Presidenti Meta për Shqiptarin e Italisë: “Kam ngritur çështjen e pensioneve” - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Në një intervistë të shkurtër, Presidenti pohon: “Mbështes të drejtën e votës. Ministria e Diasporës element pozitiv”

Në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në Itali në 11-12 shtator, gjatë të cilës u prit nga Presidenti i Republikës italiane Sergio Mattarella, nga Kryetari i Senatit italian, Pietro Grasso, dhe Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi një bisedë të shkurtër edhe me bashkëpunëtorin tonë Gjergji Kajana.
Urojmë që kjo traditë të vazhdojë nga Presidenti e gjithë politikanët shqiptarë, në mënyrë që komuniteti shqiptar në Itali të jetë i përditësuar me mënyrën sesi trajtohen interesat e tij prej institucioneve të atdheut.

Shqiptari i Italisë: Do të donim të dinim nëse tema qe kemi veçanërisht për zemër do të përparojnë gjatë axhendës së presidencës suaj. Një prej tyre është e drejta e votës së emigrantëve shqiptarë.

Presidenti Ilir Meta: Përsa i takon të drejtës së votës të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë, nga ana ime kjo do të ketë mbështetjen maksimale, në bashkëpunim edhe me qeverinë edhe me opozitën. Kjo sepse këto janë çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet, me kodin zgjedhor dhe duhet një dakordësi për arsye se, ju e dini, që ne edhe për çështje të zgjedhjeve brenda vendit shpesh kemi probleme të panevojshme, kështu që duhet një mirëbesim në radhë të parë dhe jo vetëm vullnet sepse nuk është se mungon vullneti nga njëra palë apo tjetra. Duhet një mirëbesim për të garantuar këtë të drejtë dhe standardet që e mundësojnë realizimin e saj.

Një tjetër problem i emigracionit është mbrojtja sociale dhe njohja e kontributeve pensionistike...

Lidhur me njohjen e pensioneve apo një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore, këtë e kemi ngritur edhe sot gjatë takimit me Presidentin, ku ishte edhe ministri i Jashtëm Alfano, dhe kemi gjetur një angazhim për të ecur në këtë drejtim. Nuk ka ndonjë pengesë parimore. Shpresojmë të ecim drejt konsultimeve dhe negociatave në këtë fushë, që nuk është e lehtë. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm përfituesish. Sigurisht është një marrëveshje e domosdoshme sepse është një e drejtë elementare dhe jetike. Kemi gjetur një predispozicion pozitiv dhe do ta ndjekim që ta shtyjmë përpara për t’u konkretizuar.

Mendoni se ministria e re e Diasporës, nga ju e sapodekretuar para dy ditësh, do të ndihmojë që institucionalisht shqiptarët jashtë Shqipërisë të afrohen me atdheun tonë?

Mendoj se ngritja e ministrisë së Diasporës është një element pozitiv. Është e rëndësishmë që të koordinohen më mirë të gjitha përpjekjet jo vetëm nga ana e qeverisë por e të gjitha institucioneve për të qenë më pranë shqiptarëve jashtë, që ata të mbajnë lidhje më të forta me vendin, për të krijuar më shumë mundësi për mësimin e gjuhës shqipe e krijimin e qendrave kulturore, aktiviteteve kulturore dhe përgjithësisht për t’i mbajtur të integruar me gjithë zhvillimet në vend dhe, nga ana tjetër, për të përfituar sa më shumë nga kontributi dhe mundësitë e tyre për zhvillimin e Shqipërisë.

Një pyetje si urim për Shqipërinë: integrimi në Bashkimin Evropian. Ju a keni shpresa se brenda 2022-shit, viti i fundit i mandatit tuaj, do të kemi ecur fort e do të qendrojmë tek dyert e Bashkimit? Vendi ynë është në prag të negociatave, të cilat shpresojmë të hapen së shpejti.

Kjo është kryesorja, që negociatat të fillojnë sa më parë të jetë e mundur. Natyrisht procesi i vazhdimit të tyre deri në anëtarësim nuk do të jetë një proces kaq i thjeshtë jo vetëm duke u nisur nga përvoja e vendeve të tjera para nesh por njëkohësisht duke patur në konsideratë që edhe vetë Bashkimi Evropian ka mjaft sfida me të cilat duhet të ndeshet dhe që duhet t’i zgjidhë. Për ne është e rëndësishme të nisin negociatat sa më shpejt dhe të përmbushim detyrimet tona si një vend që është mjaft i interesuar për t’u anëtarësuar në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Bisedoi Gjergji Kajana