Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Sipas Eurostat-it, numri i azilkërkuesve shqiptarë është rritur me mëse 5.700 në një vit. Në rrezik lëvizja pa viza në Evropë

Romë, 19 prill 2015 - A është në rrezik lëvizja pa viza në Evropë? Lajmeve të fundit mbi kthimet e qindra emigrantëve të parregullt që kishin kërkuar azil politik në vende të ndryshme të BE-së, mbi kthimet që në kufi (pa dalë akoma nga Shqipëria) nga policia shqiptare i qindra të tjerëve ditët e fundit dhe apelet e ministrisë së Brendshme për të mos abuzuar me lëvizjen e lirë në Schengen, mund t'u shtohen edhe shifrat e fundit të ofruara nga Eurostat-i, agjencia evropiane për statistikat që nuk janë aspak inkurajuese.

Sipas Eurostat-it, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së në vitin 2014 ka shkuar në 16.805 vetë. Krahasuar me një vit më parë (11.075 në vitin 2013), numri i tyre është rritur me  51,7%. E sipas të dhënave mbi origjinën, rezulton se Shqipëria është vendi i 11-të i botës për numër personash që largohen prej saj e kërkojnë strehim në BE. Ndër vendet e Rajonit renditet e treta: vetëm Kosova e Serbia kanë një numër më të lartë të qytetarëve të tyre që kërkojnë azil në një prej 28 vendeve të Bashkimit Evropian.

Nga statistikat vërehet se veçanërisht në disa vende të Evropës, shqiptarët zënë një ndër 5 vendet e para si aplikues për azil. Edhe pse në shifra të ulëta, problemi shqiptar duket se është më i ndjeshëm në Islandë, ku 20 shqiptarët që kanë kërkuar azil, përbëjnë 11% të të gjithë aplikuesve e komunitetin më të lartë të azilkërkuesve në ketë vend. Në Liechtenstein dhe Irlandë shqiptarët përbëjnë grupimin e tretë. Në Francë (2.970) dhe Luxemburg janë në vendin e katërt dhe në Angli (1.890) e Greqi (570) në të pestin. Ndërsa në Gjermani, ku ka kërkuar azil mbi gjysma e azilkërkuesve shqiptarë (8.110), numri i përgjithshëm i aplikuesve gjatë vitit të shkuar ishte shumë i lartë (mbi 200 mijë) e shqiptarët nuk ishin mes pesë komuniteteve të para. Por megjithatë, duket se problemi i azilkërkuesve shqiptarë po bëhet alarmant këtë vit: sipas raportit të fundit të Ministrisë së Brendshme të këtij vendi, në mars shqiptarët zunë vendin e tretë që mbanin serbët, me 3.020 aplikime për azil.

Sipas Eurostat-it, 92% e kërkesave të shqiptarëve për azil janë refuzuar dhe shumica e aplikuesve janë kthyer në Shqipëri. Ndër 8% të tjerët, vetëm 2% u pranohet kërkesa e azilit, 4% u lejohet një qëndrim i përkohshëm për një vit për të fituar të drejtën për shtetësi ose për bashkim familjar dhe 2% të tjerëve u  lejohet qëndrimi për arsye humanitare por deri në përmirësimin e situatës. 

Shqipëria rrezikon kështu për të parën herë rikthimin e regjimit të vizave. Sinjale në këtë drejtim nuk kanë munguar nga qeveri të ndryshme vendesh të BE-së. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Cako, nxori një qarkore pak ditë më parë për të udhëzuar policinë në kufi që të shqyrtojë me imtësi dokumentacionin e atyre që lëvizin me pasaporta biometrike. Gjë për të cilën flitet edhe në një komunikatë zyrtare të botuar më 10 prill nga ministria e Brendshme ku shkruhet se “është absolutisht e pamundur, fitimi i azilit në çdo vend të BE-së”. Ministria u kujton të gjithë qytetarëve që duan të ndërmarrin një udhëtim në Shengen se janë të detyruar që përveç paraqitjes së dokumentacionit të udhëtimit, të shpjegojnë edhe itinerarin, qëllimin e udhëtimit, si dhe garancitë financiare të kërkuara. “Policia e Shtetit ka rritur masat e kontrollit në Pikat e Kalimit kufitar – shkruhet në komunikatë – për evidentimin e plotë të dokumentacionit dhe përmbushjen e të gjitha kritereve për udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ministria e Brendshme: “Po forcojmë masat e kontrollit në kufi për të mos lejuar që shtetasit shqiptarë të shkelin regullat e lëvizjes pa viza në zonën Shengen. Policia e Shtetit ka nisur hetimet mbi raste të mundshme trafikimi të qënieve njerëzore”

Tiranë, 14 prill 2015 – Është një fakt i pakundërshtueshëm që janë akoma të shumtë shqiptarët që duan të largohen nga vendi. “Gjatë 72 orëve të fundit, Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë për të cilët rezultonte se kishin shkelur rregullat e udhëtimit në zonën Shengen” shkruan sot ATSh.

