Propozimi i Komisionit Evropian, “Shqipëria mes vendeve të sigurta” - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Për të ndalur valën e azilkërkuesve nga Shqipëria, sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të Brendshëm të BE-së diskutohet edhe për futjen e saj në listën e vendeve të sigurta

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel, pritet të aprovohen propozimet e Komisionit Evropian veçanërisht mbi shpërndarjen me kuota të detyrueshme të 160 mijë azilkërkuesve të mbërritur në Itali, Greqi dhe Hungari, për ngritjen e një fondi prej 1,8 miliardë eurosh me të cilin të ndihmohen për një listë të vetme të “vendeve të sigurta” që do të mundësojë përshpejtimin e procedurave të azilit për kë vjen nga Ballkani e Turqia.

Burime të brendshme pohojnë se përsa i përket istës së vendeve të sigurta, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian “janë praktikisht dakord”. Lista duhet të përmbajë Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë, Bosnje-Hercegovinën dhe Turqinë. Futja e Shqipërisë në këtë listë është kërkuar me forcë nga vende si Gjermania që muajt e fundit ka një fluks në rritje azilkërkuesish shqiptarë.

Sipas propozimit të Komisionit Evropian, konsiderohen vende të sigurta të gjitha ato ku nuk ka asnjë lloj persekutimi, torture apo dënimi apo trajtimi çnjerëzor, asnjë kërcenim dhune dhe ku nuk ka konflikt me armë. Kujt shkon në BE për të kërkuar azil nga këto vende, do t'i shqyrtohet kërkesa e azilit në mënyrë të përshpejtuar dhe do të ketë thuajse të pamundur ta fitojë atë.