Rexhep Arifi, polici që merr në krah e përkëdhel fëmijën sirian, mallëngjen botën - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Mes shumë e shumë fotografive e filmimeve që po rrëfejnë eksodin e këtyre ditëve të mijëra refugjatëve nga Siria e Iraku, duke prekur thellë mbarë botën, është edhe ajo e policit në Preshevë që merr në krah, gëzon e i kthen buzëqeshjen një fëmije sirian të sapombërritur.

Polici quhet Rexhep Arifi dhe fotografitë që e tregojnë duke përkëdhelur një fëmijë, të shkrepura nga gazetarja amerikane Manveen Rana, po pushtojnë rrjetet sociale në internet.

“Jam prej shumë ditësh që punoj aty, me shumë emigrantë që vijnë nga Siria e vende të tjera – Tregon vetë polici për televizionin kosovar Kohavizion – Nuk e di as kush ma ka bërë atë fotografi. Fëmija ishte me familjen, ishin të gjithë të rraskapitur. Kam marrë fëmijën në krah. Ishte duke qarë por pastaj ka nisur të lozë me mua…”.

Rexhepi rrëfen edhe se ka marrë mesazhe pa fund përgëzimesh për humanitetin e treguar, jo vetëm nga Serbia por edhe nga Kosova, Shqipëria.

Nga ana tjetër, gazetarja që ka bërë fotot tregon se shumë prej sirianëve mbetën të mahnitur nga gjesti i policit. Madje i kishin thënë asaj se ishte “herë e parë që dikush nga forcat e rendit nuk i trajtonte si kafshë”. Grupi i refugjatëve ku bënte pjesë edhe fëmija kishte kaluar ditë të vështira. Sipas gazetares Rana, shumë prej tyre tregonin se ishin trajtuar me dhunë një natë më parë nga policia maqedonase, ndërsa kalonin kufirin nga Greqia.

Lexo edhe: Kameramania e urryer: rrëzon emigrantin me djalin në krah, shkelma dy fëmijëve të tjerë