Në një komunikatë zyrtare të botuar më 10 prill, ministria e Brendshme shkruan se “është absolutisht e pamundur, fitimi i azilit në çdo vend të BE-së”. Ministria u kujton të gjithë qytetarëve që duan të ndërmarrin një udhëtim në Shengen se janë të detyruar që përveç paraqitjes së dokumentacionit të udhëtimit, të shpjegojnë edhe itenerarin, qëllimin e udhëtimit, si dhe garancitë financiare të kërkuara. “Policia e Shtetit ka rritur masat e kontrollit në Pikat e Kalimit kufitar – shkruhet në komunikatë – për evidentimin e plotë të dokumentacionit dhe përmbushjen e të gjitha kritereve për udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen”.

Në të njëjtën komunikatë ministria e Brendshme pohon se “po konsideron maksimalisht të dhënat paraprake mbi mundësitë e një skeme mashtrimi për udhëtimin në zonën Shengen, me qëllim final kërkimin e azilit në vendet e BE-së”, dhe se “Policia e Shtetit ka nisur hetimet mbi raste të mundshme trafikimi të qënieve njerëzore, me qëllimin evidentimin e çdo rrjeti apo skeme mashtruese për përfitimin e azilit”.

“Nga ana tjetër, - vazhdon komunikata - në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtare janë marrë të gjitha masat për mos lejuar, kthyer dhe ndjekur penalisht në zbatim të legjislacionit në fuqi, çdo shtetas shqiptar që abuzon me të drejtën për të udhëtuar në zonën Shengen, duke kërkuar në mënyrë të padrejtë azil politik”.

E të dhënat e vendeve evropiane mbi azil-kërkuesit shqiptarë nuk janë aspak inkurajuese. E përditshmja Tema sjell shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani për tre muajt e parë të këtij viti. Sipas saj, në janar kanë kërkuar azil në atë vend 1.648 shqiptarë, në shkurt 1.794 dhe në mars 3.020.

Lexo edhe: Eksodi i kuksianëve drejt Europës

 
Edhe pse rritet numri i rezidentëve të huaj në Shqipëri (8.330 në vitin 2013), ai mbetet i papërfillshëm krahasuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të tyre, mbi 1,4 milionë. Ja shifrat e raportit “Profili i zgjeruar i migracionit, 2013”

Romë, 23 dhjetor 2014 – Është kthyer në modë tashmë, veçanërisht këtej Adriatikut, të flitet për Shqipërinë të kthyer në “tokën e premtuar e italianëve”. Nga shkrimet e mediave, të bazuara edhe në ndonjë deklaratë të pambështetur në shifra reale e ndonjë ministri shqiptar, duket se në Shqipëri ka nisur një vërshim të huajsh – italianë në veçanti – që po e kthejnë vendin nga një vend emigracioni në një vend imigracioni. Është vërtet kështu?

Jo. Më saktësisht, është e vërtetë që numri i të huajve rezidentë në Shqipëri është rritur kohët e fundit, por ai mbetet i pallogaritshëm në krahasim me shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut. Madje nuk janë të paktë as ata që akoma dëshirojnë të largohen, e prova e drejtpërdrejtë ishte ngjarja e Vlorës e javës së shkuar kur, me mashtrimin se vende të BE-së po jepnin azil politik për shqiptarë, qindra vetë u dyndën në port.

Më 22 dhjetor në Tiranë u prezantua një raport i ministrisë së Brendshme dhe Organizatës ndërkombëtare për Migracionin (IOM) mbi “Profilin e Zgjeruar të migracionit në Shqipëri”, shifrat e të cilit janë interesante e flasin qartë: Shqipëria mbetet vend që prodhon emigracion, edhe pse vitet e fundit vërehet një rritje e ndjeshme në përqindje, por akoma thuajse e papërfillshme në shifra, e imigrantëve në Shqipëri (8.330 në vitin 2013).


Imigracioni

“Vitet e fundit Shqipëria ka njohur imigracionin e rregullt dhe të parregullt” vërehet në Raport. “Konfliktet e armatosura në vendet e Afrikës Veriore dhe atyre arabe, nga viti 2010 e në vazhdim, janë shoqëruar me vale të reja migratore nga këto vende drejt Shqipërisë si vend tranzit, me destinacion final vendet e BE-së. Imigracioni tranzit në vitet 2011, 2012 dhe 2013 ka ardhur gjithnjë e në rritje. Janë të paktë ata që ndalen e krkojnë azil politik në Shqipëri. Gjithsej, në vitin 2013 numërohen 214 persona që kanë rezidencën në Shqipëri si azilkërkues apo që kanë statusin e refugjatit.

Përsa i përket imigracionit të rregullt, shifrat janë shumë më të ulëta nga ato që vetëm gjashtë muaj më parë dha ministri Veliaj në Romë kur fliste për 19 mijë italianë në Shqipëri me leje qëndrimi për punë. Sipas raportit, rezidentët e huaj në Shqipëri, më 1 janar 2013 janë 8.330 persona. Shifra është në rritje e ka shkuar nga 5.663 e vitit 2010, në 6.615 në 2011-tën dhe 7.353 në vitin 2012. Por gjithsesi është shumë larg atyre të pohuara nga ministri Veliaj. 

