“Unë votoj”. Shqiptarët e Italisë i kërkojnë presidentit të drejtën e votës - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi
Nisma “Unë votoj” e para dy viteve, çohet përpara. Organizatorët e saj do të takojnë më 12 tetor presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, për t’i shtruar atij çështje shqetësuese të emigrantëve shqiptarë. Mbi të gjitha atë të votës
 

Romë, 6 tetor 2015 – Për të drejtën e votës së emigrantëve u diskutua shumë para zgjedhjeve të fundit politike në Shqipëri. Premtimet elektorale ishin të shumta. Edhe eksponentë të PS-së që tani ka shumicën në Kuvend e qeverit vendin (bashkë me LSI-në), në takime të ndryshme fushate me komunitetin shqiptar në Itali premtuan: “Pas katër vjetëve do të mund të votoni aty ku jetoni”. Kanë kaluar dy vjet nga zgjedhjet e fundit, por deri tani për të drejtën e votës emigrantëve as që kujtohet kush në Shqipëri.

Por në Itali, ka shoqata që vazhdojnë punën në këtë aspekt. Është rasti i Forumit FARE në Emilia Romagna. Me sloganin “Unë Votoj", dy vjet më parë organizuan pranë selive të shoqatave një simulim zgjedhjesh më 23 qershor 2013, ditë gjatë të cilës me qindra shqiptarë “hodhën në kutitë e votimit” një fletë të bardhë në shenjë proteste.

“Unë Votoj” u la disi në heshtje për ca kohë. “Me shpresën se pas premtimeve të shumta elektorale, strukturat e shtetit shqiptar do të viheshin në lëvizje në këtë drejtim, qëndruam disi mënjanë” – thonë për shqiptariiitalise.com organizatorët e nismës. Meqë nuk ndodhi asgjë, nismëtarët e “Unë votoj” i janë kthyer punës. “Pas mbledhjeve të shumta të shoqatave, në takimin e fundit në shkurt 2015 u vendos që mos të prisnim më “ardhjen” e politikanë shqiptarë këtu por të shkonim ne te ata. Drejtpërdrejt te Presidenti i vendit, institucioni më i lartë i mishërimit të unitetit kombëtar dhe i mbrojtjes së kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve – tregojnë – Kontaktuam në Shqipëri me zyrën e Presidencës përmes Leonard Kastratit, këshilltari për diasporën i Presidentit Nishani”.

E kështu, disa përfaqësues të shoqatave shqiptare në Itali, të kryesuar nga nga Forumi FARE, më 12 tetor do të priten në Tiranë nga Presidenti i vendit. E ndërkaq, nismëtarët e “Unë Votoj” po punojnë intensivisht për të siguruar takime edhe me kryetarin e Kuvendit e ministrin e Jashtëm.  

E drejta e ushtrimit të votës nga emigrantët atje ku jetojnë është çështja kryesore që do të diskutojnë me Presidentin, por në agjendë kanë edhe kërkesa të tjera pak a shumë urgjente për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit si: ngritjen e një instituti kombëtar për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj nga fëmijët e të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, nxitjen e kthimit të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë shtetit dhe të emigrantëve në atdhe, etj.

Me pak fjalë duan t’i shtrojnë ato çështje për të cilat politika shqiptare kujtohet njëherë në katër vjet, në fushatë zgjedhore, e harron të nesërmen e ditës së zgjedhjeve.

Në këto 16 vjet të gazetës Bota Shqiptare e Shqiptariiitalise.com, kemi pritur e përcjellë disa ambasadorë, me të cilët kemi ndarë mendime e kemi shprehur shqetësime mbi çështje të ndryshme që prekin nga afër emigracionin shqiptar. Ndër këto edhe çështjen e votës. nga përgjigjet që më shumë na kanë bërë përshtypje kanë qenë ato të dy prej ambasadorëve që pa iu dridhur syri, këtij shqetësimi apo ankese nga komuniteti shqiptar i janë përgjigjur pak a shumë si më poshtë.

I pari: “Pse thoni që nuk keni të drejtën e votës? Jeni të gjithë në listat e zgjedhësve, shkoni e votoni!”. Ndërsa tjetri nuk arriti të përmbahej e duke e pranuar në një farë mënyre që praktikisht të drejtën e votës nuk e kemi u përgjigj: “Pse ju duhet siguruar e drejta e votës? Se mos paguani taksat në Shqipëri ju, që rrini jashtë?”.

E natyrshme që të parit i kujtuam se nuk është e drejtë vote ajo që nuk mund të ushtrosh. Është thjesht për të larë gojën, në rastin më të mirë, apo për t’u keqpërdorur nga segmente të caktuara forcash politike, në rastin më të keq. Ndërsa të dytit nuk mund të mos i kujtoje që kjo është praktikë që e kanë shumë vende të tjera e aq më shumë duhet ta ketë Shqipëria që ka një të tretën e zgjedhësve jashtë e që duhet të mendojë t’i mbajë pranë. E veç kësaj, ndoshta taksa të mirëfillta vërtet nuk paguan kush jeton jashtë, por emigracioni ka ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme për sigurimin e jetesës së mijëra familjeve në Shqipëri e me investimet e tyre kanë kontribuuar edhe drejtpërdrejt në ekonominë shqiptare.

Urojmë që kërkesat e organizatorëve të “Unë Votoj” të mos bien në vesh të shurdhët e që nga presidenti të mos marrin përgjigje si këto të dy ambasadorëve tanë.

Keti Biçoku

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)