Samiti sapo filloi - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Nga Rando Devole

Të gjitha veprimtaritë që u zhvilluan në Tiranë, në kuadrin e Samitit të Diasporës (18-20 nëntor 2016), u përshkuan nga një fill i pamohueshëm: pjesëmarrja. Kjo u vu re jo vetëm nga numri i emigrantëve shqiptarë të ardhur nga e gjithë bota[1], por edhe nga vëmendja me të cilën ata ndoqën veprimtaritë e programuara.

Pritja në Pallatin e Brigadave, në prani të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, panelet e organizuara rreth temave të ndryshme, takimi me Kryeministrin Rama në Pallatin e Kongreseve, koncerti në TOB, mbrëmja përmbyllëse gala (gjatë së cilës u dha çmimi Shqiponja e Artë dhe u mbajtën disa fjalime nga përfaqësues të institucioneve): të gjitha u karakterizuan nga pjesëmarrja e shqiptarëve të diasporës[2].

Samiti mund të vëzhgohet nga shumë pikëpamje, nga të cilat duhet veçuar pikërisht pjesëmarrja. Kjo mund të analizohet si nga mënyra se si u nyjëtua gjatë veprimtarive të Samitit, ashtu edhe nga motivet që i shtynë emigrantët shqiptarë të marrin rrugën për të marrë pjesë në aktivitetin në Tiranë.

Ndërsa angazhimi i qeverisë shqiptare ishte i parashikueshëm, meqë nisma ishte promovuar nga vetë Kryeministri, pjesëmarrja mbeti deri në moment të fundit e panjohura e Samitit, çka u pohua edhe nga vetë organizatorët, të cilët nuk e prisnin praninë e konsiderueshme të emigrantëve shqiptarë.

Mirëpo, pjesëmarrja nuk ka vetëm anën sasiore. Duart lart, që kërkonin me ngulm mikrofonin për të marrë fjalën, ishin më mbresëlënëse dhe më domethënëse se sa duartrokitjet e fjalimeve të ndryshme.

Dëshira për të marrë pjesë aktive në diskutimet e ndryshme mbetet ende për t’u hulumtuar, sepse aty gjenden themelet e urave me diasporën. Tek e fundit, pa dëshirën për të marrë pjesë nuk mund të ndërtohet asnjë bashkëveprim me diasporën, as mund të ndërtohen ura lidhëse, sa për ta thënë me një metaforë që u përmend deri në konsumim gjatë ditëve të Samitit. Në fakt, pjesëmarrja sociale dhe politike nga ana e qytetarëve të saj, kudo qofshin, përbën çështje jetike për vende si Shqipëria[3].

Për vëzhguesit e kalitur nuk ishte e vështirë të dallohej se, pas kërkesës së ethshme për të kapur mikrofonin, qëndronte dëshira për të marrë pjesë në diskutimin publik për diasporën dhe çështje të tjera. Megjithëse organizimi kishte parashikuar kryesisht pyetje, përfaqësuesit e anëtarët e diasporës donin të shkonin përtej: të rrëfenin kush ishin, të tregonin aktivitetin e tyre, ose të shpjegonin pikëpamjet e veta për temat e debatuara.

Që dëshira për të marrë pjesë ishte si një lumë vërshues u pa edhe në diskutimet e tetë paneleve ku u prekën tema të rëndësishme si: zhvillimi ekonomik në atdhe dhe roli i diasporës, turizmi shqiptar, kultura, gjuha, identiteti, rrjeti i aftësive, organizimi i diasporës, bashkëveprimi midis përfaqësive diplomatike dhe diasporës, etj. Gjatë zhvillimit të këtyre paneleve u vu re një dëshirë e madhe për të marrë pjesë në diskutim. Ky konstatim duhet parë pozitivisht, pavarësisht nga problemet organizative, si mungesa e kohës, ndërtimi i paneleve, ankesat, ose zhgënjimi për mosmarrjen e fjalës; probleme që mund të rregullohen gjatë nismave eventuale të ardhshme.

