për të vetmen arsye se gjenetika (gjaku është i kuq për të gjithë) nuk mund të shpjegojë shkaqet që fshihen në kushtet sociale apo në psikologjinë e njeriut.

Nga ana tjetër thuhet se kushtet e të burgosurve të huaj në Itali janë shumë të vështira. Studiues që merren me këto çështje tregojnë se të huajt duke mos pasur një shtëpi të tyren (si rezidencë) e kanë shumë të vështirë të përfitojnë nga lehtësimet e ligjit. Mendohet se duke mos pasur familje, pika referimi, mundësi edukimi, ata zhduken menjëherë dhe përpiqen t'ia hedhin kontrollit gjyqësor. Si pasojë drejtësia tregohet dorështrënguar. Në përgjithësi pra, të burgosurve të huaj u mungon perspektiva. Ata janë të detyruar ta kryejnë dënimin deri në fund dhe pa ulje të ndjeshme.

Të gjitha këto mund të jenë të vërteta, por nuk i japin përgjigje pyetjes se përse shqiptarët orvaten të ikin nga burgu. A nuk janë në të njëjtën gjendje edhe të burgosur të tjerë, jo vetëm italianë por dhe ekstrakomunitarë? A nuk janë të njëjta vështirësitë si: mbipopullimi, largësia nga vendi i origjinës, mungesa e familjes, etj. etj.? Natyrisht që po. Të gjithë të burgosurit kanë probleme pak a shumë të njëjta.

Kohë më parë dikush hidhte idenë se problemi është tepër teknik. Rojet e burgut nuk ua mbajnë mend emrat e çuditshëm dhe i ngatërrojnë, duke mos marrë masa të rrepta ndaj më të rrezikshmëve. Dakort, por emrat e shqiptarëve nuk është se kanë një nivel çuditërie më të lartë se një maroken, rumun apo tunizian. Po aq i pakuptimtë më duket shpjegimi me anë të aftësive akrobatike dhe muskujve alla Shvarceneger të burgosurve shqiptarë.

Përveçse arsyeve individuale i duhet hedhur një shikim edhe historisë së vonë të Shqipërisë, bij të së cilës janë edhe ata që marrin guximin të arratisen. Shqipëria, vetëm 15 vjet më parë, ishte një burg për të gjithë. Në të vërtetë, ishte një burg si kutitë kineze: brenda kishte burgje të tjera. Në burgun e madh jetonin të gjithë shqiptarët, të cilët nuk kishin të drejtë të largoheshin nga vendi. Në fakt, folja "arratisem" përdorej rregullisht (p.sh. u dënua se u arratis jashtë shtetit) për atë veprim që në vende të tjera mund të thuhej "shkoj jashtë vendit". Pra përdorej një folje që normalisht duhej shoqëruar nga fjalë si "burgu", "spitali psikiatrik", etj. Brenda burgu të madh ekzistonin të internuar (internimi ishte një lloj burgu) dhe të burgosurit e mirëfilltë. Ka mundësi që kjo mbyllje hermetike shumëvjeçare të ketë krijuar një farë klaustrofobie sociale dhe një refuzim ndaj autoritetit tek disa shqiptarë.

Kur Shqipëria hapi kufijtë, nëpër Evropë u vërsulën edhe ata që e konceptonin lirinë si anarki. Mirëpo, demokracia dhe liria nuk duhen ngatërruar me mungesën e rregullave apo me lirinë absolute. Thënia e njohur në perëndim:"E drejta jote mbaron atje kur fillon e drejta e tjetrit", nuk u kuptua nga të gjithë shqiptarët. Kishte prej tyre që e panë perëndimin si një Far Uest pa kurrfarë ligjesh, ku fitonte më i forti. Një xhungël e vërtetë. Shumëkush e di se liria primitive që e shoqëron xhunglën është e papajtueshme me kufizimin e lirisë që ushtron burgu. Si rrjedhim, izolimi në burg perceptohet si më i padurueshëm dhe më i vështirë.