Për sa i përket motiveve të qëndrimit, në vitin 2013 numërohen për motive pune 2.469 leje, për bashkim familjar 1.390 leje, për studime 823, për veprimtari fetare e humanitare 808.

Italianët në Shqipëri? Të lexosh mediat, në këtë periudhë kur refreni “Shqipëria, toka e premtuar” është në modë, duket sikur janë me dhjetëra mijëra ata që kanë kapërcyer Adriatikun. As kjo nuk është e vërtetë. Sipas raportit, italianët që kanë emigruar në Shqipëri janë 1.553 vetë. Prirja është vërtet në rritje (ishin 608 në vitin 2007, 1.065 në vitin 2011 dhe 1.277 në vitin 2012), por akoma nuk mund të flitet për shifra domethënëse që të dëshmojnë një kthim tendence të migracionit mes dy brigjeve. Madje italianët nuk përbëjnë as komunitetin më të madh të të huajve në Shqipëri. Janë turqit me numrin më të lartë të emigrantëve në Shqipëri, 1.712 persona. Por nëse rritja e italianëve në Shqipëri është e vazhdueshme dhe konsistente, për turqit kjo gjë nuk vlen e numri i tyre ka pasur ulje ngritje në shtatë vjetët e fundit (ishin 1.396 në vitin 2007, shkuan në 2.947 në vitin 2009, zbritën në 1.542 në vitin 2011).


Emigracioni

“Shqipëria është një vend me një popullsi të regjistruar me mbi 4 milionë banorë, referuar të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC). Krahasuar me numrin e përgjithshëm të popullsisë, Shqipëria ka aktualisht përqindjen me të lartë të emigracionit në Evropë, por jo vetëm” shkruhet në Raport.

Në fakt nga të dhënat zyrtare të sjella në Raport më 1 janar 2013, shqiptarët e regjistruar në RKGjC janë 4.313.740. Në të njëjtën datë popullsia e Shqipërisë rezulton 2.898.782 persona, nga të cilët 8.330 janë të huaj. Kjo do të thotë se 1.423.288 shqiptarë jetojnë  jashtë kufijve të vendit. Natyrisht nuk janë të gjithë emigrantë, ka mes tyre edhe të rinj e fëmijë të brezit të dytë që kanë lindur në vendet ku jetojnë prindërit e që janë regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri. Sipas organizmave ndërkombëtarë, emigrantët e mirëfilltë shqiptarë më 1 janar 2013 llogariten të jenë 1.252.066 vetë.

“Përgjithësisht Shqipëria vazhdon të konsiderohet si një vend origjine për emigracionin” pranohet mes të tjerash në raport ku vërehet se, sidoqoftë, “liberalizimi i vizave për shtetasit shqiptarë me vendet e zonës Schengen në fund të vitit 2010, ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e emigracionit të parregullt shqiptar drejt vendeve të BE-së”.

Sipas raportit në vitet 2011, 2012 dhe 2013 emigracioni i parregullt është ulur me 300% në krahasim me atë deri në vitin 2010. Por nëse deri në vitin 2010 arsyeja themelore e emigrimit ka qenë ekonomike, pas liberalizimit të vizave, emigracioni i paligjshëm është modifikuar disi. “Është rritur numri i kërksave për azil nga ana e të rriturve si dhe të fëmijëve në disa vende të BE-së, motivuar nga nevoja për mbrojtje nga fenomeni i gjakmarrjes apo dhe vështirësitë ekonomike në Shqipëri; si dhe emigrimi i parregullt i të miturve në disa vende të BE-së, i organizuar me ndihmën e familjes së origjinës dhe me motivin kryesor sigurimin e kushteve më të mira të jetesës” vërejnë ekspertët.

Mbështetur në analizën e të dhënave të marra nga EUROSTAT dhe Pikave të Kontaktit në disa nga Ambasadat kryesore për çështjet e migracionit, kërkesat e azilit në vendet e BE-së kanë një prirje në rritje: ishin 3.190 shqiptarë në vitin 2011, u bënë 7.336 në vitin 2012 dhe 11.047 në vitin 2013. Vendet ku shtetasit shqiptarë kërkojnë azil janë kryesisht Franca (në vitin 2013 janë paraqitur 5.065 kërkesa), Mbretëria e Bashkuar (1.620), Gjermania (1.295) Suedia (1.165), Greqia (585) dhe Belgjika (487).

