Presidenti Nishani, takim me përfaqësues të komunitetit - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
“Për të trajtuar shqetësimet dhe problematikat me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Itali” lexohet në ftesën e nisur nga Presidenti. Urohet të jepet edhe ndonjë rrugëzgjidhje e mundshme, pasi u bënë vite që problemet u shtrohen institucioneve shqiptare por bien në vesh të shurdhër
 

Romë, 10 tetor 2016 - Në Romë për një takim zyrtar (në orën 12.00) me presidentin e Republikës italiane Sergio Mattarella, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani do të takohet sot në mbrëmje me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali.

“Në vlerësim të rolit madhor të komunitetit shqiptar në Itali, për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe të kontributit të këtij komuniteti për zhvllimin e Shqipërisë, Presidenti Nishani dëshiron që një pjesë të mirë të agjendës së vizitës zyrtare në Itali t’ia kushtojë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali”, lexohet në ftesën e nisur nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

“Në vazhdën e takimeve të Kreut të Shtetit me diasporën shqiptare në vende të ndryshme të botës, - thotë akoma ftesa – ky takim do të përbënte një mundësi shumë të mirë për të trajtuar shqetësimet dhe problematikat me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Itali, si dhe për të bashkëbiseduar mbi intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të tyre me institucionet shqiptare”.

Takimi i sotëm vjen dy javë pas atij me shqiptarët në Amerikë ku presidenti shprehu kënaqësinë e tij për progresin e komunitetit shqiptaro-amerikan. “Shikon më shumë mjekë shqiptaro-amerikanë të zotë, që kanë karrierë të pasur; shikon gazetarë shqiptaro-amerikanë që janë gjithnjë më aktivë e prezentë me analizat e tyre dhe me ndikimin e tyre në opinionin publik; bizneset shqiptaro-amerikanë janë gjithnjë e më të konsoliduara, media po merr një rol të ri në orientimin e shoqërisë përballë sfidave të reja, gjenerata e re e arsimuar e shkolluar, e trajnuar, në nivelet më të larta shkollore dhe profesionale në Shtetet e Bashkuara, që po bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i tërheqjes së vëmendjes nga bota shqiptare po edhe një hallkë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës, SHBA-së dhe botës shqiptare në tërësi” u shpreh ai.

Të njëjtat gjëra mund të thotë pa frikë edhe sonte në Romë, por ka ikur koha për këto pasi 25 vjet emigracion kanë treguar se nuk kanë sjellë asgjë në të mirë të emigrantëve. Do të ishte e udhës të flitet konkretisht për çfarë është bërë e çfarë është në plan të bëhet, apo çfarë ka në dorë institucioni i Presidentit të bëjë e çfarë ka bërë.

Nga 11 prill 2013 në faqen internet të institucionit te Presidentit është shtuar rubrika e re me emrin Diaspora që fton lexuesit të bashkohen me rrjetin “Miqtë e Shqipërisë”. Duhet të vlente jo vetëm që “të evidentojë figurat dhe organizatat më të spikatura të shqiptarëve në diasporë…” por edhe “në evidentimin e preokupimeve dhe problemeve kryesore që kërkojnë një angazhim konkret të institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e tyre”. Do të ishte mirë që sonte presidenti të tregojë (është pamundur ta shohim vetë, pasi faqja ka mbetur njësoj si ditën e parë që është hapur) ç’probleme i janë ngritur nga qytetarët e çfarë është bërë deri më sot për t’u dhënë atyre një zgjidhje?

Plot një vit më parë presidenti Nishani priti në Tiranë përfaqësues të disa shoqatave të rrjetit FARE. I shtruan tema të ndjeshme për komunitetin shqiptar në Itali, e në mënyrë të veçantë mbi të drejtën e votës, mësimin e ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë, mbi nxitjen e kthimit të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë shtetit dhe të emigrantëve në atdhe etj. Do të ishte në interes të të gjithëve që Presidenti Nishani të na tregojë sonte nismat që ka ndërmarrë më për t’u dhënë zë këtyre shqetësimeve të emigrantëve.