Për ata që hekurat e dritareve nuk i durojnë dot dhe në rastin më të parë mendojnë të arratisen nga burgu, Shqipëria duhet të luajë një rol shtytës kryesisht për dy arsye. Rënia e regjimit komunist shkaktoi një tronditje të thellë në shoqërinë shqiptare. Së bashku me regjimin ra pjesërisht edhe shteti me autoritetin e tij. Kjo shkaktoi mosrespektimin e rregullave shoqërore dhe lulëzimin e krimit në të gjitha llojet e veta. Anormia sociale (mungesa e normave dhe e rregullave) arriti kulmin në Shqipëri pas trazirave të 1997-s, të cilat pasuan rënien e firmave piramidale. Shqipëria me depo armësh të shkallmuara dhe me burgje të thyera u shndërrua në një habitat ideal për krimin e organizuar. Për një periudhë kohore shteti fillonte e mbaronte në bulevardin "Dëshmorët e kombit" të kryeqytetit. Rrënimi që pësoi shteti do të kishte qenë i riparueshëm sikur të kishte mbetur vetëm në aspektin material. Ndërtesat e prishura rregullohen, depot e armëve rimbushen, shkollat riparohen, xhamat e thyera zëvendësohen. Problemi është se autoriteti i shtetit dhe aftësia e tij për të rregulluar jetën shoqërore u lëndua rëndë edhe në psikologjinë e disa shqiptarëve. Kështu anomia u bë norma e përgjithshme dhe frika ndaj ndëshkimit ra në nivele tepër të ulëta. Në sytë e kriminelëve shteti u bë një autoritet sa i papërfillshëm aq edhe i padurueshëm.

Nga ana tjetër, duhet thënë se shteti aktual shqiptar nuk është se e ka marrë veten plotësisht. Drejtësia ka ende probleme strukturore dhe është larg standardeve evropiane. Në këtë kuptim, për shumë emigrantë që kanë thyer ligjin në vende të tjera, Shqipëria përbën një porto franco ku mund të fshihen kollaj. Me fjalë të tjera, midis një ekstrakomunitari me kombësi "x" dhe një shqiptari, tundimi për ta bërë çarçafin litar i vjen më shumë të dytit se të parit. I pari ka pak gjasa që të dalë pa lagur, kurse i dyti, ka shanse që të kthehet në vendlindje e ta rifillojë jetën pa probleme. Kontrolli shoqëror në Shqipëri ka rënë ndjeshëm, kurse shteti shqiptar nuk ka arritur ende aftësinë e kapjes së atyre që thyejnë rregullat dhe bëjnë krime. Si të thuash, thënia shqiptare (relativisht e vjetër) sipas së cilës "Qeveria e kap lepurin me qerre", nuk vlen për Shqipërinë e sotme. Ajo shprehje nënkuptonte një shtet konstant, një drejtësi ndoshta të ngadaltë por kokëfortë e këmbëngulëse, një polici që ndjek objektivat me rreptësi e ndershmëri. Cilësi që sot për sot, për fat të keq, nuk ekzistojnë.

Natyrisht, refuzimi i autoritetit shtetëror ose shoqëror, ka të bëjë me përbrendësimin e disa vlerave të domosdoshme sociale. Një nga këto është edhe vlera e lirisë. Në rast se kjo kuptohet si respekt ndaj të tjerëve, por edhe si një vlerë e paçmuar, që nuk mund të harxhohet kot së koti në burg, atëherë do të kemi më pak shqiptarë pas hekurave dhe më pak nga ata që i thyejnë ato për të rishijuar atë ajër të lirë që gëzonin më parë.

Rando Devole

Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

Bota shqiptare nr. 128 – prill 2005

 

 

 

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme thotë për Botën Shqiptare  se  "pajisja me letërnjoftimin elektronik e emigrantëve nuk përbën urgjencë"

Të shqetësuar për sanksionet e paralajmëruara nga qeveria shqiptare për të gjithë ata që nuk aplikojnë për letërnjoftimet e reja elektronike brenda afatit, shumë shqiptarë kanë telefonuar në redaksi për të pyetur ç’do të ndodhë me ta nëse nuk arrijnë as të shkojnë në Shqipëri brenda afatit. Asgjë. Zoti Fatmir Konja, zëdhënës i ministrisë së Brendshme i përgjigjet redaksisë së Botës shqiptare dhe e thotë qartë që “pajisja me letërnjoftim e emigrantëve nuk përbën urgjencë”.