Edhe ata emigrantë që nuk patën mundësi të merrnin pjesë në Samitin e Diasporës, ose që vendosën për arsye të ndryshme të mos vinin, nuk mund të futen në kategorinë e indiferencës, për sa kohë mospjesëmarrja ishte një zgjedhje e kushtëzuar nga probleme objektive, ose subjektive, krejtësisht të ligjshme e të kuptueshme. Në kushte të tjera, pjesëmarrja do të kishte qenë edhe më e madhe[4].

Nga ana tjetër, pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në eventin e Samitit nuk paragjykon pjesëmarrjen e vërtetë të anëtarëve të diasporës, që janë aktivë në zhvillimet e Shqipërisë dhe shqiptarisë në kuptimin më të gjerë të fjalëve. Vetë pjesëmarrja në Samit nuk është se jep ndonjë patentë të veçantë, përderisa ka plot emigrantë, me siguri shumica, që kanë marrë pjesë e vazhdojnë të marrin pjesë aktivisht në rrjedhat e shqiptarisë, pavarësisht nga prania në ato ditë të nëntorit. Pra, është e nevojshme të ndahet koncepti i pjesëmarrjes në Samit nga ai i pjesëmarrjes së gjerë në zhvillimet e përgjithshme. Në fakt, koncepti i parë është tregues i të dytit; çka nuk mund të thuhet automatikisht për të kundërtën.

Nga pikëpamja e pjesëmarrjes në Samit mund të vihet re vullneti i përbashkët, i qeverisë dhe i diasporës, meqë e para e promovoi për herë të parë – çka nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë – ndërsa e dyta iu përgjigj pozitivisht e me interes ftesës. Duhet të shtojmë se ky pohim i fundit çalon së paku për dy arsye: a) përdorimi i diskutueshëm i termit përgjithësues “Diasporë”, meqë kjo duhet kuptuar detyrimisht në shumës dhe në larminë e vet të gjithanshme; b) shpërpjesëtimi i përfaqësimit, në kuptimin që emigrantët e pranishëm nuk kishin mandat përfaqësues, kurse qeveria e ka me përkufizim nga parlamenti shqiptar[5].

Në një plan më të gjerë, ndërsa vullneti për pjesëmarrje nga ana e emigrantëve nuk mund të vihet në diskutim, përderisa e kanë vërtetuar në shumë mënyra, ajo e qeverisë në veçanti dhe e politikës shqiptare në përgjithësi, mbetet ende për t’u vërtetuar, për sa kohë mbetet ende në rrafshin e vullnetit të mirë dhe të deklaratave. Po ta konceptonim samitin si pjesë e takimit konstant e të strukturuar midis Shqipërisë dhe diasporës, do të thoshim se ai sapo ka filluar, dhe se jemi në hyrjen ceremoniale, në batutat e para, në shprehjen e vullnetit, kryesisht për efekte informative dhe mediatike. Në këtë kuptim, pra nga ana thelbësore, do të ishte e kotë ta gjykonim nismën, e cila shënoi hapjen e një procesi, rezultatet e të cilit do të shihen këtej e tutje.

Kushtet që përcaktojnë pjesëmarrjen janë të shumta, nga eliminimi i distancës midis grupeve dhe njerëzve, deri tek konceptimi i marrëdhënieve të barabarta dhe tek ideja e bashkëndarjes së përvojave. Natyrisht, nuk mjafton një hapje procesi, pavarësisht nga fjalët e mëdha dhe premtimet entuziaste, që të realizohen kushtet e pjesëmarrjes reale. Aq më tepër që pjesëmarrja e kërkuar nga ana e diasporës nuk ishte e llojit protokollar, por ndikuese, çka do të thotë se emigrantët duan të marrin pjesë aktivisht, për të bashkëvepruar e për të bashkëvendosur në raport me qëllimet dhe objektivat e bashkësisë.