Një e dhënë interesante e Raportit është ajo mbi të kthyerit. Në bazë të një studimi të kryer nga Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) dhe IOM në vitin 2013 mbi migracionin e kthimit dhe riintegrimin rezulton se 133.544 migrantë shqiptarë të moshës 18 vjeç dhe sipër janë kthyer në Shqipëri në periudhën 2009-2013. Ndërsa për vetëm për tre vjetët e fundit raporti vë në dukje një rritje të fortë gjatë vitit 2013 krahasuar me dy të tjerët: janë kthyer 15.227 gjatë vitit 2011, 14.762 gjatë vitit 2012 dhe 20.751 gjatë 2013-tës. Dhe gjatë të tre vjetëve, pjesa dërrmuese e të kthyerve (mbi 70%) ishin të mërguar në Greqi (p.sh. 14.537 të kthyer nga Greqia në vitin 2013). Përsa i përket të kthyerve nga Italia gjatë tre vjetëve të fundit janë rreth 4 mijë me prirje në rritje (1.053 gjatë vitit 2011, 1.301 në 2012-tën dhe 1.227 gjatë vitit 2013).

Edhe shifrat (rreth 95% e të kthyerve jetonin në Greqi e Itali) çojnë në konkluzionin se “kthimet në Shqipëri janë kryesisht pasojë e krizës financiare botërore të vitit 2009 që goditi tregun e punës në vendet kryesore të destinacionit për migrantët shqiptarë”. Megjithatë, pranohet që Raporti “nuk mundi të tregojë nëse kriza ka ndikuar në lëvizshmërinë për punë të migrantëve shqiptarë, përveç mbledhjes së disa të dhënave të kufizuara që mungesa e mundësive për riintegrim në Shqipëri mund të shërbejë si faktor shtytës për ri-emigrimin e të kthyerve”.

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Zyra konsullore e Shqipërisë në Romë ka afishuar prej disa javësh njoftimin që paralajmëron rritjen e çmimit. Para kësaj date e kanë të detyrueshme të ribëjnë pasaportat personat me vendlindje greke, që tashmë shkruhet siç është rënë dakord mes dy vendeve. dhe jo vetëm për të kursyer, por sepse marrëveshja mes ministrave të jashtëm parashikon që nga 1 janari, në kufi do të pranohen vetëm ata me pasaporta që do të kenë të shënuar saktë toponimet greke 

Romë, 3 dhjetor 2014 – Kush nuk është pajisur me pasaportën biometrike e mendon ta bëjë atë, apo kush ka të dhëna të shkruara me gabime, si bijtë e emigrantëve shqiptarë në Greqi me vendlindjen greke të shkruar shqip,  është mirë të nxitojnë. Nëse aplikojnë para datës 1 janar dhe, akoma më mirë nëse aplikojnë në Shqipëri do të mund të kursejnë ndonjë lek apo euro.

Sepse nga 1 janari 2015, në Shqipëri, kush do të kërkojë pasaportën biometrike do të nxjerrë nga xhepi jo 6.000 por 7.500 lekë, ndërsa për letërnjoftimin elektronik çmimi i ri do të jetë 1.500 lekë në vend të 1.200 lekëve që nevojiten sot. Rritja është plot 25%.

Ndërsa për emigrantët që aplikojnë në konsullata pasaporta do të kushtojë plot 130 euro, siç konfirmojnë edhe nga zyra konsullore e Ambasadës shqiptare në Romë ku prej pak javësh gjendet i afishuar njoftimi: "Referuar ligjit nr. 129/2013 i 15 majit 2013 tarifa për pasaportë për Itali (Romë e Milano) deri më 31 dhjetor 2014 do të jetë 108 euro. Nga janari 2015 o të jetë 130 euro".

Rritja e çmimit të dokumenteve do të nisë vërtet më 1 janar, por kjo gjë është miratuar që vitin e shkuar, nga mazhoranca e mëparshme, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ka kaluar nën projektligjin “Për rafitikimin e kontratës për zgjatjen dhe përmirësimet e kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitet it dhe pasaportave elektronike”, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të MORPHO dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve” që është diskutuar në Komisioni për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” të Kuvendit më 16 prill 2013, më pas ka kaluar në seancë plenare dhe është miratuar më 25 prill 2013, së fundi është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 80 të 15 majit të të njëjtit vit.

U tha kur u miratua ky ligj nga qeveria e shkuar, u konfirmua edhe në tetor nga ministri Tahiri, që nga 1 janari, dokumentet e identitetit do të kenë më shumë elementë sigurie. Apo siç u tha së fundi,nga 1 janari dokumentet shqiptare do të sigurojnë “implementim të protokollit të sigurisë, teknologji të re kontrolli të avancuar, element sigurie me prekje në sipërfaqen e kartës, element sigurie nëpërmjet shenjës së gishtave, element sigurie nëpërmjet verifikimit të fytyrës”.

Pra nuk kalojnë as pesë vjet nga pajisja e detyrueshme e qytetarëve me letërnjoftime elektronike, të pajisura me çip personal të dhënash, dhe pasaporta biometrike që edhe asokohe na u shitën si më të mirat e mundshme, shqiptarët do të duhet të pajisen me dokumente të reja identifikimi.

Por një gjë duhet ditur sa më parë: a do të jenë sërish të detyruar qytetarët të ndërrojnë dokumentet me të cilat janë pajisur (e vazhdojnë të pajisen) ndërkohë? Pyetja është e frikshme, qoftë për telashet që u hapen qytetarëve, qoftë për kostot e larta që u duhet të mbulojnë. Madje këto – telashet e kostot – duhen shumëfishuar për atë pjesë të madhe të popullsisë që jeton jashtë Shqipërisë.