Pas entuziazmit të parë, kur mendonte të pajiste deri më 28 qershor të gjithë shtetasit shqiptarë në moshë madhore me këtë dokument, qeveria u detyrua të ridimensionojë sanksionet, të heqë afatet apo të parashikojë ulje të kostos së dokumentit për kategori të caktuara. E detyruar qoftë nga arsye të lidhura me mbarëvajtjen e lëshimit të letërnjoftimeve si mungesat e herëpashershme të kuponëve të pagesës, mosnisja ende e procedurës në qytete të ndryshme të vendit, pamundësia e pagesës së 1.200 lekëve nga shtresa të dobëta të popullsisë, qoftë nga fakti që 30% e popullsisë jetojnë jashtë kufijve, dhe është e pamundur të detyrohen të vijnë në atdhe për të aplikuar për letërnjoftimin e ri që, me thënë të vërtetën, u hyn pak në punë, për të mos thënë aspak.

Është vendosur që në lëshimin e letërnjoftimeve të shkohet përpara me dy faza. Duke pasur parasysh se dokument i vlefshëm për votim do të jetë edhe pasaporta aktuale, gjatë fazës së parë, prioriteti për aplikimin për letërnjoftime elektronike do t'u jepet shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë. Në këtë mënyrë do t'u garantohet mundësia për të votuar të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Pas përmbylljes së fazës së parë do të nisë aplikimi i të gjithë shtetasve të tjerë “për të cilët koha në dispozicion do të jetë shumë më e gjatë” siguron zëdhënësi i ministrisë Konja. Sa për emigrantët, tani për tani ata përjashtohen nga të gjitha sanksionet por sipas zëdhënësit “përcaktimi i detyrimeve për emigrantët do të bëhet më i qartë pas përmbylljes së fazës së parë”. Sidoqoftë ai siguron të gjithë shqiptarët jashtë atdheut: “Besoj fuqimisht se zgjidhja që do të jepet do të jetë e favorshme, e realizueshme, e mundur dhe e pranueshme për emigrantët, pa dëmtuar mbarëvajtjen e lëvizjes së tyre, të ardhjes pranë familjes në Shqipëri dhe rikthimin në vendet e punës kudo që janë. Tregon më tej se është menduar që emigrantët do të kenë prioritet gjatë periudhave të pushimeve gjatë të cilave do të shtohen kapacitete njerëzore dhe teknike.

Ndërsa për pasaportat e reja biometrie, afati i vetëm mbetet 1 janari 2011. “Ndërkohë, ka edhe një lehtësi në këtë drejtim – shpjegon zëdhënësi - sepse aplikimi për letërnjoftimin elektronik është i vlefshëm edhe për pasaportën biometrike, pasi gjithçka ruhet në sistem dhe kur të jetë nevoja për pajisjen me pasaportë, të interesuarit thjesht do të bëjnë kërkesën dhe pagesën”.

Nga ana tjetër më lejoni të kërkoj edhe bashkëpunimin tuaj në ndërgjegjësimin e emigrantëve mbi rëndësinë e pajisjes me dokumentet e reja të identitetit. – shton zëdhënësi i ministrisë, zoti Konja - Si letërnjoftimi elektronik dhe pasaporta biometrike që do të kenë në duar shqiptarët janë absolutisht nga produktet më të mira që ekzistojnë sot për sot në hapësirën e Bashkimit Europian. Në njëfarë mënyre do të jetë krenari e ligjshme për emigrantët që të paraqesin për identifikimin e tyre dokumentet e identitetit të shtetit shqiptar, me një cilësi dhe siguri të admirueshme”.

