Rreth 17 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në BE gjatë vitit 2014 - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Sipas Eurostat-it, numri i azilkërkuesve shqiptarë është rritur me mëse 5.700 në një vit. Në rrezik lëvizja pa viza në Evropë

Romë, 19 prill 2015 - A është në rrezik lëvizja pa viza në Evropë? Lajmeve të fundit mbi kthimet e qindra emigrantëve të parregullt që kishin kërkuar azil politik në vende të ndryshme të BE-së, mbi kthimet që në kufi (pa dalë akoma nga Shqipëria) nga policia shqiptare i qindra të tjerëve ditët e fundit dhe apelet e ministrisë së Brendshme për të mos abuzuar me lëvizjen e lirë në Schengen, mund t'u shtohen edhe shifrat e fundit të ofruara nga Eurostat-i, agjencia evropiane për statistikat që nuk janë aspak inkurajuese.

Sipas Eurostat-it, numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil politik në vendet e BE-së në vitin 2014 ka shkuar në 16.805 vetë. Krahasuar me një vit më parë (11.075 në vitin 2013), numri i tyre është rritur me  51,7%. E sipas të dhënave mbi origjinën, rezulton se Shqipëria është vendi i 11-të i botës për numër personash që largohen prej saj e kërkojnë strehim në BE. Ndër vendet e Rajonit renditet e treta: vetëm Kosova e Serbia kanë një numër më të lartë të qytetarëve të tyre që kërkojnë azil në një prej 28 vendeve të Bashkimit Evropian.

Nga statistikat vërehet se veçanërisht në disa vende të Evropës, shqiptarët zënë një ndër 5 vendet e para si aplikues për azil. Edhe pse në shifra të ulëta, problemi shqiptar duket se është më i ndjeshëm në Islandë, ku 20 shqiptarët që kanë kërkuar azil, përbëjnë 11% të të gjithë aplikuesve e komunitetin më të lartë të azilkërkuesve në ketë vend. Në Liechtenstein dhe Irlandë shqiptarët përbëjnë grupimin e tretë. Në Francë (2.970) dhe Luxemburg janë në vendin e katërt dhe në Angli (1.890) e Greqi (570) në të pestin. Ndërsa në Gjermani, ku ka kërkuar azil mbi gjysma e azilkërkuesve shqiptarë (8.110), numri i përgjithshëm i aplikuesve gjatë vitit të shkuar ishte shumë i lartë (mbi 200 mijë) e shqiptarët nuk ishin mes pesë komuniteteve të para. Por megjithatë, duket se problemi i azilkërkuesve shqiptarë po bëhet alarmant këtë vit: sipas raportit të fundit të Ministrisë së Brendshme të këtij vendi, në mars shqiptarët zunë vendin e tretë që mbanin serbët, me 3.020 aplikime për azil.

Sipas Eurostat-it, 92% e kërkesave të shqiptarëve për azil janë refuzuar dhe shumica e aplikuesve janë kthyer në Shqipëri. Ndër 8% të tjerët, vetëm 2% u pranohet kërkesa e azilit, 4% u lejohet një qëndrim i përkohshëm për një vit për të fituar të drejtën për shtetësi ose për bashkim familjar dhe 2% të tjerëve u  lejohet qëndrimi për arsye humanitare por deri në përmirësimin e situatës. 

Shqipëria rrezikon kështu për të parën herë rikthimin e regjimit të vizave. Sinjale në këtë drejtim nuk kanë munguar nga qeveri të ndryshme vendesh të BE-së. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Cako, nxori një qarkore pak ditë më parë për të udhëzuar policinë në kufi që të shqyrtojë me imtësi dokumentacionin e atyre që lëvizin me pasaporta biometrike. Gjë për të cilën flitet edhe në një komunikatë zyrtare të botuar më 10 prill nga ministria e Brendshme ku shkruhet se “është absolutisht e pamundur, fitimi i azilit në çdo vend të BE-së”. Ministria u kujton të gjithë qytetarëve që duan të ndërmarrin një udhëtim në Shengen se janë të detyruar që përveç paraqitjes së dokumentacionit të udhëtimit, të shpjegojnë edhe itinerarin, qëllimin e udhëtimit, si dhe garancitë financiare të kërkuara. “Policia e Shtetit ka rritur masat e kontrollit në Pikat e Kalimit kufitar – shkruhet në komunikatë – për evidentimin e plotë të dokumentacionit dhe përmbushjen e të gjitha kritereve për udhëtimin e qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)