Në qoftë se nga një anë u regjistrua një dëshirë e jashtëzakonshme e diasporës për të marrë pjesë, nga ana tjetër, përballë politikës dhe qytetarëve shqiptarë, qëndron problemi i përfshirjes së tyre sa më të efektshme[6]. Nuk është e qartë për shembull, përveç deklaratave parimore, se si do ta realizojë konkretisht qeveria shqiptare përfshirjen e emigrantëve, çka nuk mund të reduktohet vetëm në çështjen e votës, ngaqë pjesëmarrja politike është vetëm një aspekt i pjesëmarrjes sociale. Në këtë pikë mbetet për t’u shqyrtuar dhe analizuar pjesëmarrja e ulët – të paktën kjo ishte përshtypja e parë – e qytetarëve dhe protagonistëve të ligjërimit publik me banim në Shqipëri gjatë ditëve të samitit.

Këto shënime për samitin, në perspektivën e pjesëmarrjes, do të ishin të mangëta sikur dëshira e madhe diasporës për pjesëmarrje të harrohej e të mos konsiderohej si një kapital i jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe shqiptarinë. Mirëpo, ky kapital nuk mund të ndahet nga pritshmëria që krijoi Samiti në radhët e diasporës. Në vijim të takimeve të shumta, që politikanët kanë zhvilluar me diasporën prej vitesh, kryesisht gjatë fushatave elektorale ose me karakter ceremonial – të mbushura me retorikë e premtime gjithfarësh, shpeshherë për konsum mediatik –, Samiti rrezikon të rreshtohet tek nismat e inflacionuara, madhështia organizative e të cilit vetëm sa e rëndon situatën.

Në këtë kontekst, Samiti mund të konceptohet si thirrje e fundit për politikën shqiptare për të realizuar ato lidhje, që ajo vetë i deklaron si të domosdoshme[7]. Në rast se ky samit nuk do të pasohet nga propozime e veprime konkrete, besimi i lëkundur midis diasporës dhe politikës shqiptare do të shndërrohet në zhgënjim total, çka do të ishte dëm i jashtëzakonshëm për vendin dhe shqiptarinë. E nuk mjafton njoftimi i mbajtjes së samitit të ardhshëm, në rast se ai do të konceptohej sërish si prelud i një vepre imagjinare dhe jo si hap konkret në ndërtimin e urave lidhëse.

Ky shkrim është botuar fillimisht në revistën kulturore online Peizazhe të Fjalës: Samiti sapo filloi

[1] Organizatorët e Samitit pohuan se morën pjesë rreth 1000 vetë, të ardhur nga 41 vende të botës.
[2] Programin e Samitit të Diasporës mund ta gjeni në faqen zyrtare të nismës.
[3] Shiko për këtë temë shkrimin Pjesëmarrja e diasporës ose lapsusi i samitit, “Peizazhe të fjalës”, 2 shtator 2016.
[4] Nuk duhet të harrojmë se pjesa më e madhe e të pranishmëve erdhi në Samit me shpenzimet e veta.
[5] Kjo nuk do të thotë se një pjesë e anëtarëve të diasporës, drejtues shoqatash e organizatash, nuk ishin përfaqësues të anëtarëve të vet. Por marrja e mandatit nënkupton procese të tjera, përveçse një objektiv të qartë politik për t’u arritur gjatë takimit të nivelit të lartë. Që këtej edhe përkufizimi disi i pavend i termit Samit.
[6] Këtu do të ishte e dobishme që të merreshin parasysh edhe arsyet e atyre që e refuzuan ftesën, që nuk pranuan të vinin, ose të atyre që erdhën me shumë rezerva.
[7] Konceptin e thirrjes së fundit e shpreha edhe gjatë moderimit të Panelit të 8-të të samitit, koncept që është dhënë diku tjetër edhe si një shans i fundit që i jepet qeverisë shqiptare (shiko Keti Biçoku “Shanset e Samitit të Diasporës”).