Ali Kuçi, antinazisti shqiptar - Shqiptari i Italisë

Veprimtari

Promovohet libri i autorit Gjelok Marko, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së një prej figurave të shquara të rezistencës antinaziste të popullit shqiptar, Dr. Ali  (Luçi) Kuçit, “Fenomen gjenial i antinazismit shqiptar”

Tiranë, 20 nëntor 2011 – Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Qarkut, Korçë promovoi të premten librin e autorit Gjelok Marko, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së një prej figurave të shquara të rezistencës antinaziste të popullit shqiptar, Dr. Ali  (Luçi) Kuçit.

Autori Gjolek Marko e shkroi  këtë libër bazuar në dokumente të Arkivit të Kampit të Përqëndrimit të Dachaut, botime të autoreve Markus J. Smith “Vuajtjet e skëterrës”, dëshmi të bashkëvuajtësve e bashkëluftëtarëve Baron Arthur Haulot, Edmond Michelet etj, si dhe dorëshkrime të vetë personazhit të librit.

Dorëshkrimet e doktor Kuçit, të pasqyruara në këtë libër, faktet dhe ngjarjet e rëndësishme për historiografinë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, i japin vërtetësi, besim dhe e bëjnë këtë botim ekskluziv.

Libri, i cili u promovua  një ditë më parë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Muharem Çollaku” në Pogradec, ishte një vlerësim për një figurë të pa njohur dhe të harruar në Shqipëri, siç ishte Doktori i Shkencave Filozofike dhe luftëtari i shquar antinazist, Ali Kuçi.

Pas lirimit nga  Kampi i Përqendrimit prej ushtrisë amerikane në vitin 1946, doktor Kuçi shkoi në Paris, ku mbështeti delegacionin shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha, me qëllim njohjen ndërkombëtare të rolit të Shqipërisë në luftën kundër fashizmit e nazizmit.

“Pas vitit 1946 Shqipëria u njoh në arenën ndërkombëtare si një vend që kishte luftuar kundër fashizmit dhe emri i Ali Kuçit, si luftëtar antifashist i përmasave ndërkombëtare, publicist dhe atdhetar i shquar, – vë në dukje autori i librit  Gj. Marko – meriton të hyjë në Historinë e Shqipërisë si një figurë madhore  e saj”.
Ali  Zeno Kuçi lindi në 14 mars  1914 në Kuç të Kurveleshit Vlorë, në një familje me tradita të shquara patriotike, kreu studimet në shkenca politike dhe ekonomike në Universitetin e Londrës,  ku edhe u diplomua e më pas mori Doktoratë edhe në Filozofi në Universitetin e Firencës.

Në vitin 1940, doktor Kuçi  u internua dhe u burgos  në Kretë e Rodos për ndjenjat e tij antishoviniste, të shprehura në gazetën e tij  “Shqipëria e Lirë”, më pas nga fashistët në Ventotene (Itali), e pas kapitullimit të saj, korrik 1944 – qershor 1945 në Kampin e shfarosjes në masë të Dachaut, deri në rënien e nazizmit
Ali Kuçi ka qenë një ndër dëshmitarët kryesorë në gjyqin e Nurenbergut. Prej vitit 1946, ai u kurua në SHBA, ku edhe vdiq në 24 qershor të vitit 1948.