Në këtë aspekt, ministri Saimir Tahiri ka siguruar: “Për të shmangur keqkuptimin, dokumentet aktuale janë e do jenë plotësisht të vlefshme”. Më tej ministri sqaron: “Në janar 2015, pasaportat e reja biometrike me të dy elementët biometrikë do të jenë në fuqi. Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga janari i vitit tjetër, do kenë në dorë një ndër dokumentet më të sigurta në Europë. Por kjo nuk do të thotë se duhen rinovuar pasaportat aktuale që janë të vlefshme, pasi qytetarëve u janë marrë të dhënat (foto dhe gjurmë gishtash) kur kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaporta apo letërnjoftime ID, ndërsa nga janari 2015 ato bëhen aktive në sistem”.

Por është një kategori jo e vogël qytetarësh që në të vërtetë janë të detyruar të ribëjnë pasaportat biometrike. Bëhet fjalë për shtetasit shqiptarë të lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, veçanërisht për ata që kanë lindur në Greqi, në pasaportat e të cilëve toponimia e vendlindjes shkruhej vetëm në gjuhën shqipe edhe kur kjo ishte e huaj. Prej nëntorit edhe kjo gjë është korrigjuar: nëse një fëmijë ka lindur në Selanik apo qytet tjetër të Greqisë në fushën vendlindja të pasaportës shkruhet GRC dhe jo Selanik, Greqi.

Për një zgjidhje të tillë u ra dakord më 12 maj 2014, kur me një deklaratë të përbashkët të Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë thuhej që problemi të zgjidhet njëherë e mirë duke shkruar toponimet e huaja në bazë të “katalogëve zyrtarë që secili vend ka paraqitur tek mekanizmat përkatës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO [International civil Aviation Organization]”.

Në takimin e ministrave u vu edhe një afat i fundit: 1 janari 2015. Kjo do të thotë që brenda kësaj date të gjithë ata që kanë këtë lloj gabimi në pasaportën e tyre duhet ta ndërrojnë brenda dhjetorit nëse duan të kalojnë kufirin grek nga 1 janari. E duke qenë se do të paguajnë sërish për dokumentin (për gabime që nuk vareshin prej tyre), edhe nëse nuk kanë ndërmend të lëvizin rreth asaj date, nëse mund të aplikojnë në Athinë apo Selanik për pasaportë, gjithsesi bëjnë mirë të aplikojnë brenda dhjetorit, për të mos vuajtur edhe rritjen e çmimit. 

Keti Biçoku

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Ministri Veliaj: “Po përgatisim hapjen e negociatave edhe me Italinë”.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, në një konferencë me ambasadorin e Gjermanisë Helmut Hoffman, bëri të ditur se ka përfunduar tashmë raundi i parë i negociatave me Gjermaninë për pensionet, hapi i parë konkret për nënshkrimin përfundimtar të marrëveshjes në vjeshtë të këtij viti.

“Sot patëm takim me një delegacion që ka qënë pjesë e përmbylljes së negociatave të pensioneve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Vetëm një javë pas vizitës së holmologut gjerman, ekipi erdhi këtu për të përmbyllur raundin e parë të negociatave, një pjesë e mirë e marrëveshjes. Ne e çmojmë shumë faktin se një marrëveshje e tillë do të ndihmonte mijëra shqiptarë që jetojnë në Gjermani, ky është një hap konkret. por jemi të ndërgjegjshëm që ky proces teknik ka nevojë për një raund tjetër negociatash, mendoj që do të jetë gati për marrëveshje në fund të verës”. Një javë më parë, Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jorg Asmussen, tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet në vjeshtë të këtij viti.

Veliaj u shpreh se Shqipëria është e interesuar të zhvillojë negociata të ngjashme edhe me vende të tjera të BE-së. “Suksesi i negociatave me Gjermaninë do të shërbente edhe si standard, teksa negociojmë me vendet e tjera”, tha ai. Ministri tha më tej se, pala shqiptare po përgatitet për hapjen e negociatave edhe me Italinë”.

Ndërsa, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman theksoi se marrëveshja për mbrojtjen sociale është një investim për të ardhmen. Sipas ambasadorit, “Shqipëria ka prej disa kohësh statusin e vendit kandidat për në BE dhe në këto kushte ka ardhur momenti ku të mbërrijmë në marrëveshje të normalitetit midis dy vendeve tona. Këto marrëveshje është mirë të lidhen në të gjitha fushat dhe sot jemi duke folur për sigurinë sociale”.

Ambasadori Hoffman theksoi se rruga për të nisur një marrëdhënie punësimi në Gjermani nuk duhet të kalojë përmes aplikimit për azil. “Azili është rruga e gabuar”.