Për t’iu kthyer takimit të fundit që Presidenti pati me shqiptarët në ShBA, i pyetur shprehimisht për Samitin e Diasporës, tha: “Më duhet të them me shumë keqardhje se nuk kam asnjë informacion se çfarë është ky samit, kush e organizon, pse e organizon, çfarë temash do të trajtojë, çfarë platforme ka, si do të organizohet, etj. Natyrisht, me keqardhje mund të konstatoj që është anormale që kreu i shtetit të mos ketë informacionin minimal për mënyrën se si do të organizohet, pse do të orgnizohet dhe kur do të organizohet një takim i tillë”.

Dhe për mënyrën si e trajton, duket sikur fton diasporën ta bojkotojë atë. Qeveria ka të gjithë të drejtën që ta organizojë. Ka një problem, që në Shqipëri, si kudo, qeveritë përfaqësojnë parti të caktuara politike. – shprehet ai në një intervistë të dhënë gazetës Illyria - Unë do të dëshiroja që në çdo rast, që diaspora jonë, aq e mrekullueshme dhe e konsoliduar, që ka qenë deri tani, të mos përfshihet në interesat politike të partizanizmit në Shqipëri, të mos kthehet edhe çështja e diasporës në një tjetër gozhdë të ngulur në murin e debatit të panevojshëm politik, në Shqipëri. Kështu që unë personalisht nuk e shoh se mund të bëhem pjesë e një tentative për të keqpërdorur diasporën, në kuptimin partizan dhe politik, aq më tepër që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, në Shqipëri. Gati, gati, partitë po hyjnë në fushatën elektorale. Madje, një fushatë paraelektorale praktikisht ka filluar nëse i shikon të gjitha debatet që po bëhen…”.

Ndoshta pas takimit me komunitetin shqiptaro-amerikan në ShBA, qeveria e ka lajmëruar Presidentin se çfarë po bën, apo ndoshta ndonjë këshilltar i presidentit i ka kërkuar informacion qeverisë rreth Samitit, sepse është më e udhës të bashkëpunojnë pushtetet e Vendit mes tyre se sa të vihen kundër njëri tjetrit publikisht e të bëjnë pak a shumë thirrje të hapur të bojkotohet tjetri. Për të mos detyruar shqiptarët të humbasin krejtësisht shpresën në institucionet e vendit të tyre.

Është e natyrshme të mendohet se Samiti i Diasporës që mblidhet në nëntor, as një vit nga zgjedhjet e reja parlamentare, lë vend për dyshime se bëhet sa për të larë gojën, më shumë për ta shënuar si ngjarje të madhe, si spektakël për “ndërkombëtarët” e televizionet, apo më keq akoma si një rast i shkëlqyer për të nisur fushatën elektorale mes emigrantëve sesa si mundësi e mirëfilltë për shtrim problemesh ku të bazohen nisma ligjore e ekzekutive në të mirë të emigrantëve. Të gjitha këto vërejtje qëndrojnë për Samitin, që është i pari në llojin e vet për Shqipërinë, ndaj ndoshta i duhet dhënë pak besim. Por që Presidenti të thotë se diaspora nuk duhet të përfshihet “në interesat politike të partizanizmit në Shqipëri” dhe se ai personalisht nuk mund të bëhet pjesë “e një tentative për të keqpërdorur diasporën, në kuptimin partizan dhe politik, aq më tepër që jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, në Shqipëri” lë shije të hidhur. E të bën të mendosh që edhe vetë Presidenti, nuk bën tjetër, veçse të njëjtën gjë për të cilën akuzon organizuesit e Samitit, kërkon t’u japë ngjyrime politike problemeve të diasporës. Të lë të mendosh edhe se takimi vetëm një muaj para Samitit bëhet pikërisht që ai të shprehë opinionin e tij kundër. Të shtyn edhe të ngresh pyetjen: Kush duhet të organizojë në Shqipëri një aktivitet për diasporën, ku të ngrihen probleme para atyre që kanë në dorë edhe zgjidhjet, pa lindur dyshimi se do të marrë ngjyrim politik?

Ndoshta konsideratat e mësipërme do të përgënjeshtrohen nga ajo çka Presidenti do të na thotë këtë mbrëmje. Njësoj si për samitin e nëntorit, nevojitet pak besim edhe për takimin me Presidentin.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
“Miqtë e Shqipërisë”, nisma e presidentit Nishani për emigrantët
“Unë votoj”. Shqiptarët e Italisë i kërkojnë presidentit të drejtën e votës