Shkarkohet konsullja e përgjithshme në Milano. Konsullata: “Nuk kemi shkelur ligjin” - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Menjëherë pas emisionit televiziv Stop, ministria e Jashtme shkarkon konsullen e përgjithshme në Milano. Reagon konsullata: “Punonjësit tanë nuk kanë qenë dhe nuk janë pjesë e ryshfeteve apo veprimeve të tjera që mund të zhvillohen apo ndodhin jashtë ambjenteve të konsullatës apo nga persona të paautorizuar zyrtarisht të përcaktuar nga ligji”

Ministri i Brendshërm Bushati e konsullja e Përgjithshme ÇobanajRomë, 1 mars 2016 - Pas denoncimit nga emisioni televiziv Stop i një rasti kur kundrejt 1000 eurove dhënë një sekseri një vajzë shqiptare mori leje martese pa dorëzuar në konsullatë dokumentacionin e nevojshëm, mëngjesin e sotëm ministria e Jashtme njofton mediat se Konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj, nuk është më pjesë e stafit konsullor shqiptar dhe se do të hapet një hetim i brendshëm për të gjetur përgjegjësitë e mundshme mbi rastin e nxjerrë në emisionin Stop.

E kontaktuar nga redaksia e shqiptariiitalise.com, konsullja e Përgjithshme Çobanaj, lidhur me rastin e nxjerrë në dritë nga emisioni televiziv, thotë: “Së pari doja të theksoja se korrektesa profesionale do të kërkonte që gazetarët e televizionit pasi bënë xhirimet, të vinin dhe të më pyesnin si ka ndodhur dhe shkaqet pse e kam dhënë lejen e martesës. Së dyti, me aq sa kam parë, xhirimi në fjalë paraqet paratë që i paguhen një personi i cili as nuk kishte kontakt me mua, por nëpërmjet një sekseri ka çuar dokumentet tek unë”.

“E vërteta mund të jetë komplet tjetër, por askush nuk pyet për dinjitetin e nëpunësit të shtetit. Nëse do të lexonit ligjin e shërbimit diplomatik dhe atij konsullor, do të shikonit se konsullatat shqiptare janë të detyruara t’u japin ndihmë shtetasve në nevojë. – vazhdon ajo - Personalisht nuk e mbaj mend rastin në fjalë, por kur më është kërkuar të firmos, mund të më jetë parashtruar që vajza është në gjakmarrje dhe nuk del dot nga shtëpia, ose se po persekutohet nga një i dashur shqiptar, apo është në kushte spitalore, e shumë arsye të tjera. Asnjë nuk më dha kohë që unë të sqarohesha se çfarë dokumenti ishte e përse bëhej fjalë. Nga ana ligjore dokumenti i lëshuar nga konsullata nuk ka asnjë gabim, apo të thënë në kundërshtim me ligjin”. “Por të gjitha këto dhe arsye të tjera, do t’ia them vetëm komisionit disiplinor të Ministrisë së Jashtme” e mbyll konsullja.  

Pas sqarimit të mësipërm mbërrin edhe reagimi më i zgjeruar i konsullatës së Milanos që e botojmë të plotë në vijim:

"Konsullata e R.SH ne Milano duke marre shkas nga emisioni "Stop" transmetuar me date 29.02.2016 mbi procedurat e veprimeve konsullore sqaron se:

Konsullata nuk ka pasur dhe nuk ka lidhje me individe apo subjekte qe kryejne apo marrin sherbime ne kundershtim me rregullat e miratuara.

Punonjesit e konsullates nuk kane qene dhe nuk jane pjese e ryshfeteve apo veprimeve te tjera qe mund te shvillohen apo ndodhin jashte ambjenteve te konsullates apo nga persona te paautorizuar zyrtarisht te percaktuar nga ligji.

Konsullata i permbahet ne veprimtarine e saj sjelljes konform rregullave dhe akteve ligjore qe rregullojne veprimatarine e institucionit ne perputhje me urdheresat dhe ligjin per sherbimin e jashtem ne parim te te cilit eshte "Ndihma ndaj shtetasve shqiptar qe jetojne jashte vendit".

Ne kete kontekst do te donim te theksonim se dokumentacioni i leshuar nga konsullata per te cilin ben fjale emisioni eshte konform ligjit per aresye sa me poshte:

Shtetasja shqiptare qe ka perfituar dokumentin eshte me gjendje civile beqare. Kopje e certifikates.

Shtetasi italian qe ka kerkuar te martohet eshte shtetas italian me gjendje civile beqar.

Ne kete sens ne dokumentin e leshuar konsullata nuk ka shkelur asnje ligj duke leshuar nje dokument beqarie per zonjen ne kerkesen e saj per tu martuar me nje shtetas italan me gjendje civile beqar.

Kete fakt e vertetojne dokumentet e leshuara per shtetasin italian certifikate lindjeje dhe certifikata e shtetesise, gjendjes civile dhe e rezidences, te cilat vertetojne qe qytetari italian eshte i lire te martohet. Dokumentet jane te njehesuara konform ligjit italjan.

Edhe nje here konsullata hedh poshte cdo pretendim per korrupsion te stafit te saj per veprime qe kryhen jashte ambjenteve te konsullates apo nga persona te paautorizuar nga ligji”.

Se ku qëndron e vërteta, këtë do ta thotë komisioni disiplinor i ministrisë së Jashtme, fakt është që konsulles së Përgjithshme Luljeta Çobanaj i është urdhëruar të lërë detyrën menjëherë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)