Bota shqiptare 208

 

Janë vetëm 2484 shqiptarët e burgosur në Itali. Por kjo nuk e pengon demagogjinë t’i përdorë si dordolec të rrezikut emigrant. Edhe kur flitet për mbingarkim të burgjeve dhe kryerjen e dënimit në vendlindje. Pre e kësaj demagogjie bie e tëra edhe politika dhe institucionet shqiptare të cilët marrin për të kulluar çdo broçkull që del prej Italie. “2000 shqiptarë të burgosur nga 5000 që ka në Itali do të riatdhesohen” deklaron shtypi shqiptar të cilit i mbajnë ison institucionet. Nuk janë 5000 por më pak se gjysma. E nuk mund të riatdhesohen pasi rreth 70% e tyre nuk kanë marrë ende gjykimin.

Në Itali, periodikisht flitet për mbingarkesën e burgjeve italiane. Si në shumë raste të tjera, edhe për këtë fajin e kanë emigrantët: janë shumë, përbëjnë rreth 37% të të gjithë të burgosurve. Me Legën në fuqi nuk mund të pritej tjetër veçse deklarata të tipit: t'i dëbojmë që të kryejnë dënimin në shtëpinë e tyre. I kësaj ideje, që me thënë të vërtetën nuk hidhet për herë të parë, është edhe ministri i Drejtësisë Alfano që nga fillimi i tetorit u shpreh që "po punohet për të riatdhesuar rreth 4.000 të huaj të burgosur, të cilëve u ka mbetur maksimumi edhe dy vjet burg për të vuajtur".

Por është veçse demagogji dhe praktikisht e pamundur të zbrazen burgjet në këtë mënyrë. Dhe një gjë të tillë e thonë vetë shifrat, që po të lexohen me kujdes nxjerrin në shesh mungesat e keqfunksionimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në Itali.

Është qesharake të mendosh se burgjet do të zbrazen duke dëbuar të huajt dhe duke nxjerrë në gjysmë-liri rreth 4 mijë italianë (për të cilët, gjithnjë sipas ministrit Alfano
, po studiohet ideja të ruhen me byzylykun elektronik): u provua jo më shumë se dy vjet më parë me uljen e dënimeve (indulto) të të burgosurve, por nuk kaloi as edhe një vit e burgjet u tejmbushën sërish. Le t'u hedhim një sy shifrave të ministrisë së Drejtësisë e cila përditëson çdo vit statistikat mbi të dënuarit, krimet, sa janë në burgje e sa vuajnë "dënime alternative" etj.

Sipas këtyre të dhënave, më 30 qershor 2008, në burgjet italiane - kapaciteti i të cilave është 43.000 vetë - janë mbyllur 55.057 vetë, nga të cilët 20.617 janë të huaj. Por më shumë se gjysma e të gjithë të burgosurve, rreth 55% janë në pritje të dënimit (kanë ende procesin gjyqësor të shkallës së parë, të dytë apo të tretë të hapur): vetëm 23.243 kanë marrë dënimin përfundimtar. Ndërsa mesatarja europiane e të burgosurve në pritje dënimi është nën 25%.

