Të tradhtuarit e votës - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Nga Gjergji Kajana

 Në fund të një interviste të gjatë në Vizion Plus (18 tetor) kryeministri Rama lajmëroi se shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk do të mund të votojnë në zgjedhjet e 2017-tës atje ku janë sepse regjistrimi i tyre nuk është kryer. Ky regjistrim përbën një parakusht për të mundësuar ushtrimin e kësaj të drejte politike. Formalizimi në zhvillim i sistemit shqiptar brenda Shqipërisë nuk prek shqiptarët jashtë Shqipërisë, përsëri të mohuar në të drejtën e tyre kushtetuese për të zgjedhur e për të qenë të zgjedhshëm. Reciton pika 1 e nenit 45 të Kushtetutës sonë: "Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet". Përse nuk mund të përfitojmë prej këtij neni? A nuk jemi ne shqiptarë?

Projektligji i quajtur "Për regjistrimin e adresave të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikes së Shqipërisë" është miratuar në Parlament në shkurt të këtij viti, rreth dy vjet e gjysmë pas betimit të qeverisë Rama. Është kalendari ai që tradhton ekzekutivin tonë në seriozitetin e respektimit të kontratës së re patriotike me shqiptarët jashtë, jo teknologjia që pamundëson mbylljen e procesit para zgjedhjeve qershorin e ardhshëm. Autori i kësaj pjese nuk është ekspert i kohëzgjatjes së procedurave teknike për të plotësuar një regjistrim të përmasave jo të vogla (mendohet që të paktën 30% e shqiptarëve të regjistruar në Shqipëri jetojnë e punojnë jashtë vendit), por nuk beson të gabohet nëse mbështet me forcë se ky proces do të ishte në një stad më të përparuar nëse projektligji do të miratohej në kohët e para të jetës së qeverisë Rama. Për më tepër, Republika e Shqipërisë është partnere me shumë prej vendeve ku ka bashkësitë më të mëdha të shqiptarëve të emigruar (Itali, Greqi, SHBA) - nga të cilat mund të marrë lista të bashkëkombasve jashtë në bazë të lëshimit të lejeve të qëndrimit në këto vende. Nga ecuria kronologjike e procesit (proces i përgëzueshëm por frutet e të cilit po i gëlltisim të hidhura për momentin) lihet shija e hapave të ndërmarrë me vonesë për të mundur vetëm të pohohet se diçka po bëhet në këtë fushë. Faktikisht po bëhet e pamjaftueshmja dhe po bëhet "shqiptarçe": me vonesë e shumë sa për sy e faqe.

Sistemi ynë do të ishte më demokratik nëse të larguarit arrijnë ta ndikojnë përmes të drejtës elementare të votës. Por jo, edhe me qeverinë Rama për ne neni 45.1 është një prej të shumtëve të Kushtetutës së një atdheu më të largët sesa të afërt.