Raundi i parë i negociatave Shqipëri-Gjermani për nënshkrimin e marrëveshjes së pensioneve do të pasohet nga një raund i dytë që do të mbahet në muajin prill. Ndërkaq, një javë më parë, Sekretari gjerman i Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jorg Asmussen, tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet në vjeshtë të këtij viti.

Me qindra vetë janë dyndur të enjten në portin e Vlorës, të bindur se mund të linin Shqipërinë e të fitonin azil politik në Gjermani. Arrestohen pronari i agjencisë turistike “Agimi Travel” dhe katër persona të tjerë, që sipas forcave të rendit mashtronin duke u premtuar azil qytetarëve. Ministri Tahiri dhe ambasadori gjerman shkojnë në Vlorë. Ambasada Gjermane: “Mos u mashtroni nga thashethemet. Kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil”

Romë, 19 dhjetor 2014 – Edhe 23 vjet pas eksodeve të mëdha të shqiptarëve, duket se janë akoma të shumtë ata që duan të lënë Shqipërinë e të shkojnë në një vend evropian për të kërkuar azil politik. Prova e fundit është ajo e djeshmja, kur në portin e vlorës janë dyndur qindra e qindra qytetarë të cilëve u ishte thënë se Gjermania ka hapur dyert për ata që duan azil. Asgjë e vërtetë, natyrisht, por mjaftoi sërish një thashethem, për t’u ngritur jo pak personave, kryesisht nga fshatrat e Vlorës, Fierit, Elbasanit e Gramshit. Ata ishin pajisur me nga një bilet 150 euro me të cilën nga Vlora do të arrinin në Brindisi, që aty do të ngjiteshin në Milano e që aty me autobusë do të shkonin deri në Mynih.

Dhe nisur nga situata e pazakontë e krijuar të enjten në portin e Vlorës, ku policia e kufirit kishte bllokuar 6 autobusë me rreth 500 persona, policia e Vlorës ka arrestuar Agim Muçën, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë per kalim të paligjshëm të kufirit. Po ashtu, janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, që dyshohet se ishin bashkëpunëtorë të tij.

Agim Muça, 55 vjeç, banues në lagjen “1 Maji” Fier, administrator i agjencisë së udhëtimeve “Agimi Travel”, dyshohet se u premtonte klientëve të tij që niste drejt Italisë edhe aprovimin e kërkesave për azil në Gjermani.

Sipas policisë së Vlorës, gjatë marrjes në pyetje, Muça është shprehur se puna e tij është e ligjshme dhe se nuk ka organizuar asnjë lloj mashtrimi, ndërsa drejton gishtin tek konkurrenca si shkaktare e kësaj tymnaje. “Qytetarët janë këshilluar të mos kërkojnë azil në vende të BE-së. Ne jemi të rregullt me kompaninë tonë. Është një transport i rregullt, ndërsa paguajmë taksat”, theksoi ai.

Të arrestuarit e tjerë janë  Shezai Aliaj 45 vjeç, pronar i një pike këmbimi valutor në Novoselë dhe Kastriot Hoxhaj, 43 vjeç, banues në fshatin Fitore të komunës Novoselë, të cilët dyshohen bashkëpuntor të Muçajt. Në vijim u arrestuan për veprën penale “Moskallzim krimi”, Denisa Mitro, 26 vjeç, banuese në Fier, agjente e shitjes së biletave në agjencinë “Agimi Travel” dhe Matilda Mazreku, 26 vjeç, banuese në Fier agjente e shitjes së biletave në agjecsinë “Agimi Travel”.

Aksioni i Policisë

Mëngjesin e të entjes, Policia e Vlorës pas një sinjalizimi nga Policia Kufitare e Portit të qytetit bregdetar ka nisur një hetim të shpejtë ndaj agjencisë “Agimi Travell”, në pronësi të shtetasit Agim Muça, nisur nga situata e pazakontë e krijuar në portin e Vlorës, ku policia kishte bllokuar 6 autobusë me rreth 500 persona. Pas konstatimeve dhe marrjes në pyetje të disa prej udhëtarëve, u ngritën dyshimet se ky fluks vjen si rrjedhoi e një skeme mashtrimi nga agjencitë turistike, që nisin qytetarët drejt Gjermanisë me premtimin se atje do të marrin statusin e azilantit. Prej këtej erdhi edhe arrestimi i pronarit të agjencisë në fjalë. Menjëherë pas aksionit, Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji. Ndërkohë, mësohet se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, janë nisur drejt Vlorës.

Ambasada Gjermane: “Mos u mashtroni nga thashethemet. Kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil”

Pas lajmit se qindra qytetarë po tentonin të udhëtonin drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, me anë të një deklarate për shtyp, ka reaguar Ambasada e Gjermanisë në Tiranë, duke theksuar se nuk ka asnjë mundësi për të fituar azilin ekonomik.

“Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë po ndjek me shqetësim emigrimin ilegal të shqiptarëve për në Gjermani, i cili prej një viti është në një nivel shumë të lartë. Kohët e fundit duket se janë përhapur thashetheme me qëllim për të nxitur shqiptarët të udhëtojnë jashtë vendit duke u servirur atyre fakte të rreme. Të gjithë ata, të cilët çojnë ndër mend të paraqesin kërkesë për azil në Gjermani, duhet të dinë se: Kushtetuta dhe ligjet e shtetit tonë parashohin të drejtën për azil për t’ju ofruar mbrojtje qytetarëve të cilët janë të kërcënuar nga përndjekja në vendet e tyre të origjinës. Por në të kundërtën, kush dëshiron t‘i shpëtojë një situate të vështirë ekonomike, nuk ka të drejtë për azil. Thashethemet, sipas të cilave, për shtetasit shqiptarë ekzistojnë shanset për të përfituar azil politik dhe mundësitë për t’u punësuar, janë të pavërteta”- thuhet në deklaratë.

“Zgjidhja për shtetasit shqiptarë, që kanë nevojë për mbrojtje, nuk qëndron në një procedurë pa shpresë azilkërkimi në Gjermani, por në një jetë më të mirë në Shqipëri dhe në një Shqipëri me të ardhme europiane.”- mbyllet deklarata për shtyp e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

Të kthyerit në Shqipëri ballafaqohen me një sërë problemesh, që lidhen me punësimin, pensionin, strehimin, pasi një pjesë e mirë kanë shitur shtëpitë, me arsimimin e fëmijëve, shumë prej të cilëve nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë shqipen. Edhe për pensionin social që do të jepet nga 1 janari 2015, emigrantët e kthyer nuk përmbushin kriterin e pesë vjetëve të fundit rezidencë në Shqipëri.  Për mëse 20 vjet, të ardhurat nga emigracioni ishin e vazhdojnë të jenë amortizatorë të konsiderueshëm të problemeve social-ekonomike të vendit. Është e pafalshme që sot të lihen në fatin e tyre

Situata e vështirë që po kalon Evropa, si rezultat i krizës ekonomike, ka detyruar një numërtë madh emigrantësh të kthehen në Shqipëri. Aq më keq që kriza më e madhe ekonomike ka mberthyer dy shtetet fqinje, Greqinë dhe Italinë ku u përqendrua edhe fluksi më i lartë i emigracionit shqiptar.

Sipas një studimi të INSTAT-it, në vitet 2009-2013 janë kthyer mbi 134 mijë emigrantë, nga të cilët reth 33 mijë nga Italia dhe 90 mijë nga Greqia. Kthimi i tyre në Shqipëri vjen kryesisht si rezultat i papunësisë dhe pamundësisë për të krijuar të ardhura për jetesë.

Kriza ekonomike dhe papunësia e emigrantëve në Itali

Padyshim që kriza ekonomike shoqërohet me rritje të papunësisë e cila lidhet drejtpërdrejt me problemet e emigrantëve. Këtë e tregon fakti se, niveli i papunësisë në Itali është mjaft i lartë, rreth 12,5%, por për emigrantët shqiptarë është mbi 18,8%. Më i lartë është ky nivel për gratë, në një masë prej 19,7 përqind. Për të rinjtë  në moshë 15 deri 24 vjeç, niveli i papunësisë është tepër i lartë dhe kap shifrën prej 43%. Fakti që rritje ekonomike këta 3 muajt e fundit në Itali është në vlera negative, -2% dhe inflacioni rezulton në nivele tepër të ulëta në masën 0,1%, ose shumë në prag deflacioni, tregon se ende nuk mund të shpresojmë për një përmirësim të shpejtë.

Papunësia e emigrantëve në Greqi

Niveli i papunësisë në Greqi është edhe më i lartë se në Itali. Megjithë me një farë përmirësimi, niveli i papunësisë arrin në masën 26,6 %  (nga 27,9 që ishte para 6 muajsh), duke qenë më i larti në Europë. Jashtëzakonisht e lartë është papunësia për moshat e reja 16 deri 24 vjeç, që kap nivelin e 53%. Edhe në Greqi, rritja ekonomike është në vlera negative, akoma në recension, me një vlerë – 2%, ndërsa inflacioni është në prag deflacioni në masën 0,1%.

Problemet sociale të emigrantëve të kthyer

Nisur nga këto kushte një pjesë e emigrantëve, po konsumojnë ato pak kursime prej vitesh, duke shpresuar per te gjetur një vend pune, vetëm e vetëm, se kanë krijuar një bazë jetese dhe për t’u lejuar fëmijëve të tyre të vazhdojnë aty ku kanë nisur ciklin shkollor.

Por një pjesë e madhe e emigrantëve, gjejnë si rrugën e vetme kthimin në Shqipëri. Por edhe këtu ballafaqohen me një sërë problemesh, që lidhen me punësimin, strehimin, pasi një pjesë e mirë kanë shitur shtëpitë, me arsimimin e fëmijëve, pasi ata kanë studiuar në shkolla të shteteve ku kanë banuar dhe për më tepër ka shumë nga ata që nuk e njohin gjuhën shqipe. Pra në një farë mënyre fëmijët vuajnë “gabimet” e prindëve, të cilët nuk u kanë mësuar gjuhën shqipe.

