20 vjet emigracion shqiptar në Itali - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Më 31 mars 2011, ora 18.00 në Palazzo dei Giureconsulti (Sala delle Colonne), sheshi Mercanti, 2 të Milanos, do të mbahet takimi me titull “1991-2011: 20 vjet emigracion shqiptar në Itali”.

Takimi është organizuar nga “Albania e Futuro”, shoqatë kulturore italo-shqiptare e themeluar në vitin 2006, me mbështetjen e Dhomës së Tregtisë së Milanos, Ambasadës shqiptare në Romë, Fondacionit ISMU dhe të Komunës së Milanos.

Do të jenë të pranishëm ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj që do të flasë mbi arsyet që shtynin shqiptarët të linin atdheun, Laura Zafrini (profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Katolik të Milanos) që do të bëjë një histori të imigracionit shqiptar në Itali, Vincenzo D’Avanzo, kryebashkiak i Cesano Boscone-s që në fjalën e tij do të trajtojë “Komunitetin shqiptar në një qytet të hinterlandit”. Presidenti i shoqatës “Albania e Futuro”, Astrit Çela, do të prezantojë projektin “Shqipëri-Itali: kaq afër, kaq larg”, projekt për bashkëzhvillimin dhe integrimin që do të realizohet me kontributin e Komunës së Milanos.

Një çast i rëndësishëm i takimit do të jetë dëshmia e një emigranti të veçantë shqiptar siç është balerini i suksesshëm Kledi Kadiu.

Takimi do të përshëndetet nga ambasadori i Shqipërisë Llesh Kola dhe nga Drejtori Formaper i Dhomës së Tregtisë së Milanos, Federico Montelli.