Ende më keq është situata po të shihen vetëm të huajt: nga këta janë në pritje dënimi përfundimtar 65,7% e tyre. Pra nga 20.617 të burgosurit e huaj vetëm 6.852 janë ata me dënim të sigurt, dhe vetëm për këta të fundit mund të flitet për vuajtje të dënimit në vendlindje. Madje 29% e të gjithë të burgosurve (përqindje që arrin në 32,22 për të huajt e burgosur) janë në pritje të sentencës së shkallës së parë. Përqindja e të huajve të burgosur në pritje të dënimit është më e lartë se ajo e italianëve për faktin që të huajt përfitojnë më pak nga masa alternative si arresti shtëpiak. Kjo për arsye të ndryshme: organet e Mbikëqyrjes tregohen shumë të shtrënguara kur bie fjala që t'u njohin të huajve masa alternative të burgosjes; të huajt nuk kanë një vendbanim të sigurt e të kontrollueshëm nga forcat e rendit, madje shpesh ata as nuk do të ekzistonin për shtetin italian nëse nuk do të kishin rënë në burg. Vetëm këto shifra tregojnë sheshit plagën e rëndë të ngadalshmërisë së proceseve gjyqësore në Itali që sjell, edhe në rast uljeje dënimi, amnistie, apo riatdhesimi të të huajve të burgosur, rimbushjen e shpejtë të burgjeve. Që deklaratat e para të ministrit ishin të pavend, e tregoi fakti që në njëfarë mënyre ai përgënjeshtroi vetveten. Në mes të tetorit, në përshëndetjen e tij gjatë festës së policisë së burgjeve Alfano është detyruar të pranojë që për zbrazjen e burgjeve nuk duhen varur shpresat te dëbimet pasi edhe sipas të dhënave më të fundit (të 13 tetorit 2008) vetëm 39% e të gjithë të burgosurve kanë marrë dënimin përfundimtar (përqindje që është edhe më e ulët për të huajt). Të dënuarit e huaj që janë dëbuar gjatë vitit 2007 kanë qenë vetëm 282 vetë, ndërsa gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti 158.

Por është akoma më e turpshme dhe qesharake të lexosh në gazetat shqiptare se si e marrin "kallëp" lajmin në Shqipëri, pa e përkthyer mirë dhe, për më tepër, pa u informuar saktë mbi numrin e të burgosurve shqiptarë. Dhe kur themi pa u informuar mirë, nuk e kemi fjalën për gazetarët por për përfaqësues të shtetit shqiptar që japin deklarate. Duke qarë hallin e vet të mbingarkesës së burgjeve edhe në Shqipëri (1.100-1.200 më shumë se kapaciteti), drejtori i përgjithshëm i tyre deklaron për një media që është në dijeni për idenë e palës italiane të riatdhesimit të të dënuarve për krime jo të rënda dhe jep disa shifra, të gjitha të pasakta. Sipas tij, vendi fqinj mendon të kthejë në Shqipëri 2.000 shqiptarë të burgosur nga rreth 5.000 shqiptarët e burgosur në Itali, që përbëjnë rreth 12% të të gjithë të burgosurve në Itali. Asgjë e vërtetë: shqiptarët e burgosur në Itali nuk janë 5 mijë vetë, nuk përbëjnë 12% të të gjithë të burgosurve dhe as që mund të flitet për riatdhesim të 2 mijë vetëve.

Gjithnjë sipas shifrave të ministrisë së Drejtësisë italiane të datës 30 qershor, numri i shqiptarëve të burgosur në Itali është 2.484 vetë, 38 gra dhe 2.446 burra. Numrin më të madh të të huajve e regjistrojnë marokenët me 4.495 të burgosur dhe rumunët me 2.828. Shqiptarët përbëjnë 12% të të burgosurve të huaj në Itali dhe vetëm 4,5% të të gjithë të burgosurve. Meqë ministria nuk jep të dhëna mbi situatën gjyqësore të çdo komuniteti të të burgosurve të huaj por vetëm për të gjithë bashkë, është mëse e arsyeshme të mendohet që edhe për shqiptarët të vlejë pak a shumë përqindja e atyre që kanë marrë dënimin përfundimtar që jepet për të huajt në përgjithësi. Nëse marrim për të vërtetë këtë fakt, pra që vetëm 33,23% e shqiptarëve të burgosur kanë marrë dënimin përfundimtar del që janë vetëm rreth 830 vetë. Dhe vetëm për një pjesë të këtyre 830 shqiptarëve diskutohet kthimi dhe vuajtja e dënimit në mëmëdhe. Por drejtori i përgjithshëm i burgjeve shqiptare as që e ka marrë mundimin të kërkojë të dhëna të sakta para se të japë një intervistë që në njëfarë mënyre ofendon të gjithë ne shqiptarët që jetojmë në Itali, për "përmirësimin e imazhit" të të cilëve qeveria shqiptare jo vetëm që nuk bën asgjë, përkundrazi me mendjelehtësinë e nëpunësve të saj duket sikur e minon. Po të lexonte me kujdes shifrat, gjë që tashmë po bëjnë edhe vetë italianët, do të kuptonte që kriminaliteti shqiptar në Itali jo vetëm nuk përbën më problemin e dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të shkuar, por madje nga viti në vit është ulur, qoftë me numrin e denoncimeve qoftë me uljen e numrit të të burgosurve me gjithë rritjen e madhe të numrit të emigrantëve shqiptarë në Itali. Shifrat flasin qartë: në fund të vitit 2001 numri i të burgosurve shqiptarë ishte 2.674 kur sipas ISTAT-it numri i emigrantëve shqiptarë në Itali ishte 144.120, ndërsa në fund të vitit 2007 të burgosurit janë 2.235 kundrejt numrit të përgjithshëm të rezidentëve shqiptarë që ka arritur në 401.949 (të dhënat e para pak ditëve të ISTAT-it japin këtë si shifrën e saktë të rezidentëve shqiptarë më 31 dhjetor 2007).