Problem tepër i madh i emigrantëve të kthyer, është punësimi, dhe krijimi i mjeteve të jetesës. Në kushtet e një papunësie të madhe dhe në vendin tonë, 17,7%, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune. Padyshim ka dhe emigrantë, që duke shfrytëzuar, specializimin në vendet ku kanë jetuar, kanë filluar biznese të suksesshme, por numri i tyre, krahasuar me fluksin e madh të të kthyerve është tepër i vogël.

Pensionet

Një pjesë e tyre, në moshë pensioni apo afër kësaj moshe, kërkojnë të dalin në pension të parakohshëm. Por kjo kërkesë është e parealizueshme, mbasi për të përfituar pensionin e parakohshëm, nevojiten të paktën 35 vite, vjetërsi kontributive. Kërkojnë informacion, për të përfituar pensionin social në vitin 2015, por edhe për përfitimin e kësaj të ardhure do të kërkohet që të kenë qenë residentë në Shqipëri 5 vitet e fundit.

Në këtë mënyrë emigrantë në moshë pensioni, i nënshtrohen pensioneve të pjesshme, pasi janë shumë të paktë ata që kanë plotësuar 35 vite me vjetërsi kontributive, për të përfituar pension të plotë. Edhe në shtetet ku kanë jetuar dhe punuar, nuk përfitojnë pension, sepse nuk plotësojnë kushtet për një vjetërsi kontributive të kërkuar nga legjislacionet përkatëse të këtyre vendeve. Një pjesë e mirë, duke mos gjetur mjete jetese i nënshtrohen aplikimit për ndihmë ekonomike, duke u përballur me një varfëri ekstreme.

Por a e meritojnë emigrantët një trajtim të tillë?

Emigracioni shqiptar, ka luajtur një rol tejet të rëndësishëm në zhvillimet social-ekonomike të vendit tonë, duke qenë amortizatori kryesor i vështirësive dhe problemeve të familjeve dhe ekonomisë së vendit gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Edhe sot e kësaj dite emigracioni vazhdon të japë kontribut të konsiderushëm në ekonominë e vendit. Me mijëra familje kanë mbijetuar vetëm në sajë të dërgesave nga familiarët e tyre emigrantë. Po kështu emigracioni ka pasur një ndikim të konsiderueshëm, për mosrritjen më të madhe të papunësisë. Mjafton të kujtojmë se në Itali janë të punësuar 260 mijë emigrantë shqiptarë dhe po aq dhe në Greqi. Ç’do të ndodhte nëse, hipotetikisht, e gjithë kjo masë punonjësish të ishte në Shqipëri? Pa asnjë diskutim që tregu i punës do ta kishte të pamundur të thithte të gjitha këto forca pune dhe kriza ekonomike do të ishte e pashmangshme.

Të ardhurat e dërguara nga emigrantët

Për rolin e madh të emigracionit mjafton të përmendim, se remitancat (dërgesat në para) nga emigrantët për vitin 2007, ishin 952 milionë euro, ndërsa në vitin 2013 ishin në masën 497 milionë euro. Dhe këto, janë vetëm remitanca të dërguara përmes kanaleve zyrtare, banka e agjenci të transferimit të parave. Por ne të gjithë jemi dëshmitarë se këto shuma janë vetëm një pjesë e parave të vërteta që kanë hyrë në ekonomimë shqiptare nga emigrantët që u sjellin familjeve personalisht shuma të vogla apo të konsiderueshme sa herë vijnë për pushimet e verës apo për festat e fundvitit.  
Pavarësisht uljes së remitancave, si rezultat i krizës ekonomike, por edhe e bashkimeve familjare në këto vende, edhe shuma e vitit të shkuar prej afro 500 milionë dhe po kaq e supozuar e sjellë dorazi, janë akoma një faktor i rëndësishëm në jetën social ekonomike të vendit,  të cilat amortizojnë mjaft problem sociale.

Në këto kushte u jemi borxhli emigrantëve, të cilët kanë punuar në vende pune tepër të vështira, shpesh duke rrezikuar shëndetin dhe jetën për të krijuar ato të ardhura.

A duhet t’ua kthejmë, qoftë në një masë të vogël kontributin e tyre?

Padyshim. Është e domosdoshme dhe do të ishte humane.

Është e pafalshme për gjithë shoqërinë tonë, që emigrantët t’i lëmë në fatin e tyre dhe të kujtohemi për këtë kategori, që nuk është e vogël, por 1/3 e vendit, vetëm për zgjedhje.

Mendoj se është e domosdoshme që në hartimin e legjislacionit, të merret parasysh se kemi një komunitet të rëndësishëm shtetasish shqiptarë në emigracion.

Është e pavlerë, vetëm të flasim për emigracionin dhe shpesh të qajmë hallet e tyre. Hallet ata i dinë më mirë se ne, pasi i kanë në kurriz. Problemi duhet shtruar ndryshe: ç’po bëjmë dhe ç’do të bëjmë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Naim Balluku, zëvendëspresident i patronatit INAS Albania

 

Artikuj te tjere...