Premtimet e socialistëve dhe votat e emigrantëve - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Flitet se vetëm nga Greqia shkuan në Shqipëri mbi 68 mijë për të marrë pjesë në votime. Kryesisht për koalicionin e majtë që u ka premtuar shumë

Tiranë, 27 qershor 2013 - Në fitoren e thellë të të majtëve më 23 qershor duket se emigrantët kanë luajtur rol jo të vogël. Shtypi shqiptar shkruan se të dhënat e sistemit TIMS, por dhe burime nga Partia Socialiste, flasin për mbi 68 mijë emigrantë nga Greqia, të cilët kanë kaluar pikat kufitare gjatë javës së fundit të fushatës zgjedhore dhe deri ditën e zgjedhjeve. Një shifër e konsiderueshme kjo, tri herë më e lartë se në vitin 2009. Qarqet në të cilat vota e emigrantëve nga Greqia pati ndikim flitet se janë Vlora, Gjirokastra, Fieri, Berati dhe Tirana, qarqe në të cilët partia Socialiste shënoi një rezultat të thellë qoftë si subjekt, qoftë si koalicion.

Sa emigrantë nga Italia u kthyen në Shqipëri për të votuar? Vështirë të thuhet një shifër e saktë, por shkuan. E kanë votuar për njërën apo tjetrën parti.

Një fushatë elektorale si asnjëherë më parë u bë mes emigrantëve nga shumë forca politike. Qoftë në Itali, qoftë në Greqi Të gjitha premtuan se pas katër vjetëve emigrantët do të votojnë atje ku janë. E premtoi Topalli e Rama, Majko e Topi. Ngritën zërin për përjashtimin e shqiptarëve emigrantë nga vota, verën e shkuar kur u modifikua kodi zgjedhor, edhe Aleanca Kuqezi apo PDIU.

Tani që loja mbaroi, tani që të majtët erdhën në fuqi – edhe falë votave të emigrantëve, siç e pohojnë vetë – u kujtojmë premtimet elektorale. Programi zgjedhor i PS-së, në pjesën “Ripërtëritja e shoqërisë”, kur flet për pensionet, mes të tjerash thotë:

Zgjidhje, brenda mandatit të parë qeverisës, problemit të sigurimit të emigrantëve përmes:
• mundësimit të trajtimit të barabar
të të emigrantëve shqiptarë me punëtorët vendas në shoqëritë pritëse;
• bashkimit të periudhave të sigurimit dhe transferimit të të drejtave të përfitimit;
• intesifikimit të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve dypalëshe me vendet pritëse.

Në kapitullin e tërë kushtuar emigrantëve “Përkushtim ndaj shqiptarëve që punojnë dhe studiojnë jashtë vendit” renditen një sërë pikash të tjera të rëndësishme për emigrantët, duke filluar pikërisht nga e drejta e votës. Partia Socialiste zotohet për “Miratim të Ligjit për Votën e Jashtme, duke mundësuar votimin për të gjithë emigrantët dhe studentët që jetojnë jashtë vendit”, për “Krijim të një pakete financiare për të lehtësuar emigrantët të cilët duan të investojnë kursimet e tyre në ekonominë shqiptare” apo për “Fond të dedikuar qeveritar për abetare, libra dhe materiale të tjera pedagogjike të gjuhës shqipe, i fokusuar veçanërisht në Greqi dhe Itali”.

Urojmë që këto të mos mbesin vetëm fjalë të bukura mbi letër por të realizohen së shpejti, madje edhe ndonjë tjetër që mund të individualizohet gjatë një bashkëbisedimi e bashkëpunimi me emigrantët.

Shqiptari i Italisë
Nga programi i Partisë Socialiste
Përkushtim ndaj shqiptarëve që punojnë dhe studiojnë jashtë vendit

Mbi këtë temë:
Zgjedhësit në mërgim
Edhe Topalli u premton emigrantëve votën atje ku jetojnë. Pas katër vjetëve
Edi Rama emigrantëve në Milano: "Pas 23 qershorit do të votoni aty ku jetoni"
Vota e emigrantëve ndez akuzat reciproke mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri
Majko emigrantëve në Greqi: “Më 23 qershor ejani votoni për ndryshimin e Shqipërisë”

Berisha: “Duhet të votojnë edhe 16-vjeçarët” Pse nuk mendon për emigrantët?
Topi në Toskanë: “Ministri për emigracionin”
Ruçi e Balla takojnë emigrantët në Udine
Premtimet e shtetit shqiptar dhe emigrantët