Për të burgosurit italianë numri i veprave penale është 130.558 (3,79 vepra penale për të burgosur) kurse veprat penale që rëndojnë mbi të huajt e burgosur janë 43.959 (pra 2,13 për njeri). Ndër veprat penale që hasen më shpesh për të huajt janë ato kundër pasurisë (vjedhje, grabitje, shitje mallrash të falsifikuara), 28,4%; veprat që kanë të bëjnë me ligjin kundër drogës, 25,7%; ato kundër personit (rrahje, plagosje, vrasje, përdhunim, rrëmbim), 18,9% dhe shkeljet e ligjit Bossi-Fini, 5,1%. Ndërsa për të burgosurit italianë ndër të parat renditen veprat penale kundër pasurisë (30,4%), kundër ligjit të armëve (18,2%), kundër personit (15,4%), kundër ligjit të drogës (12,1%). Pa dashur të ngremë në qiell të huajt, duhet thënë që krimet e kryera nga italianët janë më të shumta (si numër veprash penale për të burgosur), dhe të rënda ndoshta njësoj, në mos më shumë (veprat penale që kanë të bëjnë me mafien dhe ligjin e armëve përbëjnë 22% të krimeve në kurriz të tyre ndërsa për të huajt kjo përqindje zbret në 4,4%). Por megjithatë të huajt bëjnë më shumë bujë, sidomos për krimet ndaj personit e për ato ndaj pasurisë, ndaj të cilave opinioni publik, i ndihmuar nga mediat, është shumë i ndjeshëm. Një tjetër e veçantë është fakti që 5,1% e veprave penale për të huajt e burgosur, kryesisht, nuk janë tjetër veçse ato që kanë të bëjnë me hyrjen e qëndrimin e paligjshëm në Itali (me ligjin në fuqi kush ka marrë më parë një dekret dëbimi dhe kapet sërish në Itali pa dokumente qëndrimi kryen vepër penale).

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rrethana e klandestinitetit, e cila ndihmon rënien në kthetrat e kriminalitetit të emigrantëve. Ministria e Brendshme e pranon që shumë nga të denoncuarit dhe të dënuarit janë pa dokumente qëndrimi. Edhe shifrat e ISTAT-it, bëjnë me dije se gjatë vitit 2006, 80% e të denoncuarve me shtetësi të huaj janë klandestinë.

Shqiptarët e burgosur në vite

data

Shqiptarë në burgje

Shqiptarë në Itali

% e të burgosurve mbi rezidentët

31/12/2007

2.235

401.949

0,56%

31/12/2006

1.834

375.947

0,49%

31/12/2005

2.971

348.813

0,85%

31/12/2004

2.750

316.659

0,87%

31/12/2003

2.721

270.383

1,01%

31/12/2002

2.751

172.834

1,59%

31/12/2001

2.674

144.120

1,86%

Përpunimi Bota Shqiptare sipas të dhënave të ministrisë së Drejtësisë dhe ISTAT-it

Keti Bicoku

Bota Shqiptare 202 - 27